7 Gusht 2024

Nga: Elmas Bogdani

Zgjedhjet e të dielës për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës thuhet se i dhanë fund një sage thuajse 15 mujore që lëkundi politikën jo vetëm brenda vendit, por rriti tensionet edhe mes diplomacive të Shqipërisë e Greqisë. Por fituesi i këtyre zgjedhjeve nuk garanton siguri të plotë pasi ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Fitorja e Vangjel Tavos me një diferencë prej 1477 vota diferencë kundrejt rivalit të koalicionit “Bashkë Fitojmë’ të Berisha-Meta, Petro Gjikuria mund të përfundojë shumë e hidhur. Sytë janë te SPAK dhe dosja ku del emri i Tavos po hetohet deri në rrënjë. Prokurorët gjithë këtë kohë kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me amerikanët. Këta të fundit kanë sjellë dokumente e prova “përvëluese” që fundosin pushtetarë të lartë me akuzën e pastrimit të parave. Kujtojmë se Tavo u thirr në SPAK në datën 5 qershor 2024 për të dhënë llogari.

Hetimi i SPAK

Në dosjen që ka SPAK po hetohet Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis, administrator i kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro, përfshirë në skemën e lobimit në vitin 2017, për llogari të Metës dhe LSI, me para të padeklaruara. Si fakt në dosjen e Metës referohet një kontratë e kompanisë McKeon Group me LSI-në dhe Ilir Metën, e datës 6 janar të vitit 2017, kohë gjatë të cilës Meta ishte ende kryetar i LSI-së. Kontrata kishte si objekt lobimin në SHBA për pjesëmarrjen e Metës në inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017, planifikimin e takimeve të Metës me liderë në Uashington përgjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe speciale me administratën e ardhshme dhe Kongresin. Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon është 90 mijë USD. Personi i autorizuar për të lidhur kontratën dhe për të përfaqësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën me shoqërinë McKeon Group është Iraklis T. Fidetzis, një personazh i dyshimtë që del në pah në disa kontrata të tjera lobuese, me vlerë qindra mijëra USD, gjithashtu të padeklaruara në Shqipëri. Kontrata nuk qartëson mënyrën e transferimit të parave, por nuk ka asnjë dyshime se paratë janë shpenzuar, por që nuk janë deklaruar nga LSI-ja në shpenzimet vjetore në KQZ dhe as Meta në deklaratën e pasurisë të vitit 2017. Është pikërisht ky fakt, pra fshehja e shpenzimeve me para që nuk u dihet burimi, që rrezikon Ilir Metën jo vetëm të merret i pandehur, por edhe që mund të arrestohet. Deri më tani, Ilir Meta as nuk ka denjuar për të sajuar një alibi se pse nuk i ka deklaruar paratë e shpenzuara për lobim as në KQZ dhe as në ILDKPKI, siç e parashikon ligji sipas rastit!

Meta del zbuluar

Kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet që ato bëjnë në ëebsite-in e (FARA). FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri. Detyrimi i kompanive lobuese është vetëm të deklarojnë të ardhurat që i vijnë, por logjikisht jo sesi janë përftuar këto të ardhura nga kontraktuesi. Kompania McKeon Group i ka deklaruar kontratat me LSI-në dhe Ilir Metën në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Uashington. Ky fakt vërteton edhe një herë shpenzimin e bërë nga Ilir Meta, të cilin e ka fshehur në Shqipëri.
Roli i Vangjel Tavos dhe si i bëri “gropën” Meta

Personi që ka lidhur Ilir Metën me administratorin e kompanisë offshore Dorelita Limited, Iraklis T. Fidetzis është Vangjel Tavo, ish deputet i LSI-së. Roli i Tavos është konfirmuar nga vetë LSI-ja gjatë një reagimi për gazetën amerikane Mother Jones, e cila në 25 Prill 2018 publikoi një artikull për lobimet e LSI-së në SHBA. “LSI mohon çdo lidhje me Dorelitën. Një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte me kompaninë dhe zero njohuri për” kompaninë. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i shquar i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15,000 dollarësh nga LSI për McKeon Group…”, thuhet në artikull. Pra Meta i “lau duart” publikisht me Tavon duke thënë se Mother Jones për një gjë të tillë duhet të pyesë veten Tavon nëse ka qenë për vizitë private në atë periudhë. Por në SPAK, informacionet e tij kanë qenë Meta dhe Kryemadhi shitën njëri-tjetrin në SPAK dhe për Vangjel Tavon, i cili madje dhe i tradhtoi duke u bashkuar me Edi Ramën nuk mendohen dy herë për ta bërë “kurban” vetëm që të shpëtojnë lëkurën e tyre. Në këtë rast përsëritet rasti i Lefter Kokës. Edhe ky ishte me Metën për shumë vite bashkëpunëtor si Tavo. Në fund ai kaloi me Ramën, madje fitoi dhe mandat deputeti, por tashmë vuan burgun për aferën e Inceneratorëve. Tavo mund ta lërë sërish pa drejtues bashkinë e Himarës dhe nxit edhe njëherë përlasjet politike, të cilat do të jenë më të forta nëse fundoset kryebashkiaku socialist.

Si nisën sherret në Himarë?

Zanafilla e përplasjes është në datën 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve vendore, kur Fredi Beleri, asokohe kandidat i opozitës nën koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës u arrestua në flagrancë në lokalin e tij në mesnatë teksa bënte pazare për blerje votash. Zgjedhjet e 14 majit në Himarë, u zhvilluan në një klimë të pazakontë: Mes një kandidati në burg dhe Jorgo Goros, që mbante postin e kryebashkiakut aktual. Përpos akuzave të opozitës se arrestimi i kandidatit të saj Fredi Belerit ishte politik dhe i urdhëruar drejtpërdrejtë nga Edi Rama, procesi zgjedhor shkoi i qetë dhe himariotët votuan. Nga 22 mijë e 833 votues, votuan 7821 qytetarë, ndërsa me vetëm 19 vota më shumë se rivali i tij, Fredi Beleri u shpall nga burgu fitues i zgjedhjeve. Por gëzimi i fitores zgjati pak, e Fredi Beleri në mesin e një beteje ligjore për të shpallur veten të pafajshëm, kërkoi disa herë leje për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës, leje që sa herë kërkohej, refuzohej nga autoritetet për shkak të vakumit ligjor.

Në mungesë të betimit të Fredi Belerit, Bashkia vijoi të drejtohej nga Jorgo Goro edhe për disa muaj, derisa më 23 mars, me urdhër të SPAK u arrestua edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës. Arrestimi edhe pas një denoncimi që Fredi Beleri kishte bërë nga burgu për pronat e Himarës dhe rolin e kryebashkiakut për privatizimin e tyre në funksion të dhënies investitorëve strategjikë. Beteja politike tashmë ishte zhvendosur në dyert e SPAK, ku të dy kryebashkiakët luftonin për liri. Me vënien në pranga edhe të kryebashkiakut në detyrë, drejtimi i Bashkisë i kaloi përkohësisht Blerina Balës. Emërimi i saj më 29 mars të 2024 nga Këshilli Bashkiak u shoqërua me tensione të forta, ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit të pranishëm në sallë, tentuan të përplaseshin edhe me Vangjel Tavon, që sapo ishte emëruar prefekt i Qarkut Vlorë. Caktimi i Balës si kryetare e komanduar nuk do t’i jepte fund ngërçit të drejtimit të Bashkisë së Himarës. Vetëm pak javë pas komandimit, ajo lajmëroi dorëheqjen dhe prej 7 Qershorit Bashkia drejtohet nga nënkryetari Arqile Bollano.

Zgjidhja e ngërçit të drejtimit të Himarës nisi të merrte jetë, pasi në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në vend: Strukturës së Posaçme anti-korrupsion u dha vendimi përfundimtar për Fredi Belerin: Apeli i GJKKO vendosi të dënojë me 2 vite burg Belerin për korrupsion aktiv në zgjedhje, vepër penale që ndalonte Belerin të ushtronte detyrën e funksionarit publik. Ky vendim i hapi rrugë zgjedhjeve te reja në Himarë.

Gazeta Sot