Historia e çuditshme e Shën Nikodhimit të Vithkuqit
Foto: Shen Nikodhimi
Nga Aurel Plasari.
Historia e tij e martirizimit, njëherësh me legjendën që e ka veshur, mund të nxirren nga dy jetëshkrime të tij: nga “Shërbesë e të shenjtit martir oshënar Nikodhim të martirizuar në qytetin e Beligradit [Beratit] më 10 korrik 1709, hartuar prej ieromonahut Grigor Voskopojari” (gr.), shtypur në shtypshkronjën e qytetit të Voskopojës më 1742, dhe nga dorëshkrimi “Shërbesë e të shenjtit martir oshënar Nikodhimit të ri” (gr.), që kam pasur rastin ta nxjerr në dritë nga Koleksionet e dorëshkrimeve të BKSh dhe ta prezantoj në një punim të botuar në revistën “Bibliothecae”, nr. 5, Tiranë 2004.
Simbas tyre Shën Nikodhimi quhej Nikollë Dede ose Dalla. Ai punonte rrobaqepës në Berat, ku kishte ardhur nga Vithkuqi.
Vithkuqar e shënon edhe Anthim Aleksudhi, ish-mitropolit i Beratit (“Shkurtore”, 119).
Nikolla qe martuar katër herësh dhe gruan e katërt e kishte marrë muslimane, prandaj edhe vetë u pat kthyer në Islam së toku me familjen.
Për Beratin dhe trevën përreth ishte një periudhë kur kthimi në Islam përparonte me shpejtësi.
Në mbarë Shqipërinë e Jugut dhe Epirin, mes një anarkie pothuajse të egër, zotëronte terrori strukturor kundër besimit të krishterë dhe institucioneve të tij.
U shtohej këtyre edhe padija që kishte nisur të rritej mes popullsisë: “Aq e madhe ishte padija, sa që banorët e mësonin afrimin e Pashkëve të Mëdha nga vezët e kuqe që shiteshin në tregun e Beratit”, ka shënuar për këtë periudhë në “Kronografinë” e tij Aravantinoi.
Po ky kronograf çam ka dhënë edhe raste kur, si në trevën në fjalë edhe gjetiu, ndodhte që banorët e një fshati të tërë ose të një krahine kërkonin me lutje që të bëheshin muslimanë, “si rasti i fshatrave të Beligradit [Beratit] në kohën e Nikodhimit”.
Për t’i shpëtuar kthimit të padëshiruar në Islam djali i madh i Nikollës iku prej shtëpie dhe u strehua në Malin e Shenjtë (Ajonoros).
Kisha e Shen Nikodhimit - Vithkuq.
Kur Nikolla e mori vesh vendstrehimin e tij, u nis edhe ai për në Athos me qëllim që t’ia ndërronte mendjen të birit.
Porse nga çfarë pa, dhe sidomos çfarë përjetoi në atë vend të shenjtë, ndodhi e kundërta: ndërroi mendje ai vetë edhe u pendua për aktin që kishte kryer duke lëshuar besimin e gjysh-stërgjyshërve dhe duke marrë një tjetër.
Në skitin e Shën Anës në Malin e Shenjtë ai u bë murg oshënar duke marrë emrin “Nikodhim” dhe duke bërë pendesën: kaloi tre vjet me agjërim dhe lutje.
Mirëpo parimet e besimit e donin që fajin e bërë botërisht duke braktisur fenë e Krishtit ta pranonte po botërisht.
Kështu vendosi të kthente në Berat, i ndërgjegjshëm se, në atë kohë, lëshimi i Islamit dhe ripërqafimi i krishterimit faqe botës kishte për rrjedhojë dënimin më të rëndë: vdekjen.
Legjenda tregon se kishin përforcuar këtë paraprakisht Shën Mëria, e cila i qe shfaqur një nate duke i ofruar një kupë, kupën e martirizimit, si dhe vetë Jesui, i cili i pati dëftuar përsaktësisht edhe vendin ku do të martirizonte.
I kallëzuar prej fanatikëve të Beratit që e kishin marrë vesh rikthimin e tij në krishterim, në Berat u shpu drejt e para kadiut.
Si nuk ia doli ta bindte që të hiqte dorë nga një akt i tillë, kadiu dha urdhër ta hidhnin nga dritarja e pallatit të tij teposhtë kalasë.
Simbas legjendës Nikodhimi nuk pësoi gjë: ra më këmbë dhe u ngjit së rishti në kala për t’iu paraqitur kadiut.
I befasuar nga kjo ndodhi, kadiu u mat ta lironte, por dha urdhër ta ekzekutonin duke iu druar reagimit të masës fanatike dhe, sidomos, rrezikut që përbënte një shembull i tillë për popullsinë përreth.
Nikodhimi u shpu në vendin e ekzekutimit të cilin, simbas legjendës, ai e njihte: ishte vendi që ia kishte paradëftuar Krishti në njërin nga vegimet.
Aty u krye ekzekutimi me prerje të kokës: më 10 të korrikut 1709, simbas “Shërbesës” së Grigor Voskopojarit. Të krishterët ortodoksë të Beratit paguan shumë për të blerë trupin e tij, i cili u varros në kishën e Shën Mërisë në Mangalem.
Ekzekutimi i “mbrojtësve me çdo kusht” të krishterimit prej autoriteteve osmane-muslimane kryhej në publik për të shërbyer si shembull për ata që, si qenë kthyer një herë në fenë e Muhametit, përqafonin së rishti besimin e të parëve.
Të tilla duket të kenë qenë rreth dymbëdhjetë ekzekutimet e një vargu “dëshmorësh të rinj” në Epirin e Veriut / Shqipërinë e Jugut: duke filluar prej Shën Joanit të Janinës, që martirizoi në Stamboll më 1526, deri te Shën Gjergji i Janinës, i cili martirizoi në Janinë më 1838; ndër ta edhe dy më të njohurit dëshmorë të rinj që martirizuan në Berat: Shën Nikodhimi ynë më 1709 dhe Shën Gjenadi më 1722.
Në mënyrë të përimtuar ata i ka përshkruar, për shembull, Gjergjiu-Athanas Ikonomu në monografinë “Shenjtorët e Epirit” (Janinë 1935).
Nga ana tjetër, përkujdesja dhe përnderimi i relikteve të tyre, si dhe ruajtja e kujtesës së tyre brez mbas brezi janë tregues të efektit të përkundërt që duket të kenë bërë në popullsinë e krishterë ekzekutime të atilla publike.
Edhe përnderimi i Nikodhimit të Beratit si shenjtor duket të ketë filluar qysh herët.
Figura e tij u përhap në mbarë rajonin ortodoks Shqipëri e Jugut / Maqedoni / Epir, por edhe më tej.
Në Voskopojë ajo ndodhej e pikturuar në një afresk, tanimë të prishur, të aneksit të kishës së Fjetjes së Shën Mërisë.
Nga ana tjetër, piktori në zë voskopjar Theodhor Grundo (Gruntović) e pikturoi atë edhe jashtë Ballkanit, sikurse e ka regjistruar studiues i artit bizantin vetan Grozdanov (“Portrete”, Skoplje 1983).
Në Vithkuq portreti i Shën Nikodhimit shfaqet në kishën e Shën Kozmait dhe Damianit, të manastirit të Apostujve, përbri Shën Naumit.
Ai del edhe në ikonografinë e Ohrit, në një afresk të kishës së manastirit të Shën Naumit.
Portreti i është përfshirë në “Stematografinë” e tjetrit voskopojar të famshëm, Hristofor Zhefarit (Žefarović) po përbri Shën Naumit, sikurse është gjendur i pikturuar në afreske e ikona të Malit të Shenjtë (manastiret Hilandar, Kseropotamu etj.), në Sofje të Bullgarisë, në disa kisha ortodokse jounite të Hungarisë etj.
Posaçërisht në trevën e Beratit kulti i tij ka qenë dhe ka mbetur i gjallë.
Në kishën e Shën Mërisë në Mangalem përgjatë tre shekujsh venin besimtarë që u faleshin relikteve të tij, të cilat mbaheshin mrekullibërse, deri në kohën e pushtimit italian kur, me shkasin e sistemimit të rrugës, kisha e Shën Mërisë u prish.
Fati i relikteve të tij nuk u mor vesh. Dhimitër Beduli ka treguar që, kur ndodhej në Berat më 1992 me rastin e zgjedhjeve kishtare, një besimtar plak e informoi se kishte ruajtur në shtëpinë e vet kokën e Shën Nikodhimit.