Historia e një dorëshkrimi misterioz.,-
Historia e një dorëshkrimi misterioz. –
Ishte viti 1912 kur koleksionisti dhe shitësi amerikan i librave Guilfrid Vonic ndodhej në Itali për punët e tij. Konkretisht vizitoi vilën Mantragone në Fraskati, në një krahinë pranë Romës, me qëllim që të blinte një koleksion dorëshkrimesh të rralla. Ndërmjet dorëshkrimeve të tjera vuri re edhe një dorëshkrim që i bëri përshtypje të madhe.
Nga bukurshkrimi, nga skicat, dhe nga lloji i papirusit, duhet të datonte fundin e shekullit XIII. E veçanta e këtij dorëshkrimi, që i kalonte të 200 faqet, ishte se ai ishte shkruar me një shkrim të panjohur, që nuk ngjante me asnjë tjetër në botë, ndërkohë që ishte i pasuruar me figura të ndryshme me ngjyra.
Voinici që në momentin kur e zbuloi iu vu punës për ta deshifruar. Prandaj bëri disa fotokopje dhe i dërgoi tek specialistët në mënyrë që të mësonte përmbajtjen e tyre. Por për fat të keq, kjo nuk u bë e mundur. Përfundimisht në vitin 1961 dorëshkrimi u ble nga një koleksionist tjetër amerikan, H. P. Kraus me një vleftë prej 24.500 dollarësh, i cili më vonë e ngriti vlerën në 160.000 dollarë por askush nuk e mori me këtë çmim.
Më vonë, në vitin 1969 ama, ai ia dhuroi Universitetit të Yale, SHBA dhe sot dorëshkrimi gjendet në Bibliotekën e Librave të Rralla, Bejneke me numër regjistri MS 408. Origjina e dorëshkrimit deri më sot akoma mbetet një mister. Shkencëtarët specialistë thonë se duhet të jetë me origjinë Europiane, bile disa vlerësojnë se duhet të jetë shkruar ndërmjet shekujve XV-XVII.
Është vërtetuar historikisht se ai është blerë nga perandori i Bohemisë Rudol Bae (1552-1612) të cilit i pëlqenin lodrat e zgjuara, enigmat dhe muzika, si dhe shkrimet apokrifiste .Në atë kohë ishte përhapur legjenda e ekzistencës së vëllazërisë së rodostavrëve dhe dikush u paraqit si anëtar i saj dhe shiti këtë dorëshkrim misterioz për 300 dukate të arta që sot janë të barasvlershme me 14.000 dollarë, një sasi kjo shumë e madhe për atë kohë.
Dorëshkrimi shoqërohej me një shënim ku thuhej se ishte vepër e të famshmit Roxher Bekon.
Në vazhdim ky dorëshkrim kaloi në duart e Johanes Markit, që duket se kishte dijeni për ekzistencën e tij para vitit 1644. Ai në vitin 1666 e dërgoi dorëshkrimin në romë tek kleriku dhe studiuesi jezuit A. Kirher dhe e shoqëroi me një letër për informacionet që kishte për të. Kirheri gjithashtu ishte në dijeni për ekzistencën e këtij dorëshkrimi sepse kishte korrespondencë me pronarin e mëparshëm të tij. Që nga viti 1666 kur kaloi në Dorën e Kirherit, deri në vitin 1912 kur e zbuloi Voinici, nuk dihej asgjë për këtë dorëshkrim.
Ndoshta mund të jetë harruar në raftin e ndonjë biblioteke pas vdekjes së jezuitit të shquar dhe më vonë kaloi në vilën Montragone që deri vonë, në vitin 1953 funksiononte si një Kolegj jezuitësh.Ky dorëshkrim ka përmasa të vogla 26×18 cm. Është shkruar në një gjuhë të panjohur. Mendohet për një shkrim alfabetik me shkronja të alternuara ndërmjet shkronjave 19 dhe 28. Asnjë nga këto shkronja nuk ka lidhje me ndonjë sistem europian. Mund të jetë përzier nga dy gjuhë të ndryshme.
Përmbajtja ndahet në kapituj dhe është pajisur me figura dhe skica me ngjyra, të cilat janë të çuditshme dhe misterioze. Mendohet se është një libër i koduar alkimie dhe sipas figurave thuhet se përmban: a) Informacione astrologjike sepse ka shenja zodiakale të rrethuara nga njerëz nudo dhe harta me trupa qiellorë.
- b) Elementë biologjie, skica anatomie, skica grash mikroskopike brenda nëpër banjo. c) Informacione kozmologjike me rrathë, dhe sfera qiellore. d) Të dhëna botanike duke paraqitur bimë të panjohura fantastike. Kjo pjesë e shkruar në dy gjuhë të ndryshme. e) Të dhëna farmaceutike, sepse paraqiten vazo të vogla, pjesë bimësh dhe disa si lloj recetash.Arkeo-kriptografë të specializuar dhe me përvojë e morën disa përsipër deshifrimin e tij, por deri më sot ai nuk u realizua.
Megjithatë të gjithë arritën në disa konkluzione bazë. I pari, gjuha është e sajuar, dhe i dyti, teksti është i koduar.Të gjitha kodet e shkrimit në Europë e kanë origjinën nga vepra stenografike e Johan Trithemit, një peshkop alkimist që u morr dhe shkroi për deshifrimin e mesazheve sekrete. Ai dispononte një numër të caktuar metodash kodimi prandaj edhe kodimet mes materialeve ushtarake, alkimike, fetare dhe politike, bazoheshin tek metodat e tij.
Një tentativë serioze për deshifrimin e këtij dorëshkrimi u bë nga dr. Lio Levitov, shkrimtari i librit „Zgjidhja e dorëshkrimit Voinic“. Sipas tij është fjala për një dokument të vetëm që ka shpëtuar nga Sekti i Katartistëve dhe që u shfaq në Itali, por që u zhduk plotësisht gjatë kryqëzatës së vitit 1230. Ai jep edhe disa shpjegime lidhur me figurat e bimëve fantastike që mendon se kanë lidhje me Isidën e Egjiptit. Veç kësaj mendon se vështirësia e deshifrimit të dorëshkrimit qëndron në faktin se nuk është i koduar, por i shkruar me një shkrim të veçantë, një përzierje e gjuhëve të vjetra gjermane e franceze.
Natyrisht ka dhe të tjerë që nuk janë dakord me mendimet e Levitovit, si për shembull Denis Stalings.Pra deri tani nuk ka ndonjë shpjegim të pranueshëm për dorëshkrimin duke vënë në punë edhe kompjuterat elektronikë për të arritur ndonjë rezultat. E vetmja gjë që u arrit ishte që misteri të bëhej më i errët.Fillimisht u konstatua se ishte fjala për dy gjuhë, apo dy dialekte të përdorura. Në vazhdim u studiua përsëritja e fjalëve duke treguar se ato nuk ishin përzgjedhur rastësisht, bile edhe kur përsëriteshin, pra duhet të ekzistojnë një kod.
Shumë njerëz mendojnë se nëse përfundimisht do të thyhet kodi i dorëshkrimit, do të zbulohet sekreti i transformimit të metaleve në ar. Të tjerë sajojnë skenarë jashtëtokësore për shfaqjen e një gjuhe me origjinë të huaj.Studiuesit seriozë i janë përkushtuar deshifrimit dhe po mundohen të zbulojnë njohuri dhe dije të fshehta që në të ardhmen mund të përdoren për përparimin e njerëzimit.
Nga Moikom Zeqo
Botuar në DITA