Holanda çel muzeun për Holokaustin. – Presidenti izraelit merr pjesë në inaugurim, pritet me protesta nga qytetarët pro-palestinezë
11 Mars 2024
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i cili mori sot pjesë në ceremoninë e çeljes së një muzeu për Holokaustin në Amsterdam bëri thirrje për lutje për paqe dhe për lirim të menjëhershëm të personave që u morën peng nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit dhe që ende mbahen nga grupi militant.
Por pasi mbërriti në Sinagogën Portugeze për të mbajtur fjalIm, zoti Herzog u prit me fishkëllima nga protestuesit pro-palestinezë që bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmit të Izraelit në Gazë.
“Urrejtja dhe antisemitizmi po përhapen në gjithë botën dhe ne duhet të luftojmë së bashku”, tha zoti Herzog në fjalimin e tij.
Në një shesh pranë tij, protestuesit po bënin thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” dhe “dhënien fund të sulmeve ndaj fëmijëve” ndërsa mbanin ndër duar flamuj palestinezë dhe pankarata që shkruanin “Hebrenjtë kundë gjenocidit” dhe “Mjaft Holokaustit në Gazë”.
Disa protestues ndezën zjarre dhe hodhën vezë ndaj policisë. Disa prej tyre tentuan të kapërcenin kordonin policor ndërsa protesta u tensionua në orët e pasdites. Mediat lokale njoftuan se në protestë morën pjesë të paktën një mijë protestues.
“Prania e tij këtu është një shuplakë për viktimat në Gazë”, tha protestuesi Huibert Boer.
Në afërsi të muzeut të ri, një grup protestusish që mbanin në duar flamuj izraelit dhe fotografi të pengjeve u përballën me protestues pro-palestinezë, disa prej tyre thirrësnin “turp”, ndërsa autoritetet policore ishin të pranishme për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve.
Organizata e mbrotjes së të drejtave të njeriut Amnesty International kishte vënë shenja udhëzuese përreth muzeut që e drejtonin Presidentin Herzog për në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Një zëdhënës i Presidentit nuk pranoi të komentonte për agjencinë e lajmeve Reuters.
Përmes një deklarate muze njoftoi se e kishte ftuar zotin Herzog përpara sulmit të Hamasit dhe sulmit që ndërmorri më vonë Izraeli në Gazë. Në deklaratë, thuhej se muzeu e pranonte se pjesëmarrja e Presidentit ngrinte pikëpyetje, por se ai përfaqësonte atdheun e të mbijetuarve holandezë të Holokaustit që emigruan në Izrael.
Gjermania naziste vrau 6 milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Izraeli modern u themelua në 1948 si një vend i sigurtë për hebrenjtë./VOA