I përjetshmi plaku i Vlorës dhe i Shqiptareve. –
I përjetshmi plaku i Vlorës dhe i Shqiptareve. –
“Shqiptarët ia njohën meritën plakut të Vlorës dhe i janë mirënjohës për besnikërinë ndaj popullit e atdheut,”- kështu shprehet Bajram Peçi në një shkrim në gazetën Shqiptarja.com për figurën e shquar të kombit, Ismail Qemalin.
Nga: Bajram Peci
Lufta e madhe kombëtare, që u bë në shekuj nga atdhetarët shqiptarë, kulmimin e të cilës e pati në kryengritjet e viteve 1911 dhe 1912, u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë, në28 nëntor 1912. Njëri prej tyre, mbase më i madhi i kohës së tij, ishte Ismail Qemal Vlora. I njohur tashmë si Plaku i Shqipërisë, ai veproi, punoi pa rreshtur e luftoi në kushte shumë të rrezikshme për kombin, për shpëtimin e popullit nga skllavëria anadollake. Dhe ja mbërriti. Sot, 100 vjet nga vdekja e këtij vigani, kujtojmë me nderim rolin e madh e të paharrueshëm që luajti në bashkimin e kombit e krijimin e shtetit shqiptar.
Epoka në të cilën veproi Ismail Q.Vlora për realizimin e aspiratave kombëtare, nuk mund të kuptohet dot pa u njohur me mjedisin shoqëror e politik të kohës.
Shumica e historianëve tanë, studiues të kësaj periudhe, në nxjerrjen e përfundimeve përgjithësuese pothuaj janë në një mendje kur thonë se Ismail Qemali, me pak përjashtime, gëzonte urrejtjen e feudalëve të mëdhenj. Pashallarë e bejlerë, zotërues të çifligjeve, ndonëse shqiptarë në kombësi, por që sundimin feudal të Turqisë e kishin në zemër, shihnin më me interes atë, se sa një Shqipëri të pavarur. Ajo, Shqipëria e pavarur, u hiqte atyre pushtetin e privilegjet dhe bënte të pasigurta pasurinë e sundimin. Në rrethanat historike, kur më 28 Nëntor 1912 u shpall pavarësia nga Turqia, Shqipëria e coptuar sundohej e qeverisej çiflig më çiflig nga “paria”, pjesa dërmuese e të cilëve nuk e njihte pushtetin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe vetë kjo ishte e paaftë ta shtrinte autoritetin e saj ndër ato vise. Kështu, në fshatrat e qytetet e Myzeqesë sundonte Aziz Pashë Vrioni; në Orosh të Mirditës, Prenk Bib Doda; në Lezhë, Breg-Mat e Shëngjin, Dedë Coku e Vat Marashi; në Elbasan, Aqif pasha; Shkodra ishte nën pushtimin e një detashmenti të ushtrive ndërkombëtare, nën kryesinë e kolonelit anglez, Filips, por që mbikëqyreshin nga admirali britanik, Bërni; në Himarë qeveriste agjenti grek Spiro Milo; në Gjirokastrën e pushtuar, qeveria e Jorgji Zografos; në Mat e më tej, Xhelal e Ahmet Zogu dhe shumë mercenarë që vepronin përgjatë kufijve verilindorë, si Arif Hiqmeti, Jusuf Beu, etj. Dibrën e qeveriste Jusuf bej Dohoçishti; përtej Drinit, Arif Hiqmeti me 2000 shqiptarë të veshur e të armatosur me pushkë e me uniformë serbe, i shërbente qeverisë serbe. Por nuk mbyllej me kaq. Këtyre u shtoheshin dhe udhëheqës të komuniteteve fetare, me qëndrim të dukshëm armiqësor ndaj pavarësisë, si Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi; Dervish beu në Elbasan; në Korçë dhespoti grek, Germanos dhe në Durrës, dhespoti Jakov. Teki bej Rusi për llogari të Greqisë, së bashku me Feim bej Zavalanin, për llogari të Serbisë, ndërkohë mbërrinin pranë Ismail Qemalit si misionarë me propozime për “bashkime”.
Dukej shkoqur se gjithë këta ishin kasnecë pararendës të fatkeqësisë kombëtare. Kudo mbizotëronte anarkia. “Unë jam turk, ç’lidhje kam me qeverinë e Ismail Qemalit?!”, ishte përgjigjia e Esad pashë Toptanit, kur u pyet për qeverinë e përkohshme nga një gazetar i huaj, në maj të vitit 1913. Ky ishte qëndrimi i hapur e armiqësor i Esad Pashë Toptanit.
Të ngjashëm me Esadin ishin shumica e pashallarëve me kombësi shqiptare. Me pasuri e toka, që e kishin vënë të parët e tyre, duke u shërbyer qenërisht okupatorëve turq, Shqipëria kish pak shpresa. Një idealist i shquar i kohës, Hil Mosi, më 20 gusht 1913, u bënte thirrje pasanikëve shqiptarë që të investonin kapitalet e tyre në atdhe. Si rrodhën ngjarjet më pas, asnjë nuk iu përgjigj thirrjes. Atdhe ata kishin Turqinë, vendi që u kish dhënë pasurinë dhe privilegjet. Në kujtimet që sjell Sejfi Vllamasi, bën të njohur se Isamil Qemali nuk e lejoi dhe e pengoi Isa Boletinin, kur ai i shfaqi dëshirën që për interes të Shqipërisë ta zhdukte Esadin në ditët që ai erdhi në Vlorë, gabim që u korrigjua veçse pas shtatë vitesh veprimtari antishqiptare. Plagët që i la në trup, Shqipëria i lëpiu për një kohë të gjatë.
“…Shqipëria e helmuar dhe e përçarë nga armiqësia…”, dolën si fjalë nga goja e Ismail Qemalit në fund të gushtit 1913, diktuar nga rrethanat dëshpëruese të krijuara nga sulmet tradhëtore, ndonëse më 29 korrik 1913, Konferenca e Londrës e kishte vendosur njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në mbledhjen e 31 korrikut, ajo vendosi që në krye të shtetit shqiptar të caktohet një princ i huaj dhe, në vijim të traditës që kish filluar me Greqinë 90 vjet përpara, e pasuar nga Rumania dhe Bullgaria, ky princ s’mund të ish tjetër përpos se një gjerman. Ky vendim gëzoi shumicën e popullit. Pas kësaj, qeveritë lokale në Shqipëri u detyruan ta njohin Princ Widin si të vetmin sundimtar të Shqipërisë, ndërsa krahina e Dibrës kishte ngritur krye kundër sllavëve serbë. Esad Pasha e ka rritur ndjeshëm sulmin e tij kundër Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Shpifjet e intrigat kanë zënë në kurth Myfit Libohovën, Azis Pashë Vrionin, Bektash bej Cakranin, Ahmet Zogun dhe, madje, me ta u bashkua edhe Faik Konica. Një varg i gjatë artikujsh të tij, fyes e tallës për “Malon”, zinin faqet kryesore të gazetës “Dielli”, të cilat ndikuan shumë për formimin e një opinioni dhe qëndrimi negativ te komuniteti shqiptar i emigrantëve të kolonisë së Amerikës, ndaj Ismail Qemalit. Kështu, shqiptarët humbnin kohën e çmuar, duke u marrë me grindje të dëmshme.
Më 1 shtator, 18 anëtarët e Senatit i dorëzuan Ismail Qemalit një dokument të nënshkruar prej tyre, ku përshkruheshin gabimet e kryetarit të qeverisë. “…Ne duam flamurin osman, prandaj do të ndahemi nga toskët”, u thosh Esadi katundarëve të Shqipërisë së Mesme. S’vonoi dhe gabimin e Ismail Qemalit e bëri dhe Princ Widi. Dy ministritë më të rëndësishme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Luftës ia dha Esad Pashës. Shumë shpejt u dëshmua se nxitimi në vendimmarrjen e posteve që ju besuan Esatit, ishte një nga gabimet më të rënda të Widit. Të gjithë këta dhanë ndihmesën e tyre në stisjen e akuzës ndaj I. Qemalit në çështjen e komplotit të Beqir Grebenesë.
Fuqitë e Mëdha ia kishin pastruar rrugën Widit. Ismail Bej Qemali, kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u largua nga Shqipëria i detyruar prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pikërisht njeriu mes shqiptarëve me më shumë përvojë politike dhe diplomatike; njeriu që nuk i kish përkrahur kurrë xhonturqit; njeriu që asnjëherë nuk bëri propagandë për osmanlinjtë, siç bënte Esat pasha, u akuzua për intrigat urkofile. Akuza, e ndërtuar me ndihmën e Syrja dhe Eqerem Vlorës, zgjodhi për përzënien e “plakut të urtë” Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, përmes dorës së kolonel Tomsonit. Një pëlqimi I. Qemalit për një pjesëmarrje të qeverisë së tij për t’iu bashkangjitur organizimit të trupave vullnetare, siç iu thanë bisedë me Beqir Grebenenë, “…për luftën e tërësisë tokësore shqiptare, për tokat në Kosovë e Çamëri”, u përdor për ta akuzuar si proturk?! Dhe kush? Ismail Qemali, për të cilin xhonturqit kishin dërguar dyherë me radhë njerëz për ta vrarë. Ai u largua pas 14 muajsh qeverisje, me pushtetin e marrë nga Asambleja Kombëtare. Më 22 janar 1914 dha dorëheqjen, duke mbështetur ardhjen e Vidit dhe duke u bërë thirrje bashkëkombësve që t’i bindeshin autoritetit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.
Shqiptarët ja njohën meritën plakut të Vlorës, ia vlerësuan mënçurinë e ndërgjegjen e pastër, ia njohën aftësitë diplomatike dhe i janë mirënjohës për besnikërinë ndaj popullit e atdheut. Ai është e do jetë me emër dhe veprimtari i përjetshëm në historinë e kombit.