Historia e një vazoje të rrallë prej argjendi zbuluar në Durrës në 1906.
Historia e një vazoje të rrallë prej argjendi zbuluar në Durrës në 1906.
10 maji 2020
Nga Moikom Zeqo
Nuk mund të kuptohet mesjeta shqiptare pa antikitetin e vonë ilir, ashtu si nuk mund të kuptohet një pemë nëse e konceptojmë që rrënjët e saj mund të qëndronin në ajër dhe jo në dhe.
Antikiteti i vonë është një shtatzani e hatashme, që bota e lashtë që vdes, duke vdekur lind një shëmbëlltyrë të re, që humb tipare të së vjetrës dhe fiton tipare të reja. Ky proces i dyzuar lidhet me krishtërimin e hershëm, një krishtërim pasionant, i ndërlikuar, i dëpërtuar nga rryma heretike, rivale dhe shkatërruese, me një protoplazmë pagane të pashlyeshme, me një botëkuptim të ri revolucionar, horizont`hapës, shpërthyes, modelues, afatgjatë dhe me ambicje të pafundme për të ndryshuar gjithçka.
Krishtërimi ilir u bë krishtërimi i fillimit të arbërve të rinj. Këtu gjeneza tregon edhe vijimësi, edhe ndarje përfundimtare.
Duhet të vdesin ilirët që të mbeten gjallë arbërit. Ndryshe nuk mund të bëhet. Është e pamundur. Është jo vetëm jashtë forcave njerëzore, por edhe jashtë vetë forcave rinore.
Arbërit e hershëm janë në kërkim të identitetit të tyre. Nuk ngurrojnë për këtë gjë, ndonëse të ardhmen ende nuk e dinë. Janë kureshtarë dhe nuk kanë frikë, por rruga përpara tyre është ende e panjohur, plot tëpapritura dhe vetëkuptohet, pafundësisht paradoksale. Krishtërimi i afron ata me të tërë popujt dhe vetëm në këtë globalizëm fetar, ata mund të afirmohen si një popull krejt i veçantë.
Krishtërimi është në një farë mënyre përsëritja jo tautologjike e metaforave biblike sipas interesave, kushteve, prirjeve dhe zhvillimeve të historisë.
Kështu në antikitetin e Vonë janë disa dëshmi shumë pak të njohura, gati aspak, se si biblizmi është formë e mbijetesës së arbërve të hershëm.
Në vitin 1906 në afërsi të Durrësit, u gjet nga një gërmim i rastit një enë argjendi. Ajo që është më e rëndësishme te kjo vazo se sa vetë egzistenca e saj në vetvete, është fakti i një mbishkrimi të skalitur me 5 (pesë) monograme. Studjuesi J.Strzygowski që u mor i pari me këtë mbishkrim dhe që e botoi në një libër të tij, bëri zbërthimin e monogrameve dhe vërtetoi filologjikisht se monogramet ishin fillimi i Psallmit 29, vargu i parë i këtij Psallmi.
Ky varg është “Perëndia im, Perëndia im, pse më braktise?” në gjuhën e hebrejve ky varg citohet tek Ungjijtë në formën “Eloi, Eloi, Eloi, Lama Sabakthani”?
Kur Krishti u kryqëzua në Golgotë ai klithi pikërisht në makthin e paravdekjes këtë varg të tmerrshëm, që ka patur komente nga më të shumtat dhe kontradiktoret, në të gjithë shekujt. Ky varg citohet pikërisht në formën e gjuhës aremajke, tesktualisht si edhe libri i Gjon Buzukut.
Ja pra një ndërlidhje e pabesueshme dhe tepër e gjatë në kohë. Si mund të mohohet kjo lidhje? Dhe a është çdo rast vetëm i rastësishëm?
Studjuesi Bruno Keli u muar më hollësisht më pas me monogramet. Dhe ai zbuloi se në shkrimin e tyre genitivi rrinte në vend të datirit, gjë që është karakteristike e sintaksës bizantine të shek.II dhe III të erës sonë. Kjo gjë të trondit dhe të ve në mendime.
Kush ka qenë poseduesi i vazos prej argjendi? Kjo vazo që mund të jetë përdorur për të pirë verë, pse vallë ka patur të skalitur në pesë monograme klithmën tërmetore dhe kozmike që përsëriti Krishti para vdekjes? Pse me një kupë gostie, apo dhe të ritit eukaristik të jetë skalitur kjo gjëmë, më saktë kjo piëkpyetje fatale, e tërëfuqishme, më tepër mohuese se sa pohuese, gati si një blasfemi e Krishtit, për Atin, si një akuzë zhgënjim, si një dëshpërim i llahtartë?
Kjo vazo argjendi e gjetur pranë Durrësit, e përdorur 18 shekuj më parë është një enigmë sfinksore, një paralajmërim, një ankth. Pse vallë?
Mos ndoshta në këtë vazo argjendi ishte shkruar vargu i Psallmit 29, për të treguar se poseduesi i vazos apo dhe komuniteti njerëzor në rrethinat e Durrësit ishte përballë një katastrofe apo një rreziku historik? Dihet se fiset gjermanike dhe ato sllave e kanë kërcënuar Durrësin për vdekje disa shekuj më vonë.
Ç’gjë tjetër e tmerrshme e ka munduar dhe frikësuar për vdekje poseduesin e kësaj vazoje?
Vetëm për këtë subjekt mund të shkruhet një libër, ndonëse një ndërmarrje e tillë ka më tepër gjasa të jetë një disfatë, se sa rimëkëmbje e të vërtetës.
Ndoshta dinaku Borges, mund ta gjente atë ekuilibër delikat dhe transparent, gati transcedental që dinte vetëm ai ta gjente.