Ibrahim Shyti, patrioti vlonjat që “luftoi” me penë. –
Ibrahim Shyti, patrioti vlonjat që “luftoi” me penë. –
Nga: Theodhori Proko
Vlora, njihet në historinë e Shqipërisë si djepi që përkundi trima, të cilët folën me gjuhën e pushkës, por në gjirin e saj lindën edhe njerëz patriotë, që po aq trimërisht, “luftuan” me penë për pavarësinë dhe lirinë e atdheut. Një nga këta bijë të Labërisë, ishte dhe Ibrahim Shyti. Më kujtohet, se në fëmijërinë time të hershme, sa herë që ne, nxënësit e shkollës “1 Maj” të skelës, na mblidhte në shtëpinë e saj për të lexuar ndonjë libër bashkërisht mësuesja jonë, Godiva Shyti, mrekulloheshim me bibliotekën madhështore të të atit të saj. Në atë kohë, një plakë i imët, i kërrusur nga pesha e viteve të jetës, i lodhur dhe munduar nga hallet, nga vuajtjet dhe torturat në burgjet dhe internimet e gjata, ai lëvizte në rrugicat e lagjes me një biçikletë të vjetër të markës “Bianka” dhe për habinë tonë fëminore në vend të ziles së zakonshme, mbante varur në timonin e saj një zile të vogël bronzi, si ato që përdornin gjykatësit në sallën e gjyqit. Kur vinte e na gjente duke lexuar, sytë e tij ndriçoheshin nga një dritë gëzimi dhe përherë na bënte të njëjtën pyetje: “Pa më thoni, çfarë libri lexuat sot?” dhe pas përgjigjeve tona, i kënaqur, na kujtonte: “mos harroni të vini prapë nesër!”. Më vonë kur u rritëm, mësuam se ai ishte njeriu që hapi librarinë e parë në qytet, me emrin kuptimplotë “Shpresa”. Ibrahim Shyti, lindi në fshatin Tragjas në një familje të njohur për ndjenjat atdhetare, pjesëmarrëse në të gjitha lëvizjet përparimtare të kohës. Gjyshi nga babai, Mahmut Hoxha, ishte njeri me emër, jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë e Jugut. Me ndihmën ekonomike të familjes “Vlora”, ai u shkollua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe më vonë, përfundoi studimet e larta për klerik në Stamboll, duke u kthyer sërish në Vlorë e duke shërbyer si mësues për pinjollët e rinj të familjes së Vlorajve. I ati i Ibrahimit, Tahir Hoxha, në vitet 1878 – 1880, u bë një nga përkrahësit dhe veprimtarët e lidhjes shqiptare të Prizrenit, duke qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryetarit të degës së saj për Vlorën, Mustafa Pashës. Në këtë mjedis njerëzish të shquar e të respektuar, lindi Ibrahimi më 18 Maj 1879. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të fshatit, ku mësimet aso kohe zhvilloheshin në turqisht. Mësimi i gjuhës e ndihmoi atë të integrohej shpejt dhe lehtësisht në shoqërinë e lartë, kur shkoi për studime në kryeqendrën e perandorisë, në Stamboll. Atje ra në kontakt me patriotë të tjerë, me të cilët bashkëpunoi për përgatitjen e ditës së shpalljes së pavarësisë. Në 1908, kur shoqëria “Bashkimi” organizoi një takim me Ismail Qemalin, Ibrahimi ishte një nga pjesëmarrësit. Ende i ri në moshë ai pa tek figura e tij, njeriun që luftonte për Shqipërinë dhe nga simpatia për të, u lidh në një miqësi të ngushtë me djalin e madh të babait të ardhshëm të pavarësisë, Mahmut Vlorën. Së bashku punuan shumë që Ismail Beu të siguronte fitoren si deputet i Vlorës në parlamentin e atëhershëm turk. Me rekomandimin dhe përkrahjen e Shahin Kolonjës, Kristo Floqit dhe Mit’hat Frashërit, Ibrahim Shyti nisi të shkruajë artikuj të shumtë në shërbim të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare e t’i botojë ato në gazetat e kohës si “Kombi” e “Dielli” që botoheshin nga shqiptarët e Amerikës, dhe “Besa” e “Bashkimi” që botoheshin në Stamboll.
Pena e tij, “qëllonte” me të njëjtën forcë si arma, duke qenë në pararojë të luftës për përgatitjen e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në vitin 1909, Ibrahim Shyti, u kthye në Vlorë me porosi të qarta për përgatitjen e terrenit për betejën përfundimtare që do t’i shpallte trojet shqiptare zotër të vetes. Dhe njeriu lufton me atë armë që di të përdorë më mirë. Për Ibrahimin, arma e preferuar dhe më me efikasitet ishte pena, ndaj hapi në Vlorë të parën librari me emrin kuptimplotë “Shpresa”. Që prej asaj dite, libraria u kthye në një vatër mikpritëse ku mblidhej “djelmëria” vlonjate. -Atje, na priste Ibrahim Shyti, sikur të ishim bijtë e tij, -shkruan në kujtimet e veta shkrimtari ynë, Petro Marko, për vitet 1925-1931, kur ishte nxënës në shkollën tregtare. – Librat dhe gazetat i merrnim falas sikur të ishin tonat. I lidhur me fije të ngushta me patriotët jashtë atdheut, në librarinë “Shpresa” vinin shumë gazeta që botoheshin në emigracion si “Dielli”, Shqipëria e re”, dhe “Liria Kombëtare”. Shpesh Ibrahimi komentonte artikujt e shkruara në ato dhe na porosiste t’i shpërndanim te shokët. Veçanërisht, na rekomandonte të lexonin me vëmendje parathëniet e përkthimeve të Nolit, të cilat i konsideronte për ne, të rinjtë e asaj kohe, më të vlefshme se tekstet e librave. Në pranverën e vitit 1940, Ibrahimi ishte i shqetësuar se agjentët italianë bënin propagandë në popull duke i joshur edhe me shpërblime të majme, për të rekrutuar milicë e për t’i dërguar si “mish për top” në frontin e luftës italo – greke. Ato ditë, Ibrahim Shyti nuk mund të flinte i qetë dhe u ul e shkroi me dorën e vet një trakt, ku i bëhej thirrje rinisë vlonjate të mos gënjehej nga propaganda fashiste. Trakti u daktilografua nga i biri, Luteri dhe u shpërnda për gjithë natën “inkonjito” nga një grup nxënësish të shkollës tregtare. Të nesërmen fashistët arrestuan rreth dyzet vetë nga qytetarët e Vlorës, midis të cilëve edhe Ibrahim Shytin, bashkëshorten e tij dhe të birin Luterin. E para familje në Shqipëri që persekutohej egërsisht si kundërshtare e fashizmit. Duke rënë në gjurmët e autorit të traktit, ata nuk mund ta toleronin më këtë kundërshtar dhe morën vendimin për ta mbyllur librarinë “Shpresa”, duke e konsideruar si çerdhe të patriotizmit vlonjatë. E pas kësaj erdhi dhe internimi i radhës. Ai që ishte internuar nga turqit osmanli, u nis sërish larg atdheut, galerave të Italisë ku do të bëhej një shembull i qëndresës midis të internuarve nga vende të ndryshme, që vuanin dënimet për të njëjtin shkak.
Dhe nuk do të ishte internimi i fundit. Nazistët gjermanë e ndëshkuan përsëri. Përsëri një kalvar i ri vuajtjesh, dhimbjesh e torturash, por edhe prej andej, Ibrahimi shkruante artikuj duke bërë thirrje për pjesëmarrjen e të rinjve në luftën çlirimtare. Artikujt, ua dërgonte shokëve në formën e letrave me porosinë për t’i shpërndarë në çdo vatër vlonjate. Për fat të mirë, me mbarimin e luftës, Ibrahimi, mundi të kthehej gjallë nga kampi i internimit, por këtë fat nuk e pati i biri i tij, Hektori. Ai mbeti në kampin e përqendrimit të Prishtinës, duke hapur një plagë në zemrën e njeriut që i dha atdheut gjithçka, deri dhe një pjesë të gjakut të vet dhe nuk i kërkoi asgjë. Ibrahim Shyti, pati fatin ta shikoj të realizuar ëndrrën e tij, atdheun të lirë e të pavarur, për të cilën “luftoi” me penë një jetë të gjithë. Vitet e fundit, i kaloi në shtëpinë e tij fare pranë buzës së detit, në skelë, midis librave të tij nga të cilat nuk u nda deri ditën e fundit të jetës. Sipas amanetit të shkruar me dorën e tij, e gjithë “pasuria” e tij, rreth pesëmijë tituj librash, së bashku me dorëshkrime dhe dokumente me vlerë historike, ju dhuruan bashkisë së qytetit. Dhe bashkia i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”, atij që gjithë jetën “luftoi” me penë, duke nderuar Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.