Himara pjesë e Kaonisë, grekë e romakë flasin për përkatësinë ilir. (+ foto)-
Himara pjesë e Kaonisë, grekë e romakë flasin për përkatësinë ilir. (+ foto).-
Përkundër historianëve të sotëm grekë se Epiri ka qenë pjesë e Greqisë, dëshmi të shumta tregojnë se ishte krahinë e Ilirisë dhe epirotët fise ilire
Nga Rami Memushaj
Në lashtësi, krahina që sot quhet Labëri dhe para dy shekujsh Himarë, quhej Kaoni dhe banorët e saj kaonë. Kaonët kanë qenë një nga fiset e Ilirisë Jugperëndimore, që përmenden për herë të parë prej Hekateut, dijetar grek i fundit të shek. VI–fillimi i shek. V para Krishtit, në librin e tij “Udhëtim rreth botës” dhe prej Skylaksit, bashkëkohës i Hekateut, i cili thotë se “pas ilirëve vijnë Kaonët… pas Kaonisë vjen fisi i Thesprotëve”. Pas tyre, kaonët i përmend Tuqididi në çerekun e fundit të shek. V para Krishtit si aleatë të spartanëve dhe të ambrakasve kundër Athinës.
Emri i Kaonisë dhe i kaonëve del tek të gjithë autorët e mëvonshëm grekë dhe romakë, duke përfunduar me Stefan Bizantinin,autor i shek. VI pas Krishtit, i cili jep hartën etnike të Epirit para se fiset të zhduken përgjithmonë. Paskëtaj emri i Kaonisë nuk del më në dokumentet mesjetare. Atë e hasim vetëm një herë te Kritobuli, historian grek i shek XV, i cili, kur përshkruan fushatën e vitit 1459 të sultan Mehmetit II kundër shqiptarëve të viseve përballë Korfuzit, thotë se “në fillim ilirët e kësaj treve quheshin mahaonë”. Në gojën e banorëve të krahinës, emri Kaoni do të jetë ruajtur më gjatë, siç mund të gjykohet nga dëshmi të shkruara dhe nga folklori i krahinës. Kështu, më 1759, në një informacion vendës për provincën e Himarës, thuhet se “provinca që quhet sot Himarë, ose popujt himarjotë, janë Epiri i vjetër Perëndimor, që njihej më emrin Haoni dhe popuj të Haonisë”. Dëshmitë nga folklori janë edhe më të shumta, madje këngë popullore labe që përmendin Kaoninë janë ruajtur deri në ditët tona. P.sh., vargjet e një kënge të vjetër të Himarës thonë:“Ata dinë ç’trima jemi/ që në ko të Haonisë”. Në përmbledhjen me këngë popullore të Thimi Mitkos, botuar më 1878, emri Kaoni del dy herë: si fillim i një përralle: “Në Haoni, në mes të Hormovës e Tepelenës…”; dhe si titull: “Kënga e Gjikë Thanasit nga Borshi i Haonisë”.
Fiset e Epirit
Kaonia ishte pjesë e bashkësisë së fiseve ilire në të majtë të Vjosës, e cila aty nga gjysma e dytë e shek. IV u quajt prej Teopompit Epir (ipeirotika ethni), emër me të cilin kjo njësi u thirr për një kohë të gjatë. Fjala “epir” fillimisht nuk ishte një term gjeografik. Ajo rrjedh nga greqishtja e vjetër apeiros, që në dialektin dorik kishte kuptimin “stere, kontinent”. Kjo fjalë del që te Homeri, i cili, sipas Strabonit, “me fjalën Epir nënkupton vendet përkarshi ishujve, duke dashur të përfshijë pas Leukadës edhe Akarnaninë tjetër”. Më vonë, ky emër i përgjithshëm u shndërrua në një emërtim gjeografik për krahinat përballë Korfuzit dhe pastaj për të shënuar atë pjesë të Ilirisë që shtrihej nga shpatet perëndimore të maleve të Pindit e deri në detin Jon dhe midis Vjosës në veri e verilindje dhe gjirit të Ambrakisë (të Artës) në jug.
Fiset e Epirit kanë qenë të shumta dhe është vështirë të jepet një numër i saktë i tyre, qoftë se burime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme, qoftë se disa fise mund të kenë mbetur të pashënuara, qoftë që flitet për një mijëvjeçar të tërë, kur luftërat e brendshme e të jashtme dhe pushtimet kanë shkaktuar shkrirje e zhdukje fisesh. Numri i fiseve epirote që japin autorët e grekë e romakë të lashtësisë ndryshon nga njëri te tjetri. Straboni na thotë se Teopompi përmend 14 fise të Epirit, por nga burime të tjera dhe nga mbishkrimet e zbuluara del një numër më i madh. N. Hamondi thotë se në Epir ka pasur rreth 60 fise, por vetëm disa prej tyre mundën të arrinin një zhvillim të tillë sa të hynin në histori. Emrat e disa prej fiseve të Epirit i gjejmë për herë të parë te Hekateu, autor i fundit të shek. VI para Krishtit, tek i cili mendohet se është mbështetur Straboni. Prej autorëve të vjetër grekë, nga Hekateu te Straboni, përmenden si fise të Epirit përgjatë brigjeve të Jonit kaonët, thesprotët dhe kas(i)opët; më në brendësi orestët,pelagonët, elimiotët, parauejtë dhe molosët, që shtriheshin në zonën e Janinës, në vendin e të cilëve ndodhej tempulli i famshëm i Dodonës; në lindje perrebejtë, etikët, tymfejtë dhe talarët; në jug amfilohët, me Artën si kryeqendër, dhe atamanët në lindje të Artës, ku edhe sot një varg malor quhet malet e Atamanëve.
Autorët e mëvonshëm grekë e romakë japin edhe emra të tjerë. Kështu, Plini (shek. I pas Krishtit), veç kaonëve, thesprotëve, molosëve, perrebejve dhe kasopëve, përmend edhe antigonasit, kestrinët, driopët, selët dhe helopët. Ptolemeu, gjeograf i shek. II pas Krishtit, flet për kaonët, thesprotët, kasopët, parauejtë amfilohët dhe atamanët, si degën më lindore të amfilohëve. Ai nuk i përmend molosët, po shton dolopët, për të cilët thotë se janë mbi kasopët. Me interes janë të dhënat e Stefan Bizantinit (shek. VI pas Krishtit), që pasqyrojnë hartën etnike të Epirit para se fiset të zhduken përgjithmonë për t’u lënë vendin krahinave territoriale. Në fjalorin e tij gjeografik mungojnë disa nga emrat e fiseve epirote që japin autorët më të vjetër dhe, më anë tjetër, gjejmë emra të rinj fisesh apo degësh të tyre.
Nga fiset që japin autorët para tij, këtu gjejmë kaonët,molosët,thesprotët, kasopët, prasaibët dhe tymfajtë.Por aty përmenden për herë të parë si fise epirote traulët, arktanët,amymnët, argyrinët, deksarët, mardonët, mylakët, sylionët dhe plarajtë, për disa prej të cilëve jepen edhe njoftime plotësuese lidhur me shtrirjen e tyre. Kaonia zinte pjesën veriperëndimore të Epirit, nga brigjet e detit Jon në perëndim e deri në Vjosë në lindje dhe me një shtrirje gjatësore veri–jug nga Akrokeraunet deri në lumin Thyamis (Kallama), i cili e ndante nga Thesprotia. Duke u ndodhur në kufirin verior të Epirit me Ilirinë e Jugut, Kaonia kufizohej nga veriu dhe verilindja me fise ilire. Ajo vinte menjëherë pas fiseve që banonin në të djathtë të Vjosës: nga veriu, malet e Vetëtimave (Akrokeraune) e ndanin nga tokat e amantëve; në verilindje, Vjosa e ndante nga atintanët dhe të tjera fise ilire. Kaonia ishte një krahinë e dëgjuar për limanet e shumta, për kullotat e pasura, për kuajt dhe për tufat e mëdha të bagëtive të imta. Asaj i përkitnin një varg qytetesh të lulëzuara, si Butrinti, Finiqi, Gitan(i)a (Delvina), Antigoneja (Lekli) etj., të cilat patën arritur një shkallë të lartë zhvillimi.
Përgjatë bregdetit të saj ndodheshin qytezat-porte të Palestes (Palasa),Himarës,Panormit (Porto-Palermoja), Onkezmit (Saranda)etj., nëpërmjet të cilave kjo krahinë bënte tregti me botën greke e romake. Në krahinën e Kaonisë nuk ka jetuar një fis i vetëm, po disa fise, të cilat thirreshin me emrin përgjithësues kaonë. Emrat e disa prej këtyre dëshmohen nga burimet e shkruara dhe shtrirja e tyre mund të përcaktohet duke u nisur nga të dhënat për kufijtë e Kaonisë dhe fiset fqinje të saj. Kaonë ishin prasaibët, që banonin në viset rreth Butrintit, të cilët Plini i quan kestrinë, sipas emrit të fushës së Kestrinës (fusha e Vrinës); antigonasit, me kryeqendër Antigonenë (Leklin e Tepelenës), që shtriheshin në luginën e Drinos; omfalët, që zinin trevën e Zagorisë; argyrinët, emri i të cilëve lidhet me emrin e kryeqendrës së tyre, Argjiropolinit (Gjirokastra); dhe deksarejtë e sylionët, shtrirjen e të cilëve Stefan Bizantini nuk e jep. Sa për trevat e sotme të Labërisë, nuk dihet se nga ç’fise kaone kanë qenë të banuara.
Skylaksi thotë se kaonët jetonin nëpër katunde. Ky pohim, edhe po të merret në kuptimin që kaonët në atë kohë nuk kishin qytete, përsëri do të thotë se ata e kishin kapërcyer fazën e jetës endacake pas bagëtive dhe kishin kaluar në jetën sedentare, duke u ngulur në qendra banimi. Po ky proces nuk do të ketë ndodhur në të njëjtën kohë në të gjithë territorin e Kaonisë. Malësitë e saj nuk ka dyshim që kanë kaluar në jetesën sedentare më vonë nga zonat e tjera për vetë karakterin e veprimtarisë ekonomike kryesore të tyre. Rritja e dhenve, e dhive, e lopëve dhe e kafshëve të ngarkesës favorizohej nga flora e pasur.
Në pllajën dhe në malet përreth kishte kullota të mira verore për dhen, të cilat dimrit i shtegtonin në viset e ulëta të Kaonisë, në drejtim të Delvinës e Sarandës. Pyjet e pasura me dushk, përrall, shkozë, lajthi etj. përbënin kullota shumë të mira për mbarështimin e dhive, mbajtja e të cilave nuk ka qenë pa pasoja për pyjet e kësaj krahine. Prodhimet blegtorale ata i tregtonin në tërë Epirin, duke i shkëmbyer me drithë, kripë, armë e enë qeramike. Një pjesë të orendive i bënin vetë prej druri. Për t’u veshur e mbathur përdornin rroba të leshta që i përgatitnin vetë, dhe lëkurë bagëtish e kafshësh të egra. Por blegtoria nuk ka qenë veprimtaria e vetme ekonomike e kaonëve. Banorët e bregdetit s’ka dyshim që merreshin me peshkim e tregti dhe e shkonin jetën si lundërtarë. Kurse banorët e fushave pjellore të luginës së Drinos, të Delvinës dhe të Vrinës merreshin me bujqësi. Në këto zona ishin edhe qendrat urbane.
Disa nga qytetet e zhvilluara të Kaonisë
Kaonia kishte qytete të zhvilluara dhe popullsia që jetonte në to, ushtronte zeje që plotësonin nevojat e banorëve të tyre, por edhe të bujqve dhe të blegtorëve. Këto qytete i kanë dhënë tonin jetës ekonomike, politike e kulturore të Kaonisë. Nga këto qytete, më të dëgjuara kanë qenë Finiqi, kryeqyteti i Epirit, dhe Butriniti, kryeqendra kulturore dhe tregtare e tij;kurse në luginën e Drinos Antigoneja, Fanotja (Tepelena) etj. Pas molosëve, kaonët qenë fisi më i madh i Epirit. Teopompi, sipas Strabonit, thotë se këto dy fise kanë qenë “më të famshmit, sepse dikur ata kanë sunduar mbi të gjithë Epirin –kaonët në fillim dhe pastaj molosët”. Tuqididi thekson se, nga fqinjët e tyre epirotë dhe helenë, kaonët “numëroheshin si popullsia më luftarake”. Në fushatat luftarake ata kishin një taktikë të veçantë luftimi dhe ishin të papërmbajtshëm në sulm. Ata zbrisnin në fushën e luftës me klithma e shpejtësi rrufeje dhe, pasi e shpartallonin armikun e hutuar, ktheheshin në male të ngarkuar me plaçkë. Ashtu si fiset e tjera epirote, qysh nga shekulli V p.K., kaonët dalin të bashkuar në një koinon, një lidhje politike e disa fiseve me kufij dhe tradita të përbashkëta. Autorët e vjetër grekë vënë në dukje se kaonët “qeverisen pa mbretër”, që do të thotë se ata nuk e njihnin pushtetin e mbretit, po qeveriseshin nga dy funksionarë të zgjedhur, që quheshin prostatë. Kështu, në vitin 429 p.K., sipas Tuqididit, në krye të tyre “ishin si prostate për një vit Foti e Nikanori, që rridhnin nga fisi i parë”, dmth. nga familjet e larta të fisit që kryesonte koinonin.
Me kalimin e kohës, forma e qeverisjes u reformua, veçse jo drejt përqendrimit të pushtetit në sa më pak duar, siç mund të pritej, po duke rritur shkallën e demokracisë. Nga mbishkrimet e zbuluara në rajon del se në shek. II p.K. në Kaoni, si më parë, qenë dy funksionarë që zgjidheshin çdo vit: strategu dhe prostati, secili me kompetenca të caktuara me karakter ushtarak dhe civil. Por këta bashkëqeverisnin me këshillin e bashkësisë, një institucion i ri që Samiu e quan plakoni. Organizimi federativ dhe forma demokratike e qeverisjes u ruajtën në Kaoni për një kohë tepër të gjatë, ato u shuan vetëm pas pushtimit romak të Epirit.
Qysh herët, kaonët dhe fise të tjera më të vogla u përfshinë në një bashkim ushtarak e politik me molosët, që në fillim mori emrin Lidhja Molose, për arsye të rolit udhëheqës që luanin në të mbretërit molosë. Me përfshirjen në gjirin e Lidhjes të Thesprotisë, aty nga mesi i shek. IV p.K., koinoni i molosëve u zëvendësua me aleancën e tri fiseve kryesore të Epirit, që njihet me emrin simahi (lidhje bashkëluftimi). Kjo ishte një lloj federate, ku fiset kishin të drejta të barabarta, përveç që repartet ushtarake të tri fiseve më të mëdha kishin gjithnjë komandantët e tyre edhe kur luftonin në përbërje të Aleancës. Sistemi demokratik i qeverisjes i epirotëve u zëvendësua
me sistemin monarkik në kohën e sundimit të Pirros (307–272 p.K.), po nga fundi i shek. III p.K. krijohet Lidhja Epirote, si një bashkim shtetëror republikan, kryeqytet i së cilës u bë Finiqi. Kaonët dalin të përfshirë në luftëra të brendshme përkrah molosëve, në gjirin e Lidhjes Molose dhe të Lidhjes Epirote ose si aleatë të fiseve fqinje helene, po vetë luftëra nuk del të kenë bërë.
Gjatë mbretërimit të Aleksandër Molosit dhe, sidomos të Pirros, ata kanë marrë pjesë me repartet e veta në ushtrinë epirote, duke luftuar në Sicili, Itali, Greqi e Maqedoni. Pirrua, të cilin Hanibali e rendiste ndër strategët më të mëdhenj të kohës pas Aleksandrit të Maqedonisë, i zgjeroi shumë kufijtë e shtetit të Epirit, duke vënë nën sundimin e tij pjesë të Maqedonisë dhe të Greqisë. Ai organizoi një ushtri të fortë dhe bëri shumë luftëra në gadishullin tonë e madje edhe në Italinë Jugore, ku u ndesh me ushtritë e Romës. Në periudhën 280–275 p.K., Pirrua bëri tri beteja me ushtrinë romake, duke marrë anën e qytetarëve të Tarentit dhe të Sicilisë. Në këto beteja, molosët, kaonët e thesprotët qenë në qendër të rreshtimit luftarak, aty ku pritej goditja kryesore e armikut.
Në betejën e tretë, të zhvilluar në vitin 275 p.K., romakët e thyen dhe e detyruan të largohej nga Italia. Po Pirrua nuk hoqi dorë nga fushatat pushtuese, duke iu drejtuar këtë here Maqedonisë dhe Peloponezit, derisa në luftimet e vitit 272 p.K. u vra në rrugët e Argosit të Peloponezit nga një grua së cilës i kishte vrarë të birin. Siç thotë Samiu, veç famës së madhe që fitoi, duke mundur romakët, grekët dhe kartagjenasit, nga këto fitore të Pirros Epiri nuk pati ndonjë përfitim. Pas vdekjes së tij, shteti i Epirit u zhyt në luftëra të brendshme vëllavrasëse, që e dobësuan shumë. Veç kësaj, tokat e tij u shkelën e u bënë shesh lufte midis ushtrive romake e maqedone, të cilat e grabitën dhe e shkretuan. Sikur të mos mjaftonin këto, më 230 p.K., ushtritë e mbretëreshës Teuta sulmuan nga deti e toka dhe pushtuan Finiqin, kryeqendrën e Epirit, duke shkretuar dhe grabitur gjithë vendin.
Përkatësia ilire e kaonëve
Përkundër mëtimeve të historianëve grekë të kohëve të reja se Epiri ka qenë pjesë e Greqisë, dëshmi të shumta tregojnë se Epiri ishte krahinë e Ilirisë dhe epirotët fise ilire. Këtë e mbështetin, së pari, shkrimet e dijetarëve të Greqisë së lashtë. Tuqididi në çdo rast bën dallimin midis helenëve dhe fiseve epirote, që i quan “barbarë”, emër me të cilin grekët e vjetër thërritnin fiset johelene. Kështu, kur përshkruan Luftën e Peloponezit më 429 p.K., ai thotë se me ambraksait “nga barbarët ishin një mijë kaonë”, bashkë me një trupë thesprotësh dhe molosësh, dhe se “në qendër të ushtrisë ecnin kaonët dhe barbarët e tjerë”. Sipas Strabonit, Efori, autor grek i shek IV para Krishtit, thotë se, “po të nisim nga pjesët perëndimore (të Greqisë–R.M), Akarnania është fillimi i Greqisë; sepse, shton ai, Akarnania është e para që kufizohet me fiset epirote”.
Skymni, gjeograf grek i shek III–II para Krishtit, duke folur për popullsitë e brigjeve të Adriatikut e të Jonit, thotë se pas Apollonisë “vijnë popullsitë e thesprotëve dhe të kaonëve,barbarë të cilët nuk zënë shumë vend”. Dy shekuj më vonë, sipas Strabonit, “… pjesët mbi Akarnaninë dhe Etolinë (mbahen)nga thesprotët, kasiopët, amfilokët, molosët dhe atamanët – fise epirote”. Edhe më me vlerë është pohimi tjetër i Strabonit lidhur me fiset ilire, epirote dhe maqedonase. Duke folur për lidhjet e Ilirisë dhe të Epirit me Maqedoninë, ai shkruan: “Disa shkojnë aq larg, sa ta quajnë Maqedoni gjithë vendin deri në Korfuz, duke sjellë në të njëjtën kohë si arsye që nga mënyra se si i presin flokët, nga gjuha, guna e shkurtër dhe gjëra të tjera të këtij lloji, zakonet e banorëve janë të njëjta (dmth. me ato të maqedonasve), megjithëse, shtojnë ata, disa i flasin të dyja gjuhët.”
Përbërja etnike e Epirit kishte mbetur e pandryshuar edhe në shek VI pas Krishtit, po të mbështetemi në pohimin e Stefan Bizantinit, i cili në leksikonin e tij gjeografik atamanët, që zinin skajin më jugor të Epirit, i quan ilirë. Dëshmive të mësipërme u shtohen edhe prova të tjera të sjella nga studiues të huaj dhe shqiptarë për karakterin ilir të fiseve epirote, siç janë gjetjet arkeologjike, gjuha, zakonet, veshjet, emrat e vendeve e të njerëzve etj. Nga fusha e veshjeve, ndër elementet e sotme me prejardhje ilire janë: linja, këmishë në formën e dalmatikës antike; brezi, të cilin autorët romakë e gjejnë tek ilirët; guna, llabania etj. Zhapat prej lëkure gjedhi, të cilat përdoreshin në Labëri deri në agim të shek. XX, janë një tjetër element me prejardhje ilire.
Etnografët shqiptarë kanë vërejtur se disa objekte nga Labëria, si dhe motivet e zbukurimet në to përkojnë me kulturën e vjetër ilire. Kështu, zbukurimet me rrathë koncentrikë, diej, rombe dhe vija paralele e të kryqëzuara, si ato të furkës së leshit të Kurveleshit, ngjajnë me motivet gjeometrike të ilirëve. Më në fund, përkatësinë ilire të fiseve epirote e dëshmojnë edhe të dhënat nga fusha e onomastikës. N.Hamondi, duke marrë në shqyrtim prapashtesat e emrave të fiseve, tregon se shumica e emrave etnikë të Epirit nuk lidhen me Greqinë, po me Ilirinë. Kështu, emrat me prapashtesën –anes (arktanes, atintanes) lidhen me enkeleanes dhe agrianes më në veri, po dhe me euritanes dhe kefalanes në jug; etnonimet më -īni (elini, kestrini, amantini) lidhen me emrat ilirë parthini, kaloecini etj. të luginës së sipërme të Shkumbinit; ata më –ōpi (kasopi, kar(i)opi) dhe më -i (amymni, kartoni, onoperni, parori etj.) janë të rrallë; ato me -esti ose -estae (enkesti, peucesti, orestae, ethnestae) janë si te lyncestae, dmth. Karakteristike për emrat ilirë të vendeve; nuk gjenden gjetkë as etnonimet më -aebi (prasaebi, peraebi) dhe më -ales (omfales, peiales).
Nga gjithë emrat etnikë të Epirit, vetëm ata më -aei, -ii dhe-ones gjenden edhe përtej kufijve të botës ilirike. Nuk janë me prejardhje greke emra lumenjsh, si aeas (Hekateu)/aous për Vjosën,Chelydnus për Shushicën, Drilon për Drinon, Thyamis për lumin Kallama etj.; emra malesh, si Aerop, Asnau, Merop, Tomar (Tmar) etj.; emra ishujsh e qytetesh, si Dodona, Gitana për Delvinën, Sybota (grup ishujsh),Ephyra (qytet thesprot), Codrion etj.
Po ashtu, edhe shumë emra vetjakë, që dalin te autorët e lashtë grekë dhe romakë apo të zbuluar në mbishkrimet, janë të fondit iliro-epirot. Në mbishkrimet e zbuluara në Dodonë, dalin rreth 50 emra me prejardhje ilire, kurse në amfiteatrin e Butrintit 40 të tjerë. Të tillë janë Admet (në Finiq Admat)Amynta, Annia, Apoita, Artemo(n), Dasos, Falakr, Nona, Genth etj. Këtyre mund t’u shtojmë edhe emra të tjerë të Butrintit,si: Ammia (në Durrës Ammiha, te dardanët Amma), Leida (në Durrës Laida), Derdas (edhe në Dodonë dhe në Maqedoni). Te autorët antikë gjejmë edhe një mori emrash të tjerë, si: Alket, Hyll, Pirro, Roksana, Brikena, Gelon, Karop, Harop, Makata, Likon, Menon, Deina, Adma(tos), Paroron etj., të cilët gjithashtu nuk mund të jenë kurrsesi grekë.
Pra, të dhënat e onomastikës së Epirit, që ende nuk janë analizuar plotësisht nga gjuhëtarët dhe historianët tanë, shërbejnë si një provë tjetër që trevat e tij kanë qenë banuar nga fise ilire. Në kohët e mugëta para Homerit e Hesiodit, mund të ketë pasur lëvizje nga jugu i Gadishullit Ballkanik drejt veriut të tij, po asnjë prej autorëve të lashtë nuk flet për koloni greke në trevat e Epirit. Edhe po të ketë pasur në këto treva një substrat helen apo koloni greke të shek. XI–VIII p.K., sikundër përpiqet të provojë Hamondi, ky substrat nuk kish si të mos asimilohej nga elementi vendës qysh herët, ashtu siç u asimilua në kolonitë e tjera të bregdetit ilir. Po të kishte gjurmë të tilla, kjo nuk do t’u kishte shpëtuar pa vënë re autorëve të lashtë grekë. Kurse gjatë periudhës historike nga Hekateu e deri te Stefan Bizantini, asnjë prej dijetarëve grekë dhe romakë nuk bën fjalë për dyndje popujsh në Epir.
Straboni, prej të cilit kemi përshkrimin më të hollësishëm të Epirit, kur flet për Butrintin, thotë se në të “ka banorë të huaj, që janë romake”. Po të kishte vendbanime helene ose banorë helenë në qytetet e Epirit, ai nuk do t’i linte pa i përmendur, duke ditur që këtë gjë e bën rregullisht për qytetet jashtë Greqisë që banoheshin nga helenët. Të gjitha sa u thanë më lart, provojnë katërcipërisht se përkatësia etnike e Epirit, të paktën për periudhën nga shek. VI p.K. deri në shek. VI të erës së re, ka mbetur e pandryshuar, ilire.
Gazeta Shqiptarja.com.