Identifikohen 100 persona që hynë nga Italia dhe s’u vetëizoluan

12 mars  2020

Policia e Shtetit ka identifikuar në terren nga kontrollet mbi 100 persona që ditët e fundit kanë hyrë në Shqipëri nga Italia dhe nuk janë vetëkarantinuar duke shkelur rregullat.

Personat në fjalë janë gjetur në Tiranë, Durrës, Fier dhe në Shkodër në makina dhe kafene. Ata janë shoqëruar nga policia në shtëpi dhe janë këshilluar që të mos dalin, ndërsa duke filluar nga nesër do të rikontrollohen nëse janë të vetëizoluar apo jo.

Mes atyre që kanë shkelur rregullat e vetëizolimit 14 ditor janë edhe gra e vajza.

Që prej orëve të pasdites, forca policore speciale të FNSH-së, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me patrulla ushtarake, kanë ngritur rreth 70 pika kontrolli në 8 qytetet kryesore dhe ato me risk të shtuar, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Patrullat, të stacionuara apo të lëvizshme po vijojnë të kontrollojnë drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që ditët e fundit kanë udhëtuar në vendet e prekura gjerësisht nga koronavirus. Për këta qytetarë parashikohet të vetëkarantinohen deri në 14 ditë, në të kundërt Policia do t’i gjobisë.

Kontrollet dhe më pas identifikimin, policia e bën në bazë të listës së marrë nga sistemi “Tims” të personave që kanë hyrë në Shqipëri në ditët e fundit nga Italia dhe vendet e tjera të prekura me koronavirus.

O.J/DITA