Holandezët, projekt për të shndërruar Nivicën në një fshat turistik

Një ekip holandez i përbërë nga arkitektë të peizazheve, urbanistë, muzeologë dhe botanistë nga universitete të Amsterdamit dhe Groningenit janë duke hartuar një plan urbanistik të fshatit Nivicë në Kurvelesh, për ta shndërruar atë në një prej fshatrave të parë me një plan turistik.

Këtij ekipi i janë bashkuar edhe disa studentë shqiptarë, të cilët po kontribuojnë në mbledhjen e të dhënave në terren si dhe historinë e arkitekturës lokale.

Kjo ekspeditë ka si qëllim identifikimin në terren të të gjithë itinerarit turistik nga zona bregdetare në ato malore Borsh-Kuç-Nivicë-Zagorie dhe krijimin e një plani urbanistik për fshatin Nivicë.

Ky plan do të përcaktojë të ardhmen e zhvillimeve turistike në zonë, mbrojtjen e peizazheve natyrore dhe historike, si dhe modele të tipologjisë së arkitekturës lokale.

Ky plan pasi të hartohet do t’u paraqitet autoriteteve lokale, së bashku me një seri modelesh të godinave turistike, bazuar në arkitekturën lokale, të cilat do të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar për çdo ndërtim të ri në zonë.

Po kështu po përcaktohen modelet më të mira të shtigjeve që do të promovohen për turistët që kërkojnë të eksplorojnë këtë zonë, si dhe modele të agro-turizmit, duke i dhënë përparësi ruajtjes së traditës baritore të banorëve lokalë.

Grupi i arkitektëve udhëhiqet nga arkitekti holandez Martin Sobota, nga firma Cityforster, i njohur për një seri projektesh me fokus zhvillimin e komuniteteve rurale./ata/

o.j/dita