Ikona “Shën Mëria” e vitit 1745 e Zografëve dhuruar muzeut nga pasardhesit e kesaj familjeje
Ikona “Shën Mëria” e vitit 1745 e Zografëve dhuruar muzeut nga pasardhesit e kesaj familjeje
SHKURT 2021
“Shën Mëria me lule” është një ikonë shumë e veçantë e pikturuar nga atelia e Zografëve, në vitin 1745. Ikona i është dhuruar Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë nga vetë brezat e mëvonshëm të familjes Zografi. Muzeu ka publikuar një material, ku shkruhet se ikona është vendosur mbi një kornizë shumë të bukur, e gdhendur në dru, korniza është pjesë përbërëse e ikonës dhe jo pjesë që i bashkangjitet asaj. “Korniza është gdhendur me motive të floreale si: lule, gjethe, zogj e fruta të ndryshme. Në pjesa e sipërme ikona përbëhet nga një zonë e vogël e ngushtë e harkuar në të cilën paraqitet “Ati i Shenjtë” ndërmjet reve pupëlore, duke bekuar me të dyja duart. Ikona në pjesën kryesore të saj paraqet Shën Mërinë të vendosur ndërmjet një kurore lulesh. Ajo është duke mbajtur në krah Krishtin me veshje të dekoruara. Krishti është punuar në miniaturë duke mbajtur në njërën dorë sferën e botës, kurse në dorën tjetër mban skeptrin e shenjtë. Në kokë mban kurorën mbretërore”, thuhet në materialin nga Muzeu Kombëtar u Artit Mesjetar në Korçë, që ka publikuar dhe foto të kësaj ikone në faqen e tij.
Një tipar i veçantë që vërehet në këtë ikonë është pikërisht fakti, që Shën Mëria mban një lule. Muzeu shkruan se elementi i lules nënkupton pafajësinë e figurës së Shën Mërisë. “Veshja ose hitoni i Shën Mërisë është i pasur me motive floreale. Gjithashtu bie në sy një mafor, i cili kopsitet në gjoksin e saj me anë të një luleje. Në pjesët anësore prezantohen dy kryeëngjëj, duke mbajtur në duar elitarë dhe skeptrin e shenjtë. Tonalitet e kafenjta përshkrojnë fytyrat e personazheve në ikonë, megjithëse tiparet e tyre janë delikate, elegante dhe humane”, vijon materiali për ikonën. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Brenda muzeut gjenden më shumë se 7 000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare.
Gazeta Sot