Historiania e gjuhës Mimoza Kore foli në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe historinë e emrit shqiptar! Zonja Kore tha se gjuhësia është një shkencë, ndaj jo çdo kush, mund të flasë apo merret si referencë, për atë çfarë thotë për gjuhën shqipe, historinë e saj apo lashtësinë. Ndaj zonja Kore, bëri thirrje që në media të mos u jepet hapësirë cdo kujt që nuk ka kualifikimin e duhur, për të folur për shqipen. Në studion e Shqip, ajo veçoi një rast të një piktori, që ngrinte tezën se numri “uno” i italishtes vjen nga fjala “unë” e shqipes.
“Në botë janë me gishta ata që merren me etimologjinë sepse duhet të dinë shumë gjuhë të huaja, të dinë rregullat e brendshme të shqipes, si ka ndryshuar ajo në shekuj. Pra është një problem shumë i vështirë dhe kërkon një përgatitje të veçantë. Jemi bërë shpesh objekt i videove nga të huajt. Duhet të bëjnë shumë kujdes gazetarët, moderatorët e emisioneve. Duhet të nisë nga ata edukimi për gjuhën.
Po ju tregoj një rast. E hapa rastësisht televizorin dhe pashë njërin në një studio, ishte piktor, kishte dhe njerëz që e dëgjonin dhe po thoshte: “Unë kam dhe një pasion tjetër përveç pikturës. Kam kuptuar që kur kam qenë në Itali, se numri “uno” i italishtes vjen nga “unë” e shqipes.Dhe përemri vetor “unë” është i pari këtu edhe “uno”, i pari atje.” Gjithë salla duartrokiti, moderatori i thoshte bravo të qoftë. Në sallë kishte njerëz të moshuar, por të gjithë shqiptarët e dinë që ne kemi thënë “u” jo “unë”. Nuk kishte “unë” më parë, u shtua sipas lakimit. Nuk mund të kapërcehen kështu, një pjesë ligjërate, të vejë për një pjesë tjetër ligjërate. Kur ia dhamë këtë “uno-unë” italishtes ne? Ne e kishim “u”. Moderatorët duhet të bëjnë shumë kujdes me këta kur i ftojnë.
Edhe në Greqi ka personazhe të tilla. Por në televizione serioze nuk i merr askush. Kanë televizionin e tyre, llafosen aty me njëri-tjetrin edhe kaq”, u shpreh historiania e gjuhës në DritareTV.