Historia e Kryepikturistit që Saldoi dhe Bëri Njësh Timonin me Tepsinë. –
Historia e Kryepikturistit që Saldoi dhe Bëri Njësh Timonin me Tepsinë. –
31 dhjetor 2018
Gazeta Dita
Ka realizuar një arritje sa teknologjike, aq dhe politiko-sociale kryepersonazhi shqiptar që lëvdohet se nuk ka asnjë titull të tepërt shkencor mbi diplomën e shkollës së naltë.
Është fjala për kryepikturistin Edi Rama, që sipas revistës Science, ka rritur të bashkojë me një goditje të vetme, me një akt, me një gjest të mirëmenduar dhe gjenial, tepsinë me timonin.
“Është e vërtetë, timoni dhe tepsia janë të dyja të rrumbullakëta,” thotë artikulli i nënshkruar nga autori i njohur amerikan Uot Dhëfak, “por të përbashkëtat e tyre mbarojnë këtu.
Siç dihet, timoni shërben për t’i dhënë drejtimin e duhur një mjeti lëvizës që të mos dalë nga rruga dhe të marrë udhën e qoftëlargut.
Ndërsa tepsia është një objekt më romantik, më idilik, më stomakor, më i ngeshëm dhe lozonjar. Ajo është simbol i gatesave të mira, i recetave tradicionale që ta çojnë gojën lëng të gjysheve e nënave, që njeriu instiktivisht i do të gjitha për vete dhe xhelozohet tmerrësisht nëse i duhet t’i ndajë me njeri.
Në rastin e gjeniut socio-politiko-teknologjik Edi Rama, tepsia për të cilën ai ka folur kaq e kaq herë, përmban gatesat më të shijshme të nënës Shqipëri, që kryepikturisti shqiptar e do aq shumë dhe dëshiron t’ja hajë çfarë ka nxjerrë dora e saj, deri në kafshatën e fundit”.
Siç tashmë ka hyrë në analet e historisë dhe parodisë, Rama i dha një shkundje të mirë politikës shqiptare dhe sidomos partisë së vet, duke iu përgjigjur protestave të studentëve dhe shumë shtresave të tjera pabukse dhe patepsi.
Ai hoqi me një të rënë të shpatës së tij të pamëshirshme tetë ministra që forca të errëta dhe zhytura në poshtërsi e ves, i kishin lënë në detyrë për 5 vjet rresht, dhe i zëvendësoi me tetë emra të tjerë, të cilët i gjeti në kalendarin e ndërlikuar të horoskopit të aktiviteteve të tij noturne.
Fjala bie, një ministre e gjeti rastësisht, kur njëherë shkoi të blejë perde, poture, çentro dhe disa palë pupa leshi, dhe në dyqan i shërbeu një shegerte e mirkë, e lezetshme që s’i ndihej zani gojs.
“Kët gocën do ta morim partizone,” tha kryepikturisti me vete, teksa i mbajti shënim emrin, emailin dhe instagramin.
Një ministër tjetër e gjeti kur i thanë për një djalë që fliste pesë gjuhë të huaja që në fillore.
“Ky qenka për kryediplomat,” tha i Plotfuqishmi me vete, “qenka i paparë. Një zot e di si mund t’i mbajë pesë copë në atë gojë të vogël, shejtani”.
Kështu me rradhë, njerëz që rrjedha e jetës ia solli përpara Ramës diku në kafene, në plazh, te kasapi i lagjes, te hamami i Surrelit apo në kursin e vizatimit, janë tashmë yjet e konstelacionit qeveritar që do t’i sjellë atij mandatën e tretë, pasi dy mandatat e para ai ua bëri dhuratë shqiptarëve.
Aq shumë e magjepsi protesta e studentëve, saqë ua propozoi hapur të rinjve:
“Shiko, ju nuk dini të protestoni, keq më vjen por po e çoni për lesh kaq protestë të bukur! Të isha në vend tuaj do kisha bo namin plako! Do i kisha tundur dhëmbët ksaj qeverie qelpsinë!”
Dhe vazhdoi: “Çfarë doni ju, doni një ministër nga rradhët tuaja? Apo doni të heq Gramoz Ruçin nga PS, ta çoj në ndonjë parti tjetër? Flisni, ta rrahim hekurin sa është i nxehtë, se këta socialistët e fëlliqur nuk e kanë të gjatë!”
Gjithsesi, në fund Kryepikturisti vendosi të rrahë Braçen, meqë ai është gjithnjë i nxehtë. E mori Erjonin, e spërkati me pak Ridvanbod sa për shije dhe i tha:
“O bëneç krahu im i djathtë, mo gaz! Hë, si thua mo!”
Braçe e kishte edhe vizualisht të pamundur ta imagjinonte veten si dora e djathtë e Ramës, ndaj i tha me zë të dridhur:
“Shef, unë deri aty lart te krahu nuk arrij dot…”
“Nuk ka gjë,” ja preu i Plotfuqishmi, “do gjejmë ndonjë gjë të djathtë tjetër, deri aty ku arrin. Do kullandrisemi”.
Qershia mbi tortë ishte Laja e PS-së, ndryshe Elisa në Botën e Spiropalit. E mori telefon Elisën në telefon dhe i tha shkurt, “ngjo, po bëj ca ndryshime. Do të vish?”
“Ku o Skënderbe, në doganë?” u hodh përpjetë nga gëzimi ajo.
“Avash avash, se mo këput mish,” ja ktheu Mëshirëploti, “doganave u bie të fikët kur dëgjojnë emrin tënd, po unë them për ministre, të rregullosh marrëdhëniet me parlamentin”.
Në fakt, thonë Gojët e Liga, që kur në parlament kishin mbetur vetëm deputetë socialistë, marrëdhëniet e qeverisë socialiste me parlamentin ishin keqësuar dukshëm. Kreu i qeverisë socialiste kishte çuar kaq herë njerëz për t’i kërkuar takim kryetarit të PS-së, por ky kthente përgjigje, “i thoni kryeministrit të më rruajë Braçen e djathtë, se të majtin e kam për vete”.
Elisa, që e dinte këtë muhabet, pyeti me kompetencë:
“E bëj unë shef, pa merak. Por me cilin Braçe duhet të merrem?”
“Me të dy,” i tha Rama, “se ti je kuadro me kapacitet”.
Kështu, me formatimin final të qeverisë së re dhe saldimin e plotë të timonit me tepsinë, kryeshpikësi që ngjalli admirimin dhe cmirën e Bill Gejtsit, Elon Maskut dhe Xhef Bezos njëherësh, tani e ka më kollaj:
Sa herë që do modifikojë drejtimin e qeverisë, rrotullon tepsinë. Sa herë e ka gojën helm dhe ja do mideja diçka të ëmbël, zgjat dorën dhe kap ndonjë llokmë të vogël ppp-je apo konçesioni te timoni… Apo e anasjellta?
E ç’rëndësi ka kjo more shokë dhe zotërinj. Tani ato janë e njëjta gjë. Bile mësohet se këto terma janë bërë ekuivalente dhe të këmbyeshme edhe në tregun e valutës, sidomos pas rënies së pashpjegueshme të euros që nuk dihet se ç’mushkonjë Divjake vazhdon ta mundojë.
Fjala vjen, në manualet e kurseve të patentës, tani gjen rëndom të shkruhet, “tepsia mbahet me të dyja duart”, ose “rrotullojeni tepsinë në 90 gradë dhe shikoni te pasqyra”. Ndërsa për Vit të Ri, në furrat e bukës dëgjoje kërkesa të tipit, “kam një timon të vogël me një pulë fshati, a ta sjell?”
E reja më e freskët, si për inat të Lajes, dmth të Çudirave të Elizës në botën e PS-së, erdhi pikërisht nga doganat: Ka mundësi që vitin e ardhshëm të ndalohet importi i makinave me tepsi angleze!!!!
*****
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që ju uron seriozisht gëzuar 2019!