Ilir Bala: – Ekspozite – “Ballo me maska”, shoqëria që fshihet pas portreteve
15 Janar 2023
Nga Fatmira Nikolli.
Në galerinë “FAB” në Universitetin e Arteve është çelur ekspozita “Ballo me maska” e piktorit Ilir Bala me kuratorë Najada Hamza dhe Ardian Kapo. 42 vepra të realizuara 10 vitet e fundit, përcjellin një vëzhgim ndaj shoqërisë që shpesh e fsheh veten.
“Më lindi si ide që portretet e shoqërisë sonë sidomos kohët e fundit janë gjysmë maskë. Është të shohim se si shkrihet maska, nga ana figurativë në portretin e një njeriu. Ne të gjithë, edhe ju që nuk pikturoni, ruajmë një fëmijë brenda vetes. Fëmijëria është e vetmja periudhë e jetës së njeriut që nuk ka maskë”, tha Bala.
Ngjyra të forta, portrete që shpesh duken naive, por përcjellin një shikim gozhdues, kompozime që bartin të shkuarën dhe të tashmen, mund të lexohen po ashtu edhe si trashëgimi traumatike e ardhur në mënyrë edhe të pavetëdijshme
“Kritiku Dashamir Vaqarri mendon se në kohët e komunizmit njerëzit nuk ishin kurrë të vërtetë e as vetvetja sepse kishin frikë dhe kjo është një trashëgimi që i është lënë edhe brezave që janë sot bashkëkohës”, thotë piktori Bala.
Dritëhijet e regjimit, njeriu i ri socialiste, apo vetë ylli simbol, përtej skematizmit rrokin të shkuarën që endet përreth. Ekspozita do jetë e hapur deri më 18 janar.
Gazeta Shqiptare