
“I kanë bërë presion”, gazetari jep detaje nga vrasja në Vlorë: – 58-vjeçari u ekzekutua sepse nuk pranoi të jepte…
29 Prill 2025
58-vjeçari Renato Hoxhaj u ekzekutua me 4 plumba mëngjesin e djeshëm në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë. Policia ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori ishte i maskuar me kapele dhe shall dhe ka qëlluar viktimën 4 herë para se të largohej në këmbë nga e njëjta rrugë nga erdhi.
Gazetari Enrik Mehmeti tha në emisionin People në Euronews Albania se një nga pistat ku po heton policia është konflikti për një sipërfaqe toke në pronësi të tij të cilën 58-vjeçari kishte refuzuar ta jepe për ndërtim.
“Vendi ku ai kishte shtëpinë është vetëm disa metra larg një pallati që shkon në 1500 euro metra katrorë. Ai e ka shprehur te një i afërmi i tij pak kohë më parë se janë duke më bërë presion, po më kërcënojnë për të dhënë tokën, nuk më ofrojnë shumë dhe unë nuk e jap. Toka ku kishte banesën është në qendër, është me shumë interes për ndërtime. Kjo është pista që po hetohet intensivisht. Sipas burimeve nga familjarët bëhet fjalë për 1 mijë metra rreth e rrotull banesës së tij”, tha gazetari.
Nga: Gazeta Sot