Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”, në restaurim
Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”, në restaurim
27 GUSHT 2021
Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët” janë në proces restaurimi, në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Berat. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat Eugen Kallfani në një status të tij shprehet se po dalin në dritë thesare të trashëgimisë. “I përditshëm ky proces, ku ngadalë -ngadalë dalin në dritë thesare të trashëgimisë sonë kulturore. DRTK Berat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe ITKT-Tiranë është duke restauruar ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë ” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”.
Dy diamante të Kostandin Zografit, që datojnë në fundin e shekullit XVIII”, shprehet ai në Facebook. Kostandin dhe Athanas Zografi ishin vëllezërit piktorë shqiptarë të shekullit të 18-të nga fshati Dardha (Drenovë) e Korçës. Ata janë konsideruar si piktorët më të njohur të shqiptarë post-bizantinë të artit ikonografi të shekullit të 18 dhe në përgjithësi të rajonit të Epirit. Veprimtaria e piktorëve korçarë në vetvete është shumë e madhe, si në pikturën murale si dhe në ikona, dhe shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut, dihet se përfshihet në periudhën 1744- 1783.
Nga piktorët Zografë, përveç ikonash të panumërta, trashëgojmë mbi 10 ansamble pikturale murale. Mbas një studimi krahasues të materialeve epigrafike e pikturale të botuara nga autori grek Pelekanidhi del se aktivitetit të piktorëve korçarë Kostandin e Athanas Zografit, të njohur deri më sot brenda dhe jashtë atdheut, duhet t’i shtohen edhe dy ansamble pikturale, që ndodhen në dy kisha të Prespës në Greqi, dhe se fillimi i aktivitetit të këtyre piktorëve duhet të çohet më 1741, në vend të vitit 1744 . Puna e vëllezërve Zografi ka një kahje të dukshme drejt barokut, me pamje lineare e figurave fetare, dhe në të njëjtën kohë duke adoptuar një stil ornamental dhe duke përdorur një shumëllojshmëri të gjerë të ngjyrave kafe dhe të ndritshme.
Gazeta Sot