Identiteti ilir-arbëror i kalabardhasve nuk është plaçkë tregu. (Pjesa e Pare).
Nga: KADRI DAUTI
15 Shtator 2022.
Në kuadrin e reformës së re administrative territoriale që po ndërmerret, muajt e fundit, disa shoqata kanë shprehur kërkesat për të shpallur bashki krahinën e Kalabardhë (ish-Golloborda). Pretendimet ndahen në tre grupe lidhur me etninë. Shoqata Atdhetare «Hazis Lila» kërkon shpalljen e bashkisë mbi identitetin faktik kombëtar shqiptar të popullsisë së kësaj krahine. Shoqata «Golloborda» me pretendime okulte, antikombëtare para deputetëve të komisionit të reformës hodhi një gurë për krijimin e një bashkie minoritare bullgare. Pa u prononcuar drejtpërdrejtë, edhe përfaqësuesi i Shoqatës për Zhvillimin e Steblevës ishte në të njëjtën linjë.
Edhe kryetari i minoritetit maqedonas në Shqipëri, Vasil Sterjovski, ka adresuar kërkesën për krijimin e dy bashkive minoritare maqedonase në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës, ndërkohë që deklaron se: “Minoritet bullgar nuk ka në Shqipëri.” Kërkesa për krijimin e bashkisë në Kalabardhë është nevojë jetike për rivitalizimin e kësaj krahine atdhetare dhe të lavdishme. Por vetëm kërkesa për bashki shqiptare është legjitime, e drejtë. Kërkesat për krijimin e bashkisë minoritare janë fallco, janë haptazi antikombëtare, antikushtetuese, diskreminuese për popullsisë kalabardhasve dhe për këtë krahinë kreshnike shqiptare. Sepse kërkesat e linjës maqedonase dhe asaj bullgare janë pa asnjë bazë etnike, se nuk ka asnjë kokë njeriu maqedonas apo bullgar në Kalabardhë. Se ata janë vetëm spekulime të pastra gjeopolitike, nacionaliste. Sepse kalabardhasit janë 100% shqiptarë autoktonë. Kjo është e vërteta historike e padiskutueshme dhe nuk ka tjetër. Përfaqësuesit e linjës për bashki minoritare bullgare bëjnë haptazi pazare me identitetin e kalabardhasve dhe të shqiptarëve, vetëm për të zhvatur ca para nga Bullgaria. Ata bëhen sejmen të politikës zyrtare dhe qarqeve nacionaliste bullgare, kur as vetë nuk deklarohen se janë bullgarë, sepse dihet mirë nga gjithë kalabardhasit se identiteti i tyre i vërtetë shqiptar.
Në Kalabardhë nuk ka qenë zakon tradhtia, por ja që edhe në këtë trevë atdhetare shqiptare, kanë mbirë edhe tradhtarë të identitetit dhe të gjakut të tyre. Dhe kjo vetëm nga disa rasputinë, disa injorantë, që shesin edhe babain, gjyshin, stërgjyshin për para. Unë nuk mund ta kuptojë kurrë, si mundet që krahina jonë kaq atdhetare, kaq fisnike, me kaq shpirt e me vlera të larta kombëtare shqiptare të ketë tradhtarë të tillë që guxojnë të shesin identitetin e tyre dhe të kalabardhasve te maqedonët dhe bullgarët?!
Ky është një turp për ta! Deklaratat, sikurse ata para komisionit parlamentar të reformës administrative territoriale, se kalabardhasit janë bullgarë, përbën një gënjeshtër të së vërtetës së identitetit shqiptar të kalabardhasve, përbën një deklarim të rem para një komisioni ligjvënës me qëllim manipulimi. Dhe kjo është e dënueshme jo vetëm moralisht, por edhe penalisht. Kjo përbën një tradhti kombëtare, më e keqe se shitja e Shën Naumit, se shitja e Detit. Një shitje që është në vazhdën e strategjisë së vjetër gllabëruese të trojeve shqiptare nga Bullgaria, si mundësi e fundit për t’i zhvatur ca popullsi Shqipërisë para se ajo të futet në BE, që ta shfrytëzojë këtë si kalë troje për të ndërhyrë në politikën e brendshme të saj. Por siç duket tre janë faktorët që e nxisin këtë tradhti: së pari, paguhen mirë për këtë; së dyti, kanë marrë zemër nga ligji antikombëtar i minoriteteve i vitit 2017, miratuar nga parlamenti shqiptar!; së treti, anarkia morale, sociale, ekonomike e patriotike që ka kapluar vendin e shoqërinë tonë, sikur thoshte Fan Nolit se «këtu, …, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh». Rasputinët maqedonas, me në krye ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, thonë se nuk ka bullgarë në Kalabardhë – dhe këtu kanë të drejtë – por ka minoritet maqedonas dhe kërkojnë që kjo bashki të krijohet mbi këtë bazë. Rasputinët bullgarë thonë se nuk ka minoritet maqedonas në Kalabardhë – dhe këtu kanë të drejtë – por ka minoritet bullgar, dhe bashkia duhet krijuar mbi këtë bazë. Dhe kjo duket vërtetë qesharake dhe që janë deklarata gjeopolitike në interes të strategjive të tyre të vjetra nacionaliste ndaj trojeve shqiptare.
Ne që jemi autoktonë në Kalabardhë, nën nderin dhe përgjegjshmërinë tonë morale, deklarojmë të vërtetën se në Kalabardhë nuk ka as minoritet maqedonas dhe as minoritet bullgar. Këtë të vërtetë absolute e vërtetojnë të gjithë faktorët gjenetikë, etnikë, historik, kulturorë, tradicionalë, arkivor, dokumentar, siç e tregojnë edhe harta e tabela bashkëlidhur e censusit 2011. Po, në Kalabardhë ka kalabardhas, sikurse shqiptarë të tjerë nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Berati, Vlora etj. që kanë nevojë për një pasaportë bullgare për të ikur në Gjermani, Angli, Francë për të punuar, por asnjë në Bullgari. Fatkeqësi është se një pjesë e opinionit, ndonjë politikan si dhe disa media shqiptare, duke mos njohur apo injoruar pavetëdije të vërtetën historike, amplifikojnë poshtërsisht dhe padrejtësisht sajesat nacionaliste të bullgarëve për krahinën e Kalabardhës. Edhe Televizioni Kombëtar Shqiptar, me financim të Ambasadës Bullgare, përgatiti një film dokumentar në tre pjesë plotë fallsitete për «pakicën bullgare». Si dilenxhinj që janë e nuk kanë faqe që tu skuqet e ndërgjegje që t´i vrasë, matrapazët hedhin një gur dhe fshehin dorën dhe si fabula që njëqind të mençur nuk e nxjerrin dot gurin që hedh budallai. Këta edepsëz, – siç thotë populli nga anët tona – vazhdojnë të hedhin më shumë gurë dhe fërkojnë duart tek shohin të zgjuarit duke u munduar të kthjellojnë ujin e të nxjerrin gurët. Megjithëse Rumi mendon se “Me një fakt mund të mundësh 40 profesorë, një idioti nuk ia del dot as me 40 fakte”, kalabardhasit ia kanë dalë e do ia dalin, se janë me të vërtetën historike, fakt përmbi çdo falsifikim absurd. Këta edepsëz, të varfër në shpirt e të dobët në karakter, që mbi nderin e dinjitetin venë paranë, vetëm sajojnë fakte dhe gënjejnë në mes të ditës.
Gënjejnë si derri se kalabardhasit janë maqedonë, janë bullgarë. Edhe një herë ua themi të vërtetën në mes të ditës: kalabardhasit kanë qenë, janë e do të mbeten me gjak të pastër shqiptar. Dhe për çudi autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri heshtin, megjithëse faktet i kanë tashmë në dosjet e tyre. Hesht edhe SPAK-u, kur vetë Bullgaria ka arrestuar para disa vitesh shitësit e 1900 pasaportave fallco për shqiptarët. Policia shqiptare ka ndaluar vetëm dy mashtrues në Tiranë, që u kanë marrë 25 shtetasve shqiptarë 40.000 €, kur “Wehrmacht”-ët shqiptarë pinë limonadë në “Hotel Dajti” me paratë ryshfet për pasaporta bullgare.
Ndërhyrja e nëndheshme nacionaliste e diplomacisë maqedonase dhe bullgare në etnicitetin e kalabardhasve rrezikon identitetin e tyre kombëtar dhe interesat kombëtare të Shqipërisë. Ndërkohë që jetojmë në sistemin demokratik, në perspektivën e Bashkimit Evropian, parimi bazë mbi të cilin është ngritur ky projekt politik është mosndërhyrja as në identitetin kulturor, jo më në atë identitetin etnik. Këtë besojmë se e dinë edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që megjithëse është shqiptar, vjen si kaçak në Trebisht të Kalabardhës, më 28 gusht 2022, dhe u tregon arrat trebishtasve. U thotë që ju jeni maqedonas, dhe duhet të kërkoni krijimin e bashkisë së Kalabardhës mbi bazë minoritare maqedone. E kujt ia thotë?! Këtyre burrave e grave shqiptare, atdhetarë e trima të zotë e të nderuar, që kanë luftuar brez pas brezi kundër armiqve të tyre sllavë, që i kanë luftuar për lirinë e vendit të tyre të shqiponjave, që kanë ndërtuar Shqipërinë. A thua se ata nuk i njohin të parët e tyre, rrënjët e tyre, gjakun e vetë dhe duhet të vij një «ministër» e tu tregoj përralla. Këtë mund ta bëj vetëm një antishqiptar. Sepse z. Osmani është ministër se është shqiptar, e jo maqedonas.
Heshtja dhe kthimi i shpinës nga trebishtasit e urtë e të mençur ka qenë përgjigja më e duhur që ka marrë: nuk ka pakicë kombëtare maqedonase në Kalabardhë. Këtë duhet ta kishte ditur mirë ministri Osmani dhe të mos vinte fare në Kalabardhë për të ndjellë përçarje mes kalabardhasve. Po kështu atje ka vajtur edhe ambasadori bullgar para disa muajsh, i cili ka marrë të njëjtën përgjigje nga kalabardhasit patriotë: nuk ka pakicë kombëtare bullgare në Kalabardhë.
Nga hulumtimet e plota historike e dokumentare, por edhe trashëgimia gojore e të parëve tanë vërtetohet katërçipërisht origjina iliro-arbërore, shqiptare e kalabardhasve. Të …. fiset që banojnë në 37 fshatrat e krahinës së Kalabardhës, që janë brenda kufirit shtetëror, figurojnë autoktonë. Asnjë fis nuk figuron i ardhur. Nëse bullgarët dhe maqedonasit pretendojnë se ka minoritet në Kalabardhë, le të dokumentojnë të paktën një fis se nuk janë autokton! Le të nxjerrin statistikat zyrtare dhe listat e minoritarëve. Dhe ne do u argumentojmë me ADN, me trashëgimi historike, me traditën etnokulturore dhe plotë fakte të tjera se asnjëri prej atyre që pretendoni ju, nuk janë sllavë. E vërteta e padiskutueshme është se: kalabardhasit janë autoktonë në trojet e veta, janë me rrënjë e gjak të pastër shqiptar.
Kështu, diplomacia bullgare e maqedone mos t´i fryjnë më politikës së vjetër të tyre nacionaliste, shoviniste. Historia e ka provuar që kalabardhasit nuk shesin gjakun e tyre. Për këtë mjafton t´i hedhin një sy përgjigjes që kanë marrë nga kalabardhasit kur sllavët kanë ardhur si pushtues në këto treva në vitet e Luftës së Parë e të Dytë Botërore.
Kalabardhasve nuk ua nxinë dot faqen askush, se ata kanë qenë e mbeten burra fisnikë e patriotë, Zot në trojet e tyre kombëtare shqiptare! Sapo shqiptarët të mos kenë më nevojë për pasaportën bullgare do marrë fund edhe maskarada e këtyre idiotëve, edepsëzëve. Dhe historia do i kujtojë si tradhtarë.
Ju, rasputinë, mund të deklaroni çfarë të doni sot, në këtë anarki që sundon në Shqipëri, por gjakun që rrjedh në damarët e tyre nuk ua ndërroni dot kalabardhasve, ADNI-në nuk ua ndërroni dot. Shpirtin kombëtar dhe krenarinë, respektin për të parët e tyre kreshnik nuk ua shkulni dot. Se kalabardhasit janë me karakter burrëror, janë patriotë, janë fisnikë dhe e kanë treguar veten gjithmonë përballë hasmit sllav. Sikurse dhe gjyshërit e stërgjyshërit tuaj, që ju sot ju hidhni baltë mbi ta, përdhosni identitetin e tyre për ca kacidhe. Kalabardhasit kanë qenë gjithnjë dhe do jenë faqebardhë.
Vazhdimi. Pjesa e Dyte ne diten e neserme….
Nga Gazeta Sot