
Ikin ‘plakat e Prillit’, vjen Pranvera. – Keni bërë plane?
11 Prill 2025
Çmenduria e një jave më parë që riktheu reshjet e borës dhe ulje drastike të temperaturave, duket se ka marrë fund, duke i lënë radhës stinës së pranverës. Metereologia Lajda Porja nga “Meteoalb” në një lidhje me studion e lajmeve u shpreh se kjo javë ka qenë një javë shkurti, e ftohtë, ku edhe pse jemi në mesin e pranverës njerëzit këtë javë kanë veshur xhupat.
“Ndryshon gjithçka tashmë që nga dita e sotme, ku ka pasur rritje të temperaturave në mëngjes, megjithatë mbeten me 2 gradë zonat malore, dhe maksimalet 22 gradë.
E shtuna dhe e diela do të sjellin rritje të temperaturave, ku mëngjeset do të bëhen më të ngrohta. Duke filluar që nga kjo fundjavë dhe javën tjetër ku t’i ndjejmë ato mëngjese të freskëta pranvere dhe jo të ftohta si mëngjeset e dimrit.
Në të shtunën dhe të dielën termometri do të ngjitet me 4-5 gradë, ndërsa presim temperatura në 24 apo 25 gradë. Megjithatë vranësirat do të jenë prezente, herë pas here do të gjenerojnë në reshje, kryesisht në zonat malore, por jo problematike. E diela do të jetë e kthjellët dhe me temperatura të larta dhe java tjetër do të jetë tipike pranverore”, u shpreh metereologia Lajda Porja.