Holanda: – S’ka negociata me Shqipërinë, rivendosni dialogun për reformën zgjedhore
Holanda: – S’ka negociata me Shqipërinë, rivendosni dialogun për reformën zgjedhore
– 01/11/20
Qeveria Holandeze ka deklaruar zyrtarisht votën kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke mos miratuar mbajtjen e konferencës se parë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Ndërsa për vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut, është hapur drita jeshile. Sipas qeverisë holandeze raportet e KE-së për Shqipërinë janë jo bindëse.
Gjithashtu një shkak tjetër është ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor nga kryeministri Edi Rama. Këtë e raporton edhe gazetari Vladimir Lame me një status në Facebook. Lame shprehet se Holanda kërkon rivendosjen e dialogut politik për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj.
Në mars, Këshilli Europian vendosi që për Shqipërinë të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare nëse do të ishin përmbushur kushtet e vendosura. Për qeverinë (shqiptare) është thelbësore që të ardhmen të bëjë më shumë progres në këto çështje dhe vetëm nëse kushtet e përcaktuara nga Këshilli Europian në mars janë plotësuar në mënyrë bindëse do të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare me Shqipërinë” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez.
Ndër pikat që qeveria holandeze shikon pak përparim është reforma në drejtësi duke theksuar se ende nuk është bërë funksionale Gjykata Kushtetuese. Holanda frenon edhe qëndrimet e Komisionit Europian.
“Qeveria (holandeze) mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se “pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur” është i parakohshëm” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez.
“Qeveria (holandeze) mbështet vlerësimin e Komisionit se nuk ka ende kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në lidhje me rishikimin e ligjit për mediat bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias. Pavarësisht emërimit të disa jo-magjistratëve, Gjykata e Lartë nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet. Janë ndërmarrë hapa kryesorë, në veçanti, në fushën e vetingut të gjyqtarëve të vjetër dhe prokurorëve, por kjo ende nuk po çon në dënime aktuale të gjyqtarëve të cilët ishin akuzuar për akuza penale gjatë aktivitetit të tyre.
Korrupsioni mbetet një problem i madh dhe i përhapur që do të vazhdojë të kërkojë vëmendje në vitet që vijnë. Në këtë kontekst, është pozitive që SPAK tani është plotësisht funksional. Raporti i fundit thotë se Shqipëria po punon kundër korrupsionit. Por Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në ndërtimin e një historiku solid në hetimin dhe ndjekjen penale përfundimtare duke dënuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”– thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Gazeta Mapo