I pranishëm edhe kryeministri Rama, zbardhen 5 çështjet që do diskutohen sot në tryezën e Këshillit Politik
20 KORRIK 2020
Këshilli Politik do të rimblidhet sot në orën 11:00 për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese që iu mbivendosën marrëveshjes së 5 qershorit.
Për herë të parë, ashtu sikurse është njoftuar në këtë tryezë do jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, cili do të mbrojë përpara anëtarëve të Këshillit, propozimin e listave të hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Ndërsa në vend të Lulzim Bashës, i cili nis sot vizitën zyrtare në Kosovë do të jetë numri dy i demokratëve, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
Në mbledhjen e Këshillit Politik pritet të diskutohet këto 5 pika:
-Këshilli Politik po rimblidhet pas kërkesës së PS për të diskutuar çështjet që dalin jashtë Marrëveshjes së 5 Qershorit. Marrëveshja e 14 Janarit dhe Dakordësia e 5 Qershorit i detyron palët të diskutojnë në Këshillin Politik çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.
-Çështja kryesore që del jashtë Marrëveshjes është ajo e ndryshimeve kushtetuese, e pranuar nga PS pas dakordësisë së 5 Qershorit. Ndryshimet kushtetuese heqin koalicionet parazgjedhore nga kushtetuta dhe ndalojnë partitë të garojnë në koalicion me lista të veçanta.
-PD dhe opozita kanë argumentuar se ndryshimet e njëanshme kushtetuese prishin marrëveshjen e 5 Qershorit, pasi koalicionet parazgjedhore janë pjesë e draftit të dakordësuar me ndërmjetësim ndërkombëtar.
-PD dhe opozita theksojnë se drafti i dakortësuar sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit duhet të miratohet pa asnjë ndryshim. Kjo do të thotë se çështjet e dakordësuara aty nuk mund të rihapen.
-Miratimin pa ndryshime të Marrëveshjes e kanë kërkuar SHBA dhe BE. Vende kyç si Gjermania, kanë paralajëmëruar qeverinë se miratimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese, pa konsensus, në thyerje të Marrëveshjes së 5 Qershorit, do të sjellë bllokimin e nisjes së negociatave.
Gazeta Sot