Historik i shkurtër i interesimit austriak për Shqipërinë
8 Mars 2023
Nga: Dr. Dorian Koçi*
Shqipëria dhe Austria ndajnë një miqësi të hershme. Interesi austriak në kufirin e veriut të Shqipërisë, e kishte origjinën e vet në kultusprotektorat-protektorati fetar i Perandorëve Habsburg mbi katolikët e veriut të Shqipërisë. Herët që në 1615 me Traktatin e Vjenës, Perandori i Shenjtë Romak fitoi të drejtën të kujdeset për mirëqenien e popullsisë katolike të Perandorisë Otomane. Ndërsa teorikisht kjo e drejtë nuk ishte e kufizuar vetëm në Veriun e Shqipërisë, afërsia e këtij rajoni me zotërimet e Habsburgëve dhe protektorati i ngjashëm fetar i Francës në Perandorinë Otomane i bëri kufijtë veriorë precedentë të formuar mirë të interesit të Habsburgëve në Shqipëri.
Gjithsesi edhe pse interesi diplomatik i Perandorisë daton që herët në Luftërat Austro-Otomane të shekullit të XVI-XVII, ishte vetëm në vigjilje të nacionalizmit në Ballkan në shekullin e XIX që diplomacia vjeneze fillon dhe formon një opinion të saj statik rreth territoreve dhe popullsive shqiptare në rajon. Perandoria Otomane në shekullin XIX ishte në gjendje të avancuar drejt rrënimit të plotë. Monarkia Habsburgase nuk mund të ishte më e sigurt në pjesën e saj jugore. Vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut e bëri atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut.
Për këtë arsye Monarkia që herët në vitin 1832 kishte hapur një kryekonsullatë të saj në Shkodër, e cila u kthye në një qendër të rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon, por dhe dëshmitare të rrënimit të autoritetit të otomanëve dhe rritjes së nacionalizmit ndër popujt ballkanikë, ku mes tyre shquante nacionalizmi serb që pas formimit të shtetit të vet kombëtar dhe përkrahjes së hapur nga Perandoria Ruse për t’u zgjeruar në territore osmane, u bë një kërcënim serioz për vetë Monarkinë dualiste. Në të njëjtën kohë, monarkia austriake, pas humbjeve të veta me Konfederatën Gjermanike të udhëhequr nga Prusia më 1866 dhe Italinë në 1859, e shihte Ballkanin si territorin e natyrshëm ku ajo mund të ushtronte ndikimin e saj dhe të zgjerohej me territore të reja. Si një aksion për të balancuar rritjen e fuqisë së serbëve në rajon, konsulli austriak më Shkodër F.Lippich sugjeronte në memorandumin e tij të datës 20 qershor 1877 për Zyrën e Jashtme, që monarkia dualiste të mbështeste Shqipërinë. Duke mbështetur Shqipërinë, shkruante ai- Monarkia Dualiste mund të krijonte një barrierë kundër sllavëve dhe mund të përforconte Perandorinë Otomane dhe ndalonte qëllimet imperialiste ruse në rajon. Po kështu, ai ishte i pari zyrtar i lartë i Monarkisë Dualiste që u mundua të përcaktonte dhe kufijtë linguistikë midis shqiptarëve dhe sllavëve në veri. Duke pasur gjithë këtë sfond marrëdhëniesh dhe interesimi statik diplomatik midis Monarkisë Dualiste dhe territoreve shqiptare në veri, përmes gjithë krizave diplomatike dhe luftërave që kaloi Ballkani që nga Kongresi i Berlinit, Lufta Greko-Turke më 1897, Revolucioni Xhonturk 1908, aneksimi i Bosnjës dhe së fundmi Luftërat Ballkanike, ishte e natyrshme që Monarkia Dualiste të mbështeste krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Pas mbledhjes së Bukureshtit në datën 5 nëntor, më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontin Bertold, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit të Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit. Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Patriotët e tjerë shqiptarë Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi, u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck” që ua siguroi Bertholdi. Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Wurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra. Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Wurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Pas një udhëtimi që zgjati 6 ditë, më datë 28 nëntor 1912, filluan punimet e Kuvendit të Vlorës në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Monarkia Dualiste ishte nga shtetet e para që njohu qeverinë e Vlorës dhe mbështeti Shqipërinë në Konferencën e Londrës (16 dhjetor 1912-29 korrik 1913). Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë u vendosën që më 3 dhjetor 1913, kur Ministria e Punëve të Jashtme e atëhershme e Monarkisë Austro-Hungareze vendosi të hapte tre konsullata në Shqipëri: Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Po kështu në diskutimin e çështjes së kufijve që filloi në terma më konkrete që në seancën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, i ftuar për të thënë mendimin e tij “mbi kufirin lindor të Shqipërisë së ardhshme”, Mensdorfi, ambasadori përfaqësues i Monarkisë Dualiste përsëriti dhe njëherë pikëpamjen austro-hungareze se “ato pjesë që janë të banuara vetëm e vetëm nga shqiptarët, duhet t’i përkasin Shqipërisë”. Pastaj ai i parashtroi Konferencës një hartë të kombësive, të përgatitur më parë në Vjenë, në bazë të së cilës delte qartë “sa thellë mbërrijnë shqiptarët” në Veri dhe Verilindje.
Debatet dhe kontradiktat në caktimin e kufijve veriorë e verilindorë të Shqipërisë u përqendruan në ato që u quajtën kriza rreth Shkodrës dhe Gjakovës. Pikësëpari duhet sqaruar se për interesat e Monarkisë, qyteti i Shkodrës që shënonte edhe fillimin e interesit të tyre fetar, diplomatik e kulturor rreth çështjes shqiptare përbënte nyjën më të rëndësishme të politikës austro-hungareze në rajon për të cilën nuk mund të bëhej asnjë kompromis. Rëndësia e Shkodrës dhe arsyet se pse ajo duhej të përfshihej brenda kufijve të shtetit shqiptar, është shprehur me tre pika kryesore të hartuara nga vetë Konti Bertold, ministri i jashtëm i Monarkisë.
1- Shkodra është qendra e protektoratit tonë katolik në Veri të Shqipërisë dhe si e tillë është e rëndësishme për të mbetur në Shqipëri.
2- Në opinionin e ekspertëve, një Shqipëri mbijetuese është e pakonceptueshme pa Shkodrën dhe rrethinat e saj.
3- Nëse Shqipëria nuk do të përfshihet në Shqipëri, fiset shqiptare që e kanë qendrën e tyre rreth Shkodrës do të humbasin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Këto fise do të jenë, kundër dëshirës së tyre, të asimiluara në Mali e Zi, që është i kundërt nga pikëpamja etnike dhe fetare nga Shqipëria.
Ngjarjet që pasuan më pas ishin caktimi i kufijve të Shqipërisë më 1913, mbështetja e Princ Vidit më 1914 dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Në janar të vitit 1916 pas dërrmimit të forcave serbe, trupat austro-hungareze hynë në territoret e Shqipërisë dhe vendosën administratën e tyre ushtarake dhe civile në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore, nga Shkodra deri në lumin Vjosë dhe nga Durrësi deri në afërsi të Pogradecit ku fillonte zona administrative franceze. Pas Luftës së Parë Botërore, marrëdhëniet diplomatike u vendosën midis Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, më 22 shkurt 1922. Pas Luftës së Dytë Botërore këto marrëdhënie u rivendosën më 7 shkurt 1956. Që atëherë, deri në vitin 1991 Republika e Austrisë përfaqësohej në Shqipëri nga Ambasadori rezident në Beograd. Në gusht të vitit 1991, qeveria austriake caktoi ambasadorin e saj në Shqipëri, rezident në Vjenë. Ai paraqiti Letrat Kredenciale në shtator 1991.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Austrisë u zhvilluan intensivisht përmes vizitave të nivelit të lartë takime mes liderëve politikë të dy vendeve. Një bashkëpunim i frytshëm ka qenë i pranishëm edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku janë anëtare Shqipëria dhe Austria. Në janar të vitit 1992, Austria i dha Shqipërisë statusin e kombit më të favorizuar me të cilin marrëdhëniet pësuan një shtysë të re në të gjitha fushat, politike, ekonomike dhe tregtare. Gjatë këtyre viteve janë nënshkruar 19 marrëveshje dypalëshe. Pasi Austria u bë anëtare e Bashkimit Europian, ajo ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit europian. Së pari për lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë dhe për statusin zyrtar kandidat të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
* Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar