Hulumtimet e fundit mbi Opusin onufrian. –
Hulumtimet e fundit mbi Opusin onufrian. –
Nga: Moikom Zeqo
Motive dhe sinopse historike
Po kumtojmë për herë të parë të dhëna të reja shumë të rëndësishme për krijimtarinë e Onufrit të shekullit XVI.
I panjohur është deri më sot programi ikonografik i kishës së “Shfytyrimit” dhe i kishës së Shën Nikollës në manastirin e Zërzës, 45 km në të majtë të rrugës për në qytetin e Prilepit.
Në këto dy kisha, Onufri ka pikturuar gjatë viteve 1535-1540. Në programin ikonografik të të dyja kishave bie në sy sidomos skena “Vegimi i shën Pjetrit të Aleksandrisë” ku dënohet herezia e Ariusit të Aleksandrisë në shekullin IV pas Krishtit.
Manastiri i Zërzës, i ndërtuar në vitin 1400 nga igumeni Germanoi, është pikturuar nga Onufri dhe përfaqëson një kundërvënie të vendosur teologjike nëpërmjet subjekteve dhe temave ikonografike kundër herezive në kishën lindore, madje ky manastir përfaqëson një pozitë zotëruese të ortodoksisë bizantine dhe pasbizantine ndaj herezisë së bogomilizmit, që është e ka zanafillën nga fshati Bogomil, jo shumë larg nga Zërza, në krejt Ballkanin.
Është për t’u vënë në dukje se Onufri, me pozitën e tij të lartë hierarkike si protopapë i patriarkanës së Ohrit, programon një luftë të papajtueshme kundër herezive në kishën lindore.
Por, në pikëpamjen konceptuale të artit të tij, Onufri ka një gjedhë të lirë të krijimit, të lirisë konceptuale dhe zhvillon më tej prirjet humanizuese të stilit të Rilindjes paleologe, në epokën pasbizantine.
Kështu, arti i Onufrit, në degamën dhe polemikën midis barlamistëve dhe isaistëve është në anën e lirisë krijuese dhe jo të dogmatizmit grafik të isiaizmit të Atosit.
Ky paradoks është vetëm në dukje dhe është krejtësisht i shpjegueshëm.
Gjithashtu, e dhënë me rëndësi është se pjesa më e madhe e pikturave murore të kishës së Shën Nikollës, në Shelcan, nuk i përkasin dorës së Onufrit, por një artisti anonim që e ripikturon këtë kishë më 1625-ën.
Në vitin 1537 Onufri pikturon në manastirin e Moldavicës , në Moldavi.
Një ikonë e Onufrit, ajo e shën Marisë me Krishtin fëmijë nga Torra Maxhore e Italisë, hap perspektivën e hulumtimeve të reja dhe të papritura për zbulimin dhe pasurimin e opusit onufrian.
***
Në kështjellën e Beratit, disa ikona dhe tri bibla janë drejt shkatërrimit. Muzeu i Onufrit në katedralen e kështjellës është në gjendje skandaloze.
Grumbullimi i ikonave brenda një mjedisi, pa kushtet minimale të mirëmbajtjes i ka dëmtuar rëndë këto vepra arti. Veprat që janë konstatuar si më të dëmtuarat janë ikona e “Gjon Pagëzorit”, shekullit XVI, “Krishti Pantokrator”, ikona e shën Marisë, ikona e shën Mihalit, shekulli XVII, dhe “Shtatë shenjtorët”, që datojnë në vitet 1873.
Po kështu janë edhe tri bibla, libra mjaft të hershëm që shkojnë deri në shekujt XVI-XVII. Lagështira ka depërtuar në fizikun e këtyre veprave duke dëmtuar rëndë grundin e tyre. Trupi i ikonave është drejt bjerrjes, ngjyrat e tyre janë mufatur. Pak nga pak gërryerja po i lëshon copa-copa materialin e ikonave. Për këtë gjendje kreu i muzeut, thotë se ka biseduar me përgjegjësin e muzeut të Onufrit, Ladi Skëndo, dhe me dy punonjësit e tij. Ata kanë treguar se për këtë gjendje alarmante të muzeut të Beratit e kanë ngritur zërin pranë Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve. Por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje. Këtyre dikastereve do t’i dërgohet shumë shpejt një relacion.
Duhet të ndërhyjmë urgjentisht për t’i shpëtuar këto ikona.
***
Kryerja e një studimi mbi pigmenet dhe teknikat e përdorura në pikturat e Onufrit, nuk është thjesht shuarja e kureshtjes së shumëkujt që ka parë ikonat e mjeshtrit të madh të penelit.
Së pari, përfundimet e këtij studimi synojnë të ndihmojnë krijimin e një panorame të plotë të historisë së teknologjisë së përdorur në pikturat murale në Shqipëri.
Këto përfundime do t’iu vijnë në ndihmë historianëve të artit, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me kohën, vendin dhe rrethanat e krijimit të veprave të ndryshme.
Ky lloj studimi, i cili përpiqet të bëjë anatominë e një pikture murale, është i domosdoshëm për mbrojtjen nga dëmtimet dhe ruajtjen e tyre.
Duke ditur përbërjen e pikturës, restauratorët do ta kenë më të lehtë për të ndërhyrë në të, në raste dëmtimesh dhe për të krijuar kushtet e duhura atmosferike, për ta mbrojtur atë nga degradimi.
Përfundimet e studimit mund të përdoren edhe për qëllime krahasimore.
Duke ditur elementët përbërës të një vepre, mund të bëhen krahasime me të tjera vepra të së njëjtës periudhë, por të krijuara në vende të tjera, nga të tjerë autorë, për të zbuluar të përbashkëtat, të veçantat, apo ndikimet e artit Bizantin, apo të ndonjë rryme tjetër.
***
Nuk janë të paktë ata që kanë parë pikturat murale të Onufrit, e që kanë mbetur të mahnitur, jo vetëm nga format, por edhe nga ngjyrat e teknikat e përdorura në to.
Madje ka pasur shumë syresh, mes të cilëve edhe studiues, që kanë bërë pyetjen se nga buron ajo ngjyrë e kuqe misterioze, e pakrahasueshme me nuanca të tjera të përdorura ndonjëherë. Pikërisht këto ngjyra dhe teknika, të përdorura nga mjeshtri i madh Onufri, janë vënë në qendër të një studimi të përbashkët shqiptaro-grek, i cili prej disa ditësh ka filluar të punojë në njërën prej kishave të Beratit.
Sipas njërit prej studiuesve të palës shqiptare, Frederik Stamati, përgjegjës i Laboratorit Arkeometrikë të Institutit të Arkeologjisë, ky studim po realizohet në bashkëpunim me studiues të Universitetit të Selanikut, të cilët prej kohësh kishin shprehur interesin e tyre për studimin e pikturës murale shqiptare. “Ky është jo vetëm i pari bashkëpunim mes shkencëtarëve shqiptarë dhe atyre grekë në fushën e studimit shkencor të afreskeve, por në të njëjtën kohë, është hera e parë që në vendin tonë kryhet një studim i këtij lloji, mbështetur në metodologji dhe teknika moderne”, – shpjegon Stamati, pa harruar të përmendë studiuesit shqiptarë, të Institutit të Fizikës Bërthamore, Fakultetit të Shkencave të Natyrës, apo Institutit të Monumenteve, që po marrin pjesë në këtë projekt arkeometrik: prof. doc, Niko Civici, prof. doc. Teuta Dilo, piktori restaurator Mustafa Arapi dhe fizikanen Ornela Cenko.
Sipas Stamatit, ka qenë pala shqiptare që ka propozuar studimin e afreskeve të dy kishave karakteristike, të cilat përfaqësojnë dy periudha të ndryshme të ikonografisë shqiptare. Të dyja këto monumente ndodhen në qytetin e Beratit, ku gjatë shekullit XVI, ikonografi i shquar, Onufri, ka themeluar një shkollë piktorësh, të njohur si “Shkolla e Beratit”.
Njëra prej këtyre kishave është ajo e “Shën Triadhës”, e cila ndodhet brenda mureve rrethuese të Beratit, e zbukuruar me piktura murale nga një piktor anonim, ndërsa tjetra është ajo e “Shën Todhrit”, pranë hyrjes kryesore të kalasë.
Faqja lindore e kësaj kishe është e pikturuar nga Onufri, ndërsa faqet e tjera nga një piktor anonim.
Puna studimore ka nisur pikërisht nga kjo e fundit , vetëm para 2-3 ditësh me marrjen e disa kampioneve nga ngjyrat dhe suvaja, mbi të cilën ka pikturuar Onufri.
“Qëllimi ynë është të zbulojmë natyrën kimike dhe mineralogjike, origjinën e mundshme dhe teknikën e përgatitjes së pigmenteve të përdorura në pikturat e mjeshtrit”, – shpjegon Stamati. “Mendojmë që me përfundimet e këtij studimi të ndihmojmë historinë e teknologjisë së pikturës murale shqiptare, si dhe të ndihmojmë restauratorët, për të njohur më thellësisht veprën ku duhet të ndërhyjnë”, – vazhdon ai, duke shtuar gjithashtu që këto përfundime mund të përdoren edhe për krahasimin mes teknikave të përdorura në periudha dhe vende të ndryshme.
Ky studim do të zgjasë për një periudhë 2 vjeçare. Një pjesë e analizave të kampioneve të marra do të kryhen në Shqipëri, kurse të tjerat në Selanik.
Do të kryhen edhe analiza paralele, për të siguruar saktësinë e tyre, por edhe për të shkëmbyer eksperienca.
Stamati është i mendimit që ky lloj studimi duhet të bëhet për të gjitha pikturat murale në vendin tonë, për ta pasur më të lehtë konservimin e këtyre pasurive monumentale.
Madje ai është i mendimit që një gjë e tillë duhet të kryhet nga vetë Instituti i Monumenteve të Kulturës. “Është shumë vonë për të thënë që ka ardhur koha që Instituti i Monumenteve të Kulturës të kryejë studime mbi pikturat murale. Ato duhet të kryhen brenda përbrenda institucionit, në një laborator qendror, i cili momentalisht mungon dhe është i kushtueshëm. Ndërkohë që në vendin tonë ka një numër të madh afreskesh, që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, të cilat më parë duhen studiuar”, – shpjegon përgjegjësi i Laboratorit Arkeometrik, Frederik Stamati, duke shtuar se ky studim përfshin vetëm disa aspekte të pikturës murale, rreth së cilës duhet të kryhen edhe studime të tjera, si ai i lagështirës, i temperaturës së kishave, i kripërave që depërtojnë në to nëpërmjet murit, apo tokës. (24.11.2000)
GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEU, NË RRAFSHIN E NJË INTELEKTUALI VIZIONAR
Është shkruar për Gjergj Kastriot Skënderbeun si strateg dhe politikan. Në këtë hulli ai është vlerësuar lart. Por vetëm ky aspekt atë e kufizon. Duam apo nuk duam ne aksioma që një njeri i madh si strateg dhe politikan nuk mund të mos jetë dhe intelektual i madh është një gjë e nënkuptuar, reale, plotësuese, gjithëpërfshirëse.
Për mendimin tim, Gjergj Kastriot Skënderbeu është edhe një hero kulturologjik, ai është një nga pjesëmarrësit, protagonist i Rilindjes Europiane në shekullin XV. Figura epokale e Zhan D’Arkës në Francë lidhet me mesianizmin e saj, gjë që shpjegon fitoret ushtarake. I ndryshëm dhe i veçantë është Gjergj Kastriot Skënderbeu si dhe Huniadi. Skënderbeu duhet të gjykohet, të provohet, të analizohet në aspektin e tij të formimit kulturor, krejt të veçantë dhe të çuditshëm për kohën. Dikur në një letër të tij Skënderbeu flet për „kronikat tona“. Ai e njeh historinë e paraardhësve. Kështu që ai është i vetëdijshëm. Njëkohësisht në simbolet e tij heraldike Skënderbeu reflekton një kulturë të spikatur, të pangatërrueshme me të tjerët. Në rezidencën e tij në Krujë, Skënderbeu ka pasur kancelarinë, arkivin dhe padyshim bibliotekën e tij. Sipas Marin Barletit dhe Dhimitër Frëngut Skënderbeu ka ditur disa gjuhë përveç shqipes edhe gjuhën turke, greke dhe sllave. Nga kancelaria e tij mësojmë edhe për letrat e tij autografe.
Dy libra të bibliotekës së Skënderbeut
Yjësia e librave të panumërt për Gjergj Kastriot Skënderbeun flet për të si strateg, si burrë shteti, si diplomat, por hesht pamëshirshëm për Skënderbeun si intelektual dhe njeri i librave. Kancelaria e Gjergj Kastriot Skënderbeut zotëron një numër të mjaftueshëm letrash në disa gjuhë europiane ç‘ka bën të mundur një optikë të ideve politike dhe diplomatike, gërshetuar me ide kulturologjike të vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut. Por intelektualiteti i lartë i Skënderbeut duhet gjurmuar ndryshe, ekzistojnë disa motive që janë të vetëmjaftueshme dhe përmbajnë një semantikë interferuese, që lidhen me libra të bibliotekës vetiake të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Officium beatae marlae virginis
Bëhet fjalë për dy libra, që kanë qenë me siguri në bibliotekën kastriotase. Libri i parë, që vërtetohet që ka qenë në posedim të Skënderbeut quhet Libri i Uratave, i cili është i shkruar në latinisht. Ky libër iu dhurua Skënderbeut nga familja fisnike Di Capua. Libri është një dorëshkrim në pergamenë, me përmasa 22 x 15 cm, është në gjuhën latine dhe është shkruar, iluminuar nga ndonjë artist napolitan. Iu dha Skënderbeut kur ai qe në Napoli në dimrin e vitit 1466-1467. Për këtë libër ka shkruar historiani dhe skënderbeologu i shquar i ditëve tona, akademiku Kristo Frashëri. Sipas Frashërit „libri ka 214 fletë (mungon vetëm fleta 133), përmban 21 miniatura, nga të cilat dy të mëdha dhe 19 të vogla. Germat fillestare të pjesëve janë shkruar me ngjyra, disa prej tyre në ar, me simbole të fesë dhe të kishës së krishterë. Ka të incizuar dhe stemën e familjes Di Capua, kurse në fund të Librit ka katër faqe me njoftime rreth familjeve Di Capua dhe Altavilla. Është botuar disa herë fotokopja e faqes së parë, teksti i së cilës është rrethuar me një kornizë të dekoruar me gravura të vogla, njëra nga të cilat, më e madhja paraqet figurën e Krishtit. Në fund të faqes së parë është vizatuar medaljoni me stemën e Skënderbeut. Pas vdekjes së Heroit, Librin e Uratave e morën familjarët e tij në Itali. Më vonë ky Libër ra në duart e botuesit anglez C.G.St. John Homby, prej të cilit e bleu Roland Abey (Greyfriar, Angli). Sot ndodhet në fondet e Shtëpisë Botuese „Shelley House“, në Çelsi (Chelsea) të Londrës. Askush deri më sot nuk e ka shfletuar dhe nuk ka vjelë informacionin e duhur për këtë libër të çuditshëm që titullohet në latinisht OFFICIUM BEATAE MARIAE VIRGINIS“. Ky libër në pergamenë është një koleksion pikturik dhe shkrimor i shkëlqyer. Germa e parë nistare e këtij libri lidhet me një ikonë në miniaturë të shën Mërisë dhe Krishtit, futur në një katror. Në pjesën e sipërme të faqes së parë është një portret mashkullor, i panjohur, në anën e djathtë të faqes së parë është portreti i një burri me mjekër, që ka shumë gjasa të jetë vetë portreti i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kjo mundësi plotësohet nga logjika që poshtë faqes ndodhet shqiponja dykrenare, stema heraldike e Skënderbeut, rreth së cilës janë tetë figura fëmijësh të llojit erosë. Si ka mundësi që kanë kaluar shekuj dhe asnjë bibliograf nuk ka marrë mundimin të shkojë në Londër dhe ta konsultojë dhe hulumtojë këtë libër? Para disa ditësh unë i shkrova një letër Shtëpisë Botuese „Shelley House“ në Londër, duke u lutur që t’i dërgonte Muzeut Historik Kombëtar një kopje të fotokopjuar me ngjyra të këtij libri. Ky libër ka rëndësi të shumëfishtë. Së pari, ai është një dhuratë e rangut mbretëror, pra i kushtueshëm dhe tepër i rrallë. Së dyti, libri përmban uratat në latinisht kushtuar shën Marisë, pra, është një libër tekstual kishtar, ritual dhe ndoshta teologjik. Së treti, libri është një dokument historik dhe ka shënime biografike për dy familje të Napolit, Di Capua dhe Altavilla, por edhe për vetë Gjergj Kastriot Skënderbeun. Pra mund të zbulohen në të njoftime historike të klasit të parë. Ky libër uratash ka qenë formuluar për ritualin e kishës roman e katolike, ç’ka e bën atë një dëshmi substanciale, që e lidh Skënderbeun më tepër me krishterimin perëndimor, por jo pa lidhje ma të lindor. Ky libër është një metaforë jo vetëm për Skënderbeun si aleat i Napolit, por edhe si mbrojtës real dhe potencial i vetë Italisë nga pushtimi kobzi osman. Libri duhet ti jetë dhuruar Skënderbeut nëpërmjet një ceremonie, ndoshta dhe me dhurata të tjera. Ky libër ka qëndruar për dy-tre vjet në bibliotekën rezidenciale të Skënderbeut, ka qenë një dhuratë tepër e çmuar për të ndaj dhe familjarët e tij kur emigruan në Napoli e kanë marrë me vete. Për fatin e mirë ky libër nuk humbi dhe ekziston si një substancë e gjallë kulturore dhe historike, pavarësisht indiferencës kriminale dhe të pashpjegueshme ndaj tij.
Libri i dytë – Kodiku i Skënderbeut në Valmar
Libri i dytë që i ka takuar Bibliotekës së Skënderbeut sot ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Vajmarit (Veimarit). Për këtë libër për herë të parë është shkruar në të përkohshmen arbëreshe “La Nazione Albanese” (Kombi Shqiptar) të 15 shkurtit 1900, që botohej në Catanzaro, nga publicisti arbëresh Anselmo Lorecchio. Artikulli i quajtur “Libri i Skënderbeut është botuar në italisht, në të thuhet se në Bibliotekën e Dukës së Madh të Vaimarit ruhet një dorëshkrim, in foglio, i mbiquajtur si Libri i Skënderbeut, ose Libri i Çudirave. Libri ka 325 fletë në pergamenë, është zbukuruar në çdo anë me figura me ngjyra dhe me bojë Kine, ky libër në dorëshkrim përbëhet në dy pjesë, pjesa e parë i takon shekullit XV, ndërsa e dyta shekullit XVI. Për ne interes të veçantë ka pjesa e parë e librit. I ndjeri Prof. Jup Kastrati ka shkruar studimin, „Libri i Skënderbeut, botuar në revistën Ylli, viti 1980, nr. 12. Kastrati citon disa të dhëna tepër interesante për këtë dorëshkrim, të dhëna të nxjerra nga një fjalor i llojit Larousse, botuar në Paris në 1875, si dhe një shkrim të dijetarit Cesare Cantu në vitin 1843. Historiani Cantu ka qenë mik i ngushtë i poetit të madh arbëresh De Rada. Sipas Cantu, ky libër i është dhuruar Gjergj Kastriot Skënderbeut nga Ferdinandi i Aragonës në Napoli. Në vitin 1910 në një libër të botuar në Romë për Shqipërinë, Arturo Galanti e përmend si një fakt real librin e Skënderbeut. Në 26 qershor 1967 Biblioteka Kombëtare e Tiranës i drejton një letër bibliotekës së Vaimarit në Gjermani, për një informacion më të plotë për Librin e Skënderbeut. Më 15 gusht 1967 Biblioteka e Vaimarit i kthen përgjigje Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku thuhet se dorëshkrimi i mbiquajtur Libri i Skënderbeut ndodhet në fondin e tyre. Ky kodik në pergamenë ka qenë blerë në vitin 1590 nga Christoffel von Wellenrodt në Varshavë dhe në vitin 1621 i shitet përsëri Princit të Vaimarit, Johan Ernst von Sachsen – Veimar. Qysh nga viti 1641 nuk ka luajtur më nga Vaimari. Ky kodik me vizatime është një variant që ngjan me librin e quajtur “Bellifortis”, dhe ka bërë parathënien në një libër të botuar në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1965. Shkrimi i Jup Kastratit ka një informacion, që na bën të mendojmë për Librin e Skënderbeut. Për këtë libër ka shkruar dhe Aleks Buda. Por as Kastrati dhe as Buda nuk arritën ta shohin me sytë e tyre Librin e Skënderbeut. Libri është në Vaimar dhe në ditët e sotme është absolutisht një gjë e lehtë, për ta parë dhe për ta konsultuar.
Çfarë përmban libri i Skënderbeut?
Çfarë përmban Libri i Skënderbeut? Pjesa e parë që i takon shekullit XV ka një numër vizatimesh makinash dhe veglash ushtarake, që përdoreshin për rrethime kështjellash, armë të ftohta dhe armë zjarri, topa, bombarda, kulla dhe shkallë ngjitëse në bedena, mjete për minatorë, pajime për ura, mullinj të ndryshëm, madje dhe mullinj dore. Por aty janë paraqitur dhe kompozime me skena lufte, duele dhe dyluftime me shpatë, ecje me këmbë, luftë kalorësish me heshta mbi kuaj me kas, ecje të formacioneve të ushtrisë, zhvillime të ndryshme strategjike, rregulla luftimi etj. Pra, është një enciklopedi luftarake. Pikërisht këtë ka pasur në duar Skënderbeu. Pjesa e dytë, që i takon shekullit XVI është një plotësim. Natyrisht Skënderbeu s’ka mundur ta shohë me sytë e tij këtë pjesë të dytë. Kjo pjesë e dytë ka një karakter gjithëpërfshirës, ka skena të jetës publike europiane, por dhe skena private, ka portrete artizanësh, tregtarësh, furrtarësh, rrobaqepësish, peshkatarësh, fshatarësh, piktorësh, muzikantësh, astronomësh, mjekësh, mëndafshbërësish, orendi shtëpiake, enë gjellëtoreje, lojëra sportive me rrathë, burrash dhe grash, kitara, harpa, organone, balerina, pehlivanë, lojtarë kupash, subjekte emblematike dhe simbolike si dhe skena që paraqesin sëmundje siç është shërimi i syve por dhe prova të mundimit me anën e të gjitha mjeteve të ndëshkimit. Një mjedis europian, tipologjik i shekullit XVI në Europë, të shekullit të Barletit dhe të Gjon Buzukut.
Libri “Bellifortsis”
Nuk duhet harruar një hollësi tepër interesante, që na e kumton Dr. Robert Elsie. Një variant i tekstit „Bellifortis“, ruhet në muzeun Conde „Musee Conde) në Shato dë Shantiji (Chateau de Chantilly) i datuar në 1405 ky tekst ka një shtojcë prej 29 rreshtash mbi dorëshkrim. Libri „Bellifortis“ është një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinisht mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, shkruar dhe realizuar nga inxhinieri dhe pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (1366-1405). Shtojca prej 29 rreshtash, sipas Elsies, është një tekst misterioz, që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë me një farë ceremonie të pjekurisë seksuale. Tetë rreshta sipas Dr. Elsies janë ndoshta në shqipen e hershme të ndërfutura në tekstin latin. Për këto rreshta kam shkruar dhe unë në librin tim „Motive arkeologjike“, botuar në vitin 1990. Mister është origjina e tekstit „Bellifortis“. „Si ka përfunduar, shkruan Elsie ky dokument i hershëm i shkruar i shqipes, po ta quajmë kështu, në një dorëshkrim për punime xheniere dhe fortifikuese në ushtri në Shato dë Shantiji? Dihet se Karli Anzhu zbriti në Vlorë në 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten Rex Albaniae. Sundimi anzhuin, francez në Shqipëri zgjati deri në mesin e shekullit XIV dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të Shqipërisë Veriore në katolicizëm. Elsie hamendëson, se disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me një farë njohjeje të shqipes duhet të kenë ikur nga vendi dhe të kenë vajtur në Itali dhe Francë, kur u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e shekullit XIV dhe XV ku është ruajtur ky tekst prej tetë rreshtash, ndoshta në shqipen më të hershme“.
***
Folën për dy libra të bibliotekës së Skënderbeut, për dy subjekte pikante, të pazakonta. Tekstet janë në latinisht, një provë e tërthortë kjo, që tregon, se Skënderbeu duhet të ketë ditur latinisht. Librat në fjalë janë të vetmet relike, të mbetura nga një bibliotekë e tërë. Që Skënderbeu ka qenë me një kulturë të madhe dhe intelektual i formuar, madje me një modul kulturor të Rilindjes Europiane, duket qartë në përcaktimin nga Skënderbeu vetë i simboleve të tij zyrtare, ai e njeh heraldikën e shqiponjës dykrenare, unaza e tij sekrete ka një skenë mitologjike të Ledës virgjëreshë dhe të Zeusit në formë mjellme, ai në një letër të tij flet për „kronikat tona“, ka një koncept kulturologjik shqiptar për Epirin, për origjinën e kombit shqiptar, origjinë vendase që e ndërlidh edhe me Aleksandrin e Madh, edhe me Pirron e Epirit. Në letrat e tij Skënderbeu citon edhe frazën monumentale „dua të jem mik i virtytit dhe jo i fatit“, koncept ky i shkollës filozofike të stoikëve. Këto dy libra sëbashku me reliket origjinale të Skënderbeut, që ndodhen në Vjenë, si dhe tre këmbanat origjinale të kohës së tij, përbëjnë një koleksion prej tetë objektesh që lidhen drejtpërdrejt me Gjergj Kastriot Skënderbeun, ç‘ka tregon se kemi një dokumentacion autentik muzeologjik, me vlera të jashtëzakonshme. Ky koleksion duhet me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit të bëhej i mundur të ekspozohej në Muzeun Historik Kombëtar, sepse do të admirohej nga një audiencë shumë e madhe. Amen!
***
Në emër të Muzeut Historik Kombëtar i dërguam dy letra librarisë në lagjen Chelsea në Londër si dhe bibliotekës së Vaimarit. Me korrektësi na u kthyen përgjigjet. Në rastin e parë përgjigjja qe se fondi i vjetër i librarisë londineze qe transferuar dhe se në fund të muajit shtator do t’i dërgohej Muzeut historik kombëtar një përgjigje me një adresë bibliografike përfundimtare. Në rastin e dytë Biblioteka e Valmarit dërgoi me CD të kopjuar në formë dixhitale tërë librin që në skedarin e tyre mbiquhej Kodiku i Skënderbeut. Këtë të fundit Muzeu Historik Kombëtar do ta botojë të tërin në një publikim të veçantë. Kjo do të jetë një ngjarje kulturore e klasit të parë