“I dhamë arra me mjaltë”, Rama tregon si e bindi Lulzim Bashën për ti marrë votat për vettingun

10 Shkurt 2022

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se me çfarë e bindi kryetarin e PD Lulzim Basha për ti marrë votat për zgjatjen e mandatit të komisioneve të vettingut.

Rama: Se kuptoj pyetjen. I dhamë çfarë, arra me mjaltë. Nuk kam asnjë dijeni për ndonjë negociatë në anglisht, ne nuk negociojmë në anglisht.Ne nuk bindëm asnjeri, vajtëm sot për të votuar dhe të tjerët, votuan kaq.

Kuvendi miratoi zgjatjen e vettigut me 118 vota pro, asnjë kundër dhe 4 abstenim.

Kuvendi i zgjat afatin Komisioneve të Vettingut, Nikolla lexon rezultatin, deputetët duatrokasin

Për shefin e qeverisë më shumë sesa arsyet pse opozita u bë bashkë me mazhorancën ka rëndësi fakti që ai institucion i konsoliduar i vettingut të vazhdojë punën dhe të pastrojë deri në fund llumin në sistemin e drejtësisë.

Rama: Çdo gjë që bashkon është diçka pozitive, arsyet nuk kanë rëndësi para faktit që sot kemi zgjatjen e mandatit për një proces që ka qenë i dhimbshëm, i vështirë, një proces me pjesët e veta shumë pozitive, edhe me elementë problematikë. Nuk është një proces perfekt por një proces pastrimi i një llumi të madh të grumbulluar në sistemin e drejtësisë, në një vend që nuk ka pasur drejtësi kurrë. Atyre që thonë drejtësia këtu dhe aty, u them që në Shqipëri nuk ka pasur drejtësi kurrë.

Për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë nuk mjafton të duash ta ndërtosh, nuk mjafton të kalosh reformën në letër por duhet edhe një durim i madh për ta zbatuar. Ajo që kemi bërë ne për drejtësinë në këto pak vite është e paprecedentë jo vetëm në historinë e vendit tonë por në terësi, kemi ecur me shpejtësi të skëterrshme që ka pasur dhe kjo kostot e vetme.

Është lajm i mirë që zgjatet mandati, ai institucion i konsoliduar i vettingut të vazhdojë ta çojë deri në fund punën dhe ta pastrojë llumin deri në fund se ka akoma shumë llum në gjykatat e shkallëve të para dhe të dyta ku ka një pjesë të madhe që ende nuk e kanë kaluar vettingun dhe një pjesë që duke ditur se nuk do të kalojnë vettingun vazhdojnë dhe i bien drejtësisë me çekiç në kokë çdo ditë.

I pyetur nëse mazhoranca do ti kthejë “nderin” PD për ti dhënë votën për ndryshimet kushtetuese të kërkuara prej saj, Rama pati këtë koment.

Rama: Të cilës PD, ky është problemi. Ka dy PD, duhet të shohin si do ta zgjidhin mes tyre. Ne nuk negociojmë me asnjërën nga të dyja.

Deklaratat Rama i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së.

Rama tha se pret një rezultat pozitiv në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Rama: Kemi folur për numrat. Ju e dini që kemi një mekanizëm të kolauduar që na jep numrat në territor. Kemi folur për pozicionin tonë në 6 bashkitë. Pozicioni është relativisht mirë. Patronazhistët janë njerëz si ju, që bëjnë punën e tyre në terren. Besoj që do kemi rezultat shumë pozitiv.

Ndërsa u ndal te pyetësori i Këshillimit Kombëtar, Rama u shpreh:

Është koha për një angazhim në territor. Është një proces i ri, por që shpresoj që shumë që të na japi mundësinë që hap pas hapi ta fusim politikën në hullinë e çështjeve që prekin jetën e përditshme të njerëzve. Ne nuk po ju themi njerëzve na jepni opinione për vendime që shkojnë përtej nesh që ti përdorim për luftë politike. Jo. Ne po i themi njerëzve për të gjitha këto çështje kemi dilema, në të dyja rrugët që do ndjekim ka argumente, fjala vjen duhet apo jo ta legalizojmë kanabisin mjekësor. Deri tani kemi ndjekur rrugën e JO-s, por ndoshta duhet të ndjekim rrugën e Po-s. Nga përçarja e vazhdueshme nuk kemi nxjerrë maksimumin tonë si komunitet, si shqiptarë.

Nga OraNews