“I thashë Ramës bëhu vetë ministër i Jashtëm”- Meta përplaset ashpër me Baton Haxhiun, zbulojnë të pathënat e bisedave për ndarjen e Kosovës dhe mosdekretimin e Gent Cakaj
15 Shtator 2022
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur në Syri Tv për debatin e patur me kryeministrin Rama për mosdekretimin e Gent Cakaj si Ministër i Jashtëm.
Meta ka deklaruar se i ka propozuar kryeministrit Rama të vendosë një figurë politike me eksperiencë në postin e Ministrit të Jashtëm, ose ta merrte vetë atë, pasi zoti Cakaj sipas tij nuk mbarte të gjitha certifikatë e sigurisë që duheshin për atë post.
Ai shtoi se një arsye e fortë e mosdekretimit të Gent Cakaj ishte fakti se ai ishte deklaruar pro ndarjes së Kosovës.
“Çfarë i kam thënë Edi Ramës për këtë çështje. I kam thënë, o zotëri, pa certifikatë sigurie prej 6 muajsh, ja ku e ke nga ministria e Jashtme me dokument. Ja bëjmë sot tha certifikatën. Dhe i them, si ja bën sot. Që të bësh certifikatë sigurie për një njeri që ka studiuar në Hungari, etj., ka procedura.
Dhe i thashë, ti e di se çfarë hallesh kam unë si president, etj. I thashë, ministër i jashtëm dihet çfarë pune ka, ose bëj një nga këta të PS-së që ka përvojë, ose merre vetë dhe bëjë këtë zv/ministër. Më tha që është djalë shumë i mirë, më i dituri në botë. Shumë mirë, bëjë ministër Arsimi, se e kishte bosh. Bëje ministër kulture, por tek e jashtmja unë nuk merresha vesh me atë tjetrin që kishte shumë përvojë, se unë dua ti zgjidh këto gjëra, nuk dua ti ngatërroj.
Kaq është e gjitha, këtu nuk ka asnjë lloj konspiracioni. Po të ishte për Vetëvendosjen, unë s’do i kisha bërë të dy. Dhe Gjykata Kushtetuese u shpreh për këtë çështje“, tha Meta.
Gjithashtu Meta gjatë emisionit pati dhe një përplasje me analistin Baton Haxhiu. Ky i fundi deklaroi se mosdekretimi i Cakaj nuk ndodhi për shkak të deklaratave pro ndarjes së Kosovës, të cilat ai i quajti montazh, por për shkak të kërkesës së Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për të mos e pasur Gent Cakaj në krye të dikasterit të Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Pjesë nga debati Ilir Meta-Baton Haxhiu:
Meta: Nuk kam bërë asnjë lloj konspiracioni. Edhe jam këtu dhe e nis nga e para, plot energji, optimizëm dhe besim, karrierën time politike pikërisht se kam qenë i vërtetë. Nuk them që kam qenë i pagabueshëm, por kam qenë i vërtetë.
Haxhiu: E kam një përmbajtje, brenda rrëfimit tim, pavarësisht se unë e Ilir njihemi një kohë të gjatë, aq gjatë sa i dimë të metat njëri-tjetrit.
Unë kam pasur një komunikim për rastin Cakaj, privatisht dhe publikisht. Kur nuk e pranoi privatisht letrën, ja bëra të ditur publikisht, që po e bën një mëkat dhe konspiracion ndaj një djali të ri.
Meta: Çfarë të bëra unë për Genti Cakën, se ndoshta Edi Rama nuk ta ka thënë taman, por që ta dish të saktë. Dhe të sqarojmë këtë punën e përbaltjes, pasi të të jap dokumentet.
Haxhiu: E para ka qenë se ju nuk e nënshkruat dekretin për ministër. Ju pranuar grupin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin etj., dhe keni hy në një marrëdhenië konspirative për një djalë të ri. Sqaroja publikut për një djalë që për mendimin tim është ndër më të mirët.
Meta: Haxhiu flet për pjesën që di ai. Së pari kishim ndryshimet e gjysmës së qeverisë për shkak të grevës së studentëve, ishin 6-7 ministra. Ju e dini që unë si kam pasur marrëdhëniet mirë me ministrin Bushati, çështje pune. Këtu ishte problemi i detit me Greqinë. Ishte edhe koha e idesë së ndryshimit të kufijve, në Kosovë dhe Ballkan që ishte një shqetësim emri i imi. Propozohet si ministër i Jashtëm një njeri që nuk e njihja fare si president. Por ministri i Jashtëm është një njeri shumë i rëndësishëm, në raport me shtetit, sepse ai hedh një firmë dhe ajo firmë është në emër të Shqipërisë dhe shkon në çdo lloj gjykate. Mua më dërgojnë një intervistë të dhënë nga ai në një tv, ku fliste për ndryshimin e kufijve.
Haxhiu: Njeriu i cili ka folë i pari për korrigjimin e kufijve për Ilir Metën, jam unë. Nuk ka ditë gjë asnjë njeri. Për arsye se konspiracioni për të gjitha gjërat edhe ai i korrigjimit të kufijve vjen për shkak të sinqeritetit që kam pasë me Ilirin për një kohë të gjatë.
Meta: Pasi përcollëm Adem Demaçin, diskutuam për gjëra të ndryshme. Me Batonin mënjanë më tha se po diskutohet për korrigjimin e kufijve.
Gazeta Panorama