Idajet Beqiri – “Buxheti shkoftë në djall kur nuk kemi njerëzit që të bëjnë punën”
19 Tetor 2022
Avokati Idajet Beqiri ka folur ditën e sotme në emisionin “Bardh a Zi”, ku mendon se shkak kryesor e shkarkimeve është pikërisht arsyeja se pse janë marrë në punë. Sipas tij, nëse nuk je militant i partisë nuk mund të fillosh punë.
Pjesë nga diskutimi:
Lapaj: Ka një problem që lidhet me vetë-respektimin që ne kemi karshi vetes sonë. Ne kujtohemi vetëm kur halli dhe heqja nga puna na vjen te vetja jonë. Nuk reagojmë kur dikujt tjetrit i bëhet padrejtësi. Të veçuar në një shoqëri kaq harbute saç jemi kthyer ne, jemi shumë të cenueshëm nga të tilla fenomene.
Beqiri: Pyetja e parë është “kush i ka marrë në punë dhe a duheshin marrë.” Pastaj pyetet “kush i hoqi.” Ai hiqet nga puna sepse kur është marrë, është marrë si besnik i asaj force politike që ishte në atë kohë, pastaj kur hiqet, hiqet se nuk është besnik i kësaj force.
Muça: Nuk ia vlen sepse bën një kosto aq të madhe në buxhet sa që ne do duhet të paguajmë nga xhepi ynë lekë çdo muaj që të kompensojmë gropën në buxhet. E dyta, ne i japim idenë tregut që është shumë e lehtë të heqësh dikë nga puna se sa ta marrësh.
Beqiri: Unë mendoj se para buxhetit është shteti. Duhet të mendojmë për shtetin, institucionet, funksionin e tyre. Buxheti shkoftë në djall kur nuk kemi njerëzit që të bëjnë punën. E keqja më e madhe e administratës sonë është që u ndërtua keq që në themele. U morën thjesht dhe vetëm si besnikë të partisë. Në rast se nuk ke lidhje dhe nuk je militant i tyre, që nga pastruesja dhe deri te më i larti aty në ministri, cilësia e parë që duhet të kenë është “A janë besnikë të partisë dhe a i japin votën.”
Lapaj: Ka dy kategori të punësuarish në shtetin shqiptar. Janë ata që funksionojnë me Kod Pune dhe ata të cilët kanë statusin nëpunësit civil. Këta të dytët janë më të mbrojtur nga ligji. U bë i tillë ligji që këta të ishin të paprekshëm nga politika, por rrugës i hapëm disa dyer dhe dritare. Ata që janë me Kod Pune kanë një procedurë heqje më të thjeshtë.
Muça: Diskutimi është pse nuk mbahet përgjegjësi personale nga titullarë dhe punëdhënës që heqin dikë pa të drejtë nga puna.
Beqiri: Shumica merren në punë jo si profesionistë, jo si njerëz që do ta ndihmojnë administratën. Shumë herë bëjnë mirë që i shkarkojnë. Nëse mua më japin një detyrë dhe nga ana tjetër unë atë pjesë të administratës që më sjellin e kam të paaftë, si do ta mbaj në punë. Nga ana tjetër kemi një antikap të madh te Gjykatat dhe vetë ata që i heqin nga puna. Ai ministri që heq dikë nga puna, dërgojnë disa juristë atje edhe shkon juristi me zë të mekur. Pse? Sepse edhe te ministri, juristi dhe vetë ministri ekziston i fortë koncepti.
Gazeta Sot