Ibrahim Rr. Gashi: – Autor i 8 librave me përmbajtje matematiko-astronomike dhe kronologjike.-

Ibrahim Rr. Gashi i takon brezit të parë të maturantëve të Gjimnazit të Mitrovicës. Ishte njëri ndër pedagogët, dijetarët dhe shkencëtarët tanë më të shquar. Kontributi i tij në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës është shumë i madh. Gjatë jetës ka arsimuar dhe edukuar shumë breza të rinjsh, ka shkruar dhe botuar qindra artikuj dhe libra shkencorë nga fusha e matematikës, astronomisë, historisë etj.
Ibrahim Rrahim Gashi u lind në Krujë (Shqipëri) më 23 gusht 1935, në një familje atdhetare me origjinë nga fshati Kotorr i komunës së Skenderajt (Drenicë) që në fillim mbante mbiemrin Radisheva dhe pastaj Hajrizi. I ati i tij, Rrahimi, i cili kishte kryer Shkollën Teknike shqiptaro-amerikane, e njohur si shkolla e Harri Fultzit, në Tiranë, ishte njëri ndër mësuesit e parë të Drenicës pas LDB-së. Ibrahimi e nisi shkollimin fillor në Turiçefc, e vazhdoi në Runikë, ndërsa e kreu në Mitrovicë. Në Mitrovicë e kreu edhe shkollën e mesme – Gjimnazin. Ishte maturant i brezit të parë (vitin shkollor 1954/55) bashkë me Ajet Morinën, Ejup Hamitin, Fikrije Devën, Halil Shaqirin, Hylkije Morinën, Islam Behramin, Jusuf Mripën, Liljana Kryeziun, Muhamet Hotin, Muhamet Kërveshin, Murat Bejtën, Mustafa Shukriun, Pëllumb Spahiun, Ramadan Gashin, Reshad Rudin, Rifat Osmanin, Sadika Kërxhaliun, Servete Rudin, Skënder Skënderin, Sulejman Kaçamakun, Vahedin Periucin, Vejsel Vejselin dhe Xhemajl Boletinin. U shqua si nxënës i shkëlqyeshëm dhe i gjithanshëm. U dallua sidomos në lëndët e shkencave ekzakte, por u mor edhe me aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e sportive. Qysh si nxënës filloi të merret me krijimtari letrare dhe shquhej si kitarist shumë i mirë.


Pas përfundimit të Gjimnazit, në shtator të vitit 1955, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Beogradit, ku studioi në degën matematikë-astronomi. Edhe gjatë studimeve u dallua si njëri ndër studentët më të zellshëm e më të mirë. Duke qenë se ishte njëri ndër studentët më të dalluar e më aktivë në shoqatën studentore “Përpjekja”, organet e UDB-së e mbanin vazhdimisht në shënjestër. Kështu, në prag të diplomimit, në prill 1959, UDB-a e burgosi bashkë me disa studentë të tjerë shqiptarë në Beograd. Më 15 qershor të atij viti e dëbuan familjarisht në Shqipëri. Diplomohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë, në Universitetit të Tiranës. Për vite me radhë ka qenë mësimdhënës i matematikës në disa shkolla të mesme. Më gjatë ka punuar në Shkollën e Mesme të Përgjithshme, që mbante emrin e heroinës, kushërirës së tij nga Radisheva, Shote Galica. Në vitet 1984 deri 1992, ishte profesor në Fakultetin Ekonomik, Gjeologji – miniera si dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Tiranës. Për punë të mirë në mësimdhënie, është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”.
Gjatë punës 31-vjeçare të tij në arsim, përveç se në mësimdhënie, është dalluar edhe në veprimtarinë shkencore e pedagogjike me arsimtarët e rrethit. Mori pjesë në diskutimet për hartimin e teksteve të reja për matematikën dhe astronominë, madje, për këtë të fundit, përgatiti e botoi përmbledhjen, “Probleme të zgjidhura astronomike”, si dhe librin “Vrojtimet astronomike”, për vitin e katërt të shkollave të mesme.
Puna e tij e vazhdueshme, në thellimin e studimeve shkencore, u kurorëzua në vitin 1979, me fitimin e gradës shkencore “Kandidat i shkencave”, konvertuar më vonë, “Doktor i shkencave”.
Në vitet 1980-1982, duke qenë zv. drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Shote Galica“, në Fushë Krujë, ka themeluar dhomën muze për Heroinën Shote Galica dhe patriotët tjerë që luftuan për çlirimin e Kosovës, ka organizuar një simpozium shkencor me tematikën përkatëse, ka grumbulluar materiale dokumentare nëpër muze e arkiva të vendit, ka organizuar një ekspeditë shumë të suksesshme në viset veriore të Shqipërisë etj. Dr. Ibrahim Gashi, nga janari 1993 e deri shtator 1996, ka kryer detyrën e diplomatit (sekretar II) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Atje ndoqi çështjet e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e politikës, të arsimit, të kulturës, të mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Nga aktiviteti diplomatik në Sllpveni, në vitin 2007, botoi librin “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar, sipas një diplomati”.


Pas daljes në pension në vitin 1996, Dr. Ibrahim Gashi iu përkushtua me tërë qenien shkencës dhe kulturës. Gjatë kësaj kohe, shkroi shumë artikuj shkencorë e metodikë për lëndët matematikë dhe astronomi, po kështu edhe me tematikë sociale e politike. Ka botuar 14 libra, tetë prej tyre me përmbajtje matematiko-astronomike dhe kronologjike: “Nga qielli ynë” (1995), ”Kalendari dhe kronologjia në botë dhe te shqiptarët” (2000), ”Ditënata dhe disa kuptime që lidhen me të” (2002), ”Kalendari Hixhri Hënor dhe lidhja e tij me kalendarin Julian dhe Gregorian” (2003), ”Kalendari Mali-Rumi dhe lidhja e tij me kalendarin Hixhri Hënor, Julian e Gregorian dhe me ditët juliane” (2003), ”Bazime astronomike për ritet dhe festat fetare islame” (2005), ”Bazat e kalendarit Kadhafi dhe lidhja e tij me kalendarë të tjerë” (2007). Ka lënë në dorëshkrim edhe disa libra të tjerë, dy prej të cilëve lidhen me kronologjinë shqiptare: “Kronologjia shqiptare dhe kalendarët arabo-osmanë” (2012), ”Kronologjia iliro-shqiptare ndër shekuj” (2012) . Në mars të vitit 2009, botoi monografinë “Xhemal Pazari, patriot i shquar tiranas”, ndërsa në vitin 2010 monografinë “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat në trojet Arbërore” (me bashkautor Fazli Hajrizin) dhe “Një komb, një shkollë, një kulturë” (2012). Ka lënë të gatshëm për botim 3 libra të tjerë dhe 2 libra, në anglisht, për kronologji të huaj.
Në vitet e fundit ka udhëhequr me atdhetarizëm e aftësi profesionale veprimtarinë e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, lidhur me “Studimin e mundësive të përafrimit, deri në njësim, të programeve e teksteve mësimore, në trojet shqiptare dhe në diasporë”.
Prof. Dr. Ibrahim Rr. Gashi ndërroi jetë më 9 maj 2012, në një spital të Selanikut, ndërsa varrimi i tij u bë më 10 maj në varrezat e Tiranës.

V.O. nxjerrë nga libri monografik “Gjimnazi i Mitrovicës”, botoi Libri Shkollor, Prishtinë, 2000, u ribotua në vitin 2016.