Murator nga Kalabardha(Golloborda) ne Vlore 1919.

…Vijon nga shkrimi i djeshëm:

Nga: KADRI DAUTI

16 Shtator 2022

Përfaqësuesi i Shoqatës «Golloborda» gënjeu për gjuhën e kalabardhasve, kur deklaroi se 90% e popullsisë flasin gjuhën bullgare. Sepse: së pari, në terma teknik, zhargoni sllavë përdoret vetëm në 14 nga 37 fshatrat e Kalabardhës që janë brenda kufirit shtetëror ose në 143 nga 324 fise, pra në vetëm 35% të kalabardhasve, ose flitet vetëm në 14 nga 25 fshatrat e bashkinë Kalabardhë që pretendohet, pra në e 143 nga 194 fise; së dyti, në substrat etnik, zhargoni nuk është gjuhë amtare, por një mbivendosje gjuhësore, që e ka imponuar Perandoria Bullgare në kohën e pushtimit të kësaj zone në shekujt 9-11-të, kur cari Bullgar urdhëroi shpërnguljen e popullsisë së disa fshatrave të Kalabardhës, për në malet e Pindit, në Bullgari, për 80 vjet që “kjo zonë të mbetet e zbrazët”.

KADRI DAUTI

Shkurt e folura është mishmash fjalësh shqip, sllavisht dhe rumanisht, që e kanë diktuar rrethanat historike që nga koha e pushtimit dhe e sundimit bullgar të kësaj treve. Të parët tanë kanë pohuar gjithnjë të vërtetën e origjinës shqiptare. Këtë të vërtetë e ka pohuar edhe i ndjeri Budin Budini, nga Klenja e Kalabardhës, i cili vdiq në moshën 100 vjeçare në vitet 70 të shekullit të kaluar, kur tha: «Biro, kam biseduar me të ndjerin pop Angjele Rajkun, nga fshati Steblevë, që vdiq në vitin 1902, në një moshë rreth 100 vjeçare dhe ai më tha, atëherë: «Ne, ortodoksit e Gollobordës, jemi shqiptarë të pastër, të ardhur nga Macukulli i Matit dhe nga zona të tjera të atij rrethi». Gjuha e nënës e kalabardhasve është gjuha e bukur shqipe, gjuha e bekuar e Perëndisë. Përfaqësuesi i Shoqatës «Golloborda» e di mirë si këndojnë kalabardhasit në zhargonin sllavë përreth flamurit tonë kombëtar shqiptar:

“Rosa rosit, v’Arbanoshka zemja = shi i imët bie në tokën arbërore

shto na rosi cervenion bajrak   = që na e lagu flamurin e kuq

rosa rosit, v’Arbanoshka zemja  = shi i imët bie në tokën arbërore

shto na rosi kiteni svatovi …   = që na i lagu krushqit e stolisur.

Kjo është gjuha e kreshnikëve kalabardhas, me të cilën u kanë folur pushtuesve sllavë atdhetarët martirë Hazis Lila, Hasan Muglica, Elez Koçi, Fetah Cami, Ahmet Cami dhe mijëra të tjerë. Në kohën e caktimit të kufijve (1913), gratë e Trebishtit dhe të fshatrave të tjerë janë përgjigjur shqip përpara anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve dhe më vonë atij të Ratifikimit. Kujtojmë se ushtria bullgare, në 1916, ia preu kokën preu kokën komandantit të “Çetës Kaçake”, Mehmet Zenel Hoxhës, se kërkoi «harfe shqipe»! Natyra e shqiptarëve por edhe e gollobordasve, në zemër të Arbërisë, ka qenë e tillë që në lashtësi, siç historiani i lashtësisë, Straboni, thotë se “Fiset pellazge ishin bilingë …”, sepse flitnin latinisht dhe shqip. Shqip kanë folur edhe filozofë e historianë të lashtë grekë, dhe ne do mund t’i quajmë shqiptarë? Dihet se dygjuhësia nuk është fenomen vetëm i krahinës së Kalabardhës, por ajo ndeshet edhe në të folmen e popujve të tjerë të Ballkanit, të Evropës e të kontinenteve të tjerë të Botës. Vetë Bullgaria e di mirë ndikimin e madh të helenizmit te pjesa më e madhe e bullgarëve, në shekullin e 18-të, “saqë shumica e popullatës e quanin veten grekë me arsyen se gjuha greke është gjuha e fesë së tyre”. Mirë që doli prifti Paissi dhe i thirri popullit bullgar, “njiheni historinë dhe gjuhën bullgare!” Përfaqësuesi i Shoqatës «Golloborda» gënjeu për traditat e zakonet e kalabardhasve dhe veshjet tradicionale, që janë vetëm shqiptare, dibrane: kuq e zi.

Burrat kalabardhas mbajnë kësulën e bardhë mbi krye në shenjë krenarie për origjinën e tyre arbërore dhe hidhnin vallet e bukura të shqiponjave, në dallim nga vallet këmbëplasëse të sllavëve. Karakteristikat e veshjes së grave të Trebishtit e të fshatrave të tjerë të Kalabardhës janë shqiptare, janë unikale në zonë dhe nuk gjenden as në Bullgari e as në Maqedoninë fqinje. Kjo është e vërteta etnokulturore. Kalabardha e ka sprovuar atdhetarinë e saj me vepra, siç më shkruan një intelektual i nderuar dibran, me peticione “drejtuar Lidhjes së Kombeve duke kundërshtuar veçimin e krahinës nga trungu i saj kombëtar”, Shqipërinë. Krahina jonë është e lavdishme, si shumë krahina të tjera shqiptare.  Bullgaria i ka vrarë e prerë kalabardhasit, e ka djegur Kalabardhën sepse ishin shqiptarë. Ushtria pushtuese bullgare vrau e i futi të gjallë në varr Eles Koçin dhe Qazim Dukën në Ostrenit të Madh, më 4 mars 1916, se ngritën flamurin kombëtar shqiptar në fshatin e tij Ostren! Vrau Iljaz Kanxhën, Tahir Zenelin, Jashar Lilën, Murat Cenaj dhe Jusuf Çelën në Trebisht; Jonuz Shirën dhe Rustem Shabanin në Tërbaç etj. Ushtria bullgare internoi në Negotinë gjithë banorët myslimanë të Sebishtit. Edhe në vitin 1916, bullgarët ngritën në Trebisht, në Klenjë dhe në Ostren të Vogël krahinari, por morën përgjigjen nga kalabardhasit. Nëse kalabardhasit qenkan bullgarë, përse Bullgaria nuk ka bërë asnjë investim në Kalabardhë për 30 vjet?! As rrugë, as shkollë, as spitale, asgjë! Veçse ka dhënë ca kacidhe për një kishë në fshatin Steblevë. Po, mos tia hamë hakun, ka dhënë edhe gjashtë kompjuterë për shkollën e mesme “Elez Koçi” të Ostrenit të Madh, atdhetarit që e futi në dhe të gjallë në 1916.

Nëse kalabardhasit do ishin bullgarë, përse Bullgaria i ka vrarë e ka prerë historikisht, në 1915-1916, në 1941-1944?! Përse internoi sebishtasit?! Përse ngriti burgun në Sebisht? Përse ngriti garnizonin ushtarak në lagjen Guri të Ostrenit të Madh?! Përse ua grabiti e ua dogji gjithë shtëpitë?! Po, Bullgaria ka dhënë mijëra pasaporta falco për t’i larguar kalabardhasit nga shtëpitë e vendlindja! Kujtojmë aksionin e 2018-2019 që shkatërroi grupin e “falsifikatorëve të pasaportave”, mes tyre edhe Petar Haralampiev, drejtor i Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit dhe Krasimir Tomov, sekretar i përgjithshëm i kësaj Agjencie, persona “përgjegjës” për bërjen shtetas bullgarë të 1900 shqiptarëve. Kalabardhasit kanë besim të plotë se parlamentarët tanë do tregohen kombëtar, nuk do bien pre e mashtrimeve gjeopolitike dhe nacionalizmave të sëmurë bullgar apo maqedonas, sikurse parlamentarët e vitit 2017, kur miratuan ligjin antikombëtar të pakicave, diskriminues për kalabardhasit atdhetarë. Do vlerësojnë të vërtetën historike, autoktoninë dhe rrënjët iliro-arbërore të kalabardhasve, do vlerësojnë atdhetarizmin, nderin, krenarinë e dinjitetin kombëtar shqiptar të tyre. Kalabardhasit deri dje kanë luftuar dhe derdhur gjakun për mbrojtjen e lirisë e trojeve të veta stërgjyshore dhe sot protestojnë për këtë me flamurin e tyre kombëtar kuq e zi! Kalabardha ka qenë e do jetë kështjellë e Arbërisë, e shqiptarizmit. Identiteti ilir-arbëror i kalabardhasve nuk është plaçkë tregu.

Nga Gazeta Sot