Ikja, e vetmja që ngelet per Shqiptaret
Ikja, e vetmja që ngelet per Shqiptaret
– 17/08/20
Shumë gjëra kanë ndryshuar pas disa muajsh bllokim e izolim prej pandemisë. Stili i jetës, mënyra e të menduarit, perspektiva, ndjesitë. Jemi në një gjendje krejt të re. Secili nga ne, dhe kjo, kudo në botë. Ama një gjë rezulton se ka ngelur e pandryshuar. Në qershor, shqiptarët ishin sërish të parët në rajon dhe në lindje dhe të dytët në glob që kërkojnë të ikin nga vendi. Vetëm sirianët marin rrugët dhe aplikojnë për azil më shumë se sa ne.
Ky zbulim është bërë sot publik nga revista e njohur Monitor.
Të dhënat janë edhe më tronditëse, kur del se një pjesë e mirë e atyre që nuk arrijnë të qendrojnë në vendet e BE, tentojnë sërish të ikin. Dhe po ashtu, ata që nuk marrin përgjigje pozitive, riaplikojnë për azil.
Çka dëshmon jo një trill, një lëvizje spontane, por një këmbëngulje. Një vendim të pjekur.
Ikja, largimi, kryesisht e të rinjve, është plaga më e madhe e vendit sot.
Eshtë po ashtu protesta dhe kontestimi më i fortë që i bëhet kësaj qeverisje të 7 viteve të fundit. Falë saj, ka shkuar pothuaj në gjysëm milionë numri i personave që i kanë kthyer kurrizin atdheut.
Nuk ka metodologji, sondazh, apo studim më kokëfortë dhe më dramatik, se sa ky tregues, për mënyrën se si udhëhiqet vendi dhe gjendjen ku ndodhemi.
Ikja është po ashtu zgjedhje e dëshpëruar duke patur parasysh se mundësitë në Europë janë gjithnjë e më të pakta.
Por Shqipëria nuk i mban dot bijtë e saj, pasi modeli që mbizotëron sot është irritues, neveritës dhe revoltues.
Shqipëria është vend i mirë për të jetuar vetëm për rilindasit, vetëm për skotën e qeveritarëve, vetëm për taulantët e elisat, pra për një segment të ngushtë që është zhytur në privilegje e pasuri, e që shtyp pjesën më të madhe të qytetarëve.
Ata që ikin, sigurisht mendojnë për jetën dhe të ardhmen, dhe janë totalisht në të drejtën e tyre.
Por në këtë vrik e rrëmbim për t’u larguar, ata e dëmtojnë rëndë vendin, duke e lënë pa energjinë e të rinjve, duke ndikuar në plakjen e popullsisë, dhe duke ndihur gjendjen e ligatinës që i shkon për shtat një qeverie të korruptuar që mendon vetëm për interesat e saj.
Duke qënë më të papajtueshmit me gjendjen, me qeverinë, duke ikur ata marrin me vete edhe një pjesë të forcës për ndryshim.
Çdo qeveri do të ndihej keq përballë këtij fenomeni, që është akuza më e fortë ndaj saj, do ndihej ligsht çdo udhëheqës, do reflektonte thellë secila mazhorancë. Por kjo nuk ndodh me këtë që kemi në krye.
Rlindja dëshiron që këtu të qendrojnë militantët e saj, baza e votuesve tradicionalë, të gjithë faktorët e errët të trafikut të votës, që të mundësojnë sa më shumë pushtet e kapje pas privilegjeve. Të tjerët, udha e mbarë u qoftë.
Gazeta Mapo