Ikona “Lindja e Krishtit”, një nga veprat e vecanta që ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar Korce
31 Dhjetor 2022
Gazeta Sot
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë. Në ambientet e tij ruhet dhe ikona “Lindja e Krishtit”.
Muzeu bën me dije se ikona ishte pjesë e ikonostasit të katedrales “Burimi Jetëdhënës”. “Gëzuar nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar! Këtë vit kartolina jonë i përket “Lindjes së Krishtit”, pikturuar nga një prej ikonografëve më të shquar të shek. XVIII, Konstandin Zografi nga Korça. Ikona ishte pjesë e ikonostasit të katedrales “Burimi Jetëdhënës” në Korçë dhe është një nga veprat e çmuara, që ruhen në ambientet e Muzeu Kombëtar të Artit Mesjetar, në seksionin e dedikuar vëllezërve Zografi dhe krijimtarisë së tyre të jashtëzakonshme. Në fund shkruhet: “Viti 1770, nga dora e Kostandinit””, thuhet nga muzeu. Kostandin dhe Athanas Zografi ishin piktorë shqiptarë të shekullit të 18-të nga fshati Dardha (Drenovë) e Korçës, Shqipëria e jugut. Ata janë konsideruar si piktorët më të njohur të shqiptarë post-bizantinë të artit ikonografi të shekullit të 18. Veprimtaria e piktorëve korçarë në vetvete është shumë e madhe, si në pikturën murale si dhe në ikona, dhe shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut , dihet se përfshihet në periudhën 1744 – 1783. Nga piktorët Zografë, përveç ikonash të panumërta, trashëgojmë mbi 10 ansamble pikturale murale. Ngjyra kryesore e përdorur në veprat e tyre ishte në të bardhë, blu të ndritshme dhe të kuqe të errët. Fondi i Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.