I pandehur, apo bashkëpunëtor?! – Si Fatmir Bektashi bën “teatro” sa herë shkon në SPAK
13 Shtator 2024
Nga Nga Elton Qyno
Fatmir Bektashi, biznesmeni i ndërtimit është paraqitur paraditen e sotme në SPAK, ku si në çdo vizitë në prokurorinë e Posaçme shfaqet buzagaz dhe me nota të forta humori, që nuk nguron ta shfaqë dhe me gazetarët e Kronikës së Zezë.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, Fatmir Bektashi konsiderohet nga SPAK si guri i themelit në dosjen penale kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të këtij të fundit Jamarbër Malltezi dhe pronarit të tokës Xhimi Begeja, të cilët u morën të pandehur nga SPAK për disa akuza.
Bektashi, është bashkëpronar me Jamarbër Malltezin në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, si dhe aksioner në disa kompani të tjera ndërtimi si “Kontakt”, “Bernard Engineers” dhe “Swarko Albania”.
Në dosjen hetimore të SPAK jepet një tablo e qartë dhe kronologjike historike e veprimeve të kryera, që nga privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”, deri tek nisja e ndërtimeve dhe më pas transaksionet bankare që janë kryer fill pas shitjeve të ambienteve në pallatet e ndërtuara.
Aty del se figurë kyç për të sqaruar skandalin, është ajo e Fatmir Bektashit, biznesmeni që ka ndërtuar 17 kullat dhe ku është bashkëpronar bashkë me dhëndrin e ish-kryeministrit.
Sot Bektashi hyri dhe doli buzagaz në SPAK edhe pse në fytyrë ju përplas nga prokurorja Enkelejda Millonai, akuza e korrupsionit aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Edhe pse është akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, krime edhe më të rënda se ato që i atribuohen Malltezit, i cili ndodhet në “Arrest shtëpie”, Fatmir Bektashi jo vetëm që nuk është në burg (ka vetëm detyrim paraqitje dhe pengesë për t’u larguar nga Shqipëria), por nuk i janë sekuestruar as pasuritë siç është bërë me dhëndrin e Berishës.
Një pozicion ligjor në dukje i privilegjuar që hedh dyshime të forta se kontributi i Bektashit në hetime është më i madh nga sa duket dhe për këtë arsye SPAK e ka favorizuar, duke e lënë të zgërdhihet para godinës së SPAK.
Sipas vendimit të gjykatës në faqen 149, jepet një paragraf i dëshmisë pjesore i Fatmir Bektashit, që mund të përbëjë provën dhe që më pas ka sjellë lehtësimin e qëndrimit të prokurorisë karshi tij.
Në dëshminë e tij, Bektashi në fakt pranon se: “…Jamarber Malltezi nuk ka futur lekë në kompaninë “Homeplane” që ka financuar investimin tek 16 kullat. Por kontributi i vetëm i tij ishte të bindte pronarët e tjerë ta vënë tokën në dispozicion për të bërë ndërtimin kompania “Homeplane”.
Në materialin e siguruar nga “Ora News” del qartë se të dy personat kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi, dhe se përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare.
Një fakt të tillë e ka pranuar vetë i hetuari Fatmir Bektashi, i cili gjatë marrjes në pyetje në prokurori ka treguar se:
“…unë i qëndroj deklarimeve të mia se shoqëria “Homeplan” është krijuar që në fillim me një marrëveshje verbale me shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ku këta persona do ishin investitorë në formën e ndikimit tek pronarët e tjerë që të lidhnin kontratat e investimit me “Homeplan”. Por vetëm në vitin 2014 mesa shoh nga dokumenti është formalizuar juridikisht…”.
Një tjetër arsye se pse Fatmir Bektashi është njeriu kyç i këtij hetimi, është dhe fakti që ka treguar në SPAK se të gjitha veprimet që janë kryer mes tij dhe Jamarbër Malltezit, janë bërë në studion ligjorë “Pustina”.
Në dëshminë që ai ka dhënë në SPAK, tregohet se roli i tij në përpilimin e dokumenteve të kompanisë ka qenë thuajse në hije, pasi sipas tij të gjitha dokumentet i bënte e Andia Pustina, e besuara e Jamarbër Malltezit.
Nga OraNews