Histori tragjike të 2 vëllezërve kosovare që lanë pas 6 fëmijë (FOTO)

26/11/2019 – 23:50

Dy vëllezër, shqiptarë të Kosovës janë mes viktimave të tërmetit të sotëm në Durrës. Emrat dhe fotot e tyre i ka publikuar ministri i Jashtëm në largim, Behgjet Pacolli.

Në një postim ne Facebook Pacolli shkruan: “Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social Facebook.

Por Gazeta Ekspress ka shkruar edhe historinë tragjike që ka ndjekur familjen Abazi dhe jep detaje edhe nga jeta e dy të rinjve që sot mbyllën sytë përgjithmonë në rrënojat e një hoteli në Durrës.

SHKRIMI I PLOTË:

Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë. Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit patën fatin e keq dhe mbetën nën gërmadhat e hotelit në Durrës ku po qëndronin pas tërmetit të tmerrshëm i cili e goditi mbrëmë Shqipërinë duke e gjetur kështu vdekjen. Familja Abazi për vite u përcoll nga histori tragjike. Asaj vite më parë iu shua edhe një djalë. Express iu sjellë rrëfimin e dhimbshëm nga Livoçi i Gjilanit.

Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë.

Por e hëna doli të jetë fatale për këta dy vëllezër. Ata njëjtë sikur mijëra shqiptarë të tjerë u goditën mbrëmë rreth orës 04:00 pas mesnate nga një tërmet me magnitudë prej 6.4 shkallë të rihterit duke mbetur kështu nën gërmadhat e hotelit ku po qëndronin.

Për fatin e tyre nuk u ditë asgjë për më shumë se 15 orë. I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29-vjeçar. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini 32-vjeçar.

Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy vëllezërve në fshatin Livoç të Gjilanit. Ata janë të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë.

“Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjeshtë nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllezërve tashmë të ndjerë.

Ata tregojnë se Shemsedini e Isai, kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër tjetri dy.

Familjet e të ndjerëve jetonin në kushte të rënda sociale.

Por kjo familje para shtatë viteve është përballur me një tragjedi tjetër. Djali i tyre ishte therë me thikë në një pishinë ku nga plagët kishte ndërruar jetë. Tash në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë.