Historia e Ukbarit, heroit Arbër
31 Dhjetor 2023
Historia e frikëshme dhe e paimagjinueshme e djaloshit arber Ukbar, që u rrëmbye nga vikingët nuk u shkrua kurrë.
Kjo s’ka asnjë rëndësi për kronikën e botës, dihet mangësitë janë thelbi i saj.
Në 1180 në brigjet e qytetit të Durrësit zbarkoi flota e marmanëve nën komandën e egër dhe absolute të princit Boemund Guiskardi.
Sulmuan kështjellën, dogjën e bënë hi rrethanat, u vunë flakën trupave të robërve vendas dhe i hodhën me katapulta mbi muret e qytetit.
Në tempullin e shën Teodorit, 5 milje në jug të Durrësit masakruan priftërinjtë, njerëzit që shpresonin mbrojtje dhe mëshirë brenda tempullit, gjaku i skuqi dyshemetë me mogoikë të mrekullueshëm me skenat bukolike të Edenit.
Mes të vrarëve po qante një fëmijë 5 vjeç.
Sytë i kishte të kaltër dhe flokët të verdhë.
Mes normanëve të pamëshirshëm qe edhe burri viking Egili, i mbiquajtur Dhëmbëbronxi.
Kishte pazmore bronxi me figurën e ujkut dhe gjarpërit, por kishte bërë edhe për dhëmbët e tmerrshëm një këllëf bronxi.
Kishte vrarë 187 burra në tërë Europën, por edhe gra edhe fëmijë.
Ngriti shpatën edhe fëmijën ende të gjallë.
Befas diçka e shtangu.
Ju kujtua që magjistarja Gurkurda – më e famëshmja ndër vikingët – kur e kishte pyetur për fatin e tij, i kishte thënë mos ta vriste një fëmijë të panjohur në brigjet e një deti të largët që qante mbi një mozaik ku ishte figura e një kali e ka të ravizuar krifën në formën e tri brirëve.
Burri gjigand, kampjoni i vrasjeve, uli shpatën, shkelmoi kufomat rreth e qark, pa tërë skenat e mozaikut, papritur dalloi kalin me tri brirë.
Klithi tri herë.
Ndërkohë një luftëtar viking ju afrua fëmijës ta vriste, Egil Dhëmbëbronxi e vrau shokun e tij dhe shpëtoi fëmijën, e rrëmbeu me dorën e tmerrshme dhe doli nga tempulli në flakë.
Fëmija qe djalë. Egili i dha emrin pa kuptim Ukbar dhe e çoi në anijen e tij, duke u thënë lundërtarëve vikingë se tani e tutje fëmija qe djali i tij.
Të gjithë e respektuan me lemeri dhe në heshtje këtë vendim të çuditshëm.
Mbas rrethimit dhe pushtimit të Durrësit anija e Egil Dhembëbronxit mori pjesë në shumë sulme në qytetet dhe ishujt e Mesdheut, mbas 8 muajve Egili u kthye në brigjet skandinave.
Në shtëpinë prej trungje bredhi i dolën para 10 gratë e tij të bindura dhe fëmijët e shumtë të bëra me to, u dha fëmijën e birësuar, duke ua bërë të qartë se ky djalë i huaj duhej të nderohej si të ishte vetë ai.
Ukbari mësoi gjuhën vikinge, i humbi nga kujtesa vendlindja e mbyllur në largësi nga mjegulla.
U rrit shpejt.
Nuk dyshoi asnjëherë se Egili qe i vetmi dhe i përjetëshmi babai i tij.
Magjistarja Gurkurda 105 vjeçe e veshur me një rrobë të thurrur me qime kali dhe që mbante në dorën skeletike një skepter bronxi me tri brirë, që përfaqësonin botën e nëndheshme, tokën dhe qiellin e mbante pranë vehtes, i mësoi shkronjat runike, sagat poetike dhe misteret e magjive vikinge.
Ukbari dëgjonte profecitë e saj në vargje, për hyjnitë Odinin, Henurin dhe Ludurin.
Në eposin “Voluspa” përfshihej historia e kozmosit nga krijimi i tij deri në Ragnarog (Shkatërrimi i Perëndive).
Ka një sërë vizionesh të gjalla e interesante që janë në lëvizje të shpejtë.
Gjithësia në fillimet e kohës: “Në atë fillim kur jetonte nuk kishte as rërë dhe as det.
Nuk dukej gjëkundi as tokë dhe as qiell veçse një hapësirë që sa vinte zmadhohej; as bar nuk kishte gjëkundi!”
Odini dhe vëllezërit e tij Hemiri dhe Luduri krijojnë botën.
Perënditë krijojnë gjithashtu njeriun; në bregdet ata gjejnë dy trungje pemësh, fier dhe dushk.
Ato nuk kishin frymë, nuk kishin shpirt, nuk kishin gjak dhe zë, dhe as ngrohtësinë e jetës; frymë u dha Odini ndërsa shpirt Heniri.
Luduri u dha gjak, dhe ngrohtësinë e jetës.
Nga një trung u bë burri, nga trungu tjetër gruaja.
Ukbari mësoi jo vetëm t’i kuptonte sagat, por dhe t’i ribënte ato.
Ai u bë i famshëm për përshkrimin e vikingëve në malin Vurtragam, ku gratë ishin po aq të tmerrshëm sa burrat e tyre.
Ukbari ishte vetëm 15 vjeç kur shkoi vetë tek ky mal mbi det sëbashku me 12 kalorës.
Ja historia që thuri, mbasi pa një shtëpi. Ju afrua shtëpisë dhe filloi të përgjonte nga dritarja; brenda pa disa gra, përballë të cilave ngrihej një avlemend.
Kokat e burrave përdoreshin në vend të peshave, zorrët e burrave për fillin dhe indin e pëlhurës, shpata shërbente për rrahje, ndërsa shtizën e përdornin si masur.
Disa nga vargjet e Ukbarit:
Nga rrjeta me re e merimangës,
Rrëke gjaku rrjedhin
mbi avlemendin e madh
të kasaphanës.
Rrjeta e njeriut,
Gri si parzmorja
po thuret tani;
Valkyret do ta përshkojnë tërthor
me pëlhurë të kuqe gjaku.
Indi prej zorrë njerëzish
është bërë;
Kokat e njerëzve
Si pesha përdoren;
Tirantet drejtim mbajtëse
janë ushta të përgjakura;
Krahët janë lidhur me hekur,
Shtizat janë masurët lëvizës.
Këtë rrjetë beteje
me shpata do ta endim.
Por Ukbari nuk nguroi, me 12 kalorësit e sulmoi vendbanimin e malit Vurtragan, e dogji shtëpinë me avlemendin e përbindshëm, i vrau gratë, burrat, gjithçka të gjallë, kalli në zjarr pejsazhin e paarritshëm pyjor.
U bë mizor dhe i pushtetshëm, frika e njerëzve e mbështolli me një dritë hyjnore
I fuqishëm dhe seksual i papërmbajtur bëri dashuri me shumë femra vikinge që i lindën njëqind fëmijë që i ngjanin atij.
Jeta e vikingut është midis tokës dhe detit, deti qe “toka ujore, e lëvizëshme”.
Me anijen e Egil Dhëmbëbronxit shtegëtoi si një mallkim kudo, shkrumboi qytete bregdetase, mbretërit e Europës tmerroheshin nga emri i tij, i vriste murgjit e krishtere që i dërgonte Papa i Romës për të krishteruar paganët, i besonte hyut të lashtë, Odinit, që kalëronte mbi ujkun Freniks mes rrufeve.
33 vjeç në zenitin e famës mizore rasti i mistershëm e bëri t’i afrohej me anije brigjeve të qytetit hijerëndë të Durrësit.
Zbriti në rërë.
Aty ishte Shkëmbi i Cezarit, nga pylli i shpateve të tij në agim Ukbari pa një kalë fantazmagorik.
Krifa e kalit kishte formën e tri brirëve.
Ukbari u nemit, i shterruan fuqitë.
U drejtua drejt kalit që kishte ndaluar.
Sytë e kalit vezullonin, qenë të kaltër si sytë e Ukbarit.
Këtë skenë e pa që nga bordi i anijes dhe Egil Dhëmbëbronxi.
Klithi tri herë që të paralajmëronte.
Ukbari kish nxjerrë shpatën – një forcë kozmike, që lëvizte sipër një avlement qiellor me pesha koka njerëzish, i komandonte poshtë krahun titanik.
Ukbari ja nguli shpatën kalit në gjoks, pa i ndëgjuar thirrjet që nga anija.
Kali dhe njeriu ranë sëbashku,-ndërsa shkrepi një vetëtimë e pabesueshme dhe e pazakonte.
Çdo profeci është një bashkëpunim misterioz elementesh, faktesh dhe ngjarjesh, ku vrasësi dhe viktima ndrojnë rolet, ose janë e njëjtë gjë.
Egil Dhëmbëbronxi ju afrua trupave pa jetë duke ngulçuar.
Fytyra e Ukbarit qe bërë fëminore.
Ju kujtua masakra mbi mozaikët e tempullit vite më parë.
Kali i mozaikut natyrisht mund të bëhej edhe kalë i gjallë sepse profecia e ka çdo fuqi transformuese.
Dhimbja e tij qe e padurueshme, kotësia e fatit e kishte mposhtur.
Hodhi armët, pazmoren e gjoksit, hodhi tej këllëfin prej bronxi të dhëmbëve dhe për të plotësuar simbolin e numurit tre vdiq në vend dhe ai, pranë Ukbarit dhe kalit , qe paratha gjithçka. (Durrës 1992)
Nga Gazeta Dita