Imerr Neli, një jetë në skenë me trofe e tituj nderi,-

Nga: Esat Ruka

Lauranti i festivaleve, reformatori dhe ekzekutuesi i talentuar në veglat popullore, instruktori prej dekadash i talenteve të reja, prindi shembullor dhe “fëmiu i dënuar” si mirënjohës ndaj vlerave të trashëgimisë artistike.

Tetëdhjetë vite në jetën e njeriut të grishin në bilancin e punëve të kryera. Në jetën e një artisti vitet të japin kurorë nderimi për faktin se arti nuk njeh moshë. Në rastin e artistit popullor Imerr Nelaj, bilanci është jo vetëm shumë i pasur me krijimtari e interpretime, por edhe me trofe e Tituj të Lartë si nga Juritë profesionale, ashtu edhe nga protokollet e qeverisjeve deri edhe të Presidentëve të Republikës.

Imerr Neli u lind në lagjen Valxhi të Macukullit, ku i ati, Adem Luli (1899- 1946), njihej si instrumentist dhe mjeshtër i prodhimit të çiftelisë e laurisë. Të gjithë meshkujt e asaj shtëpie luanin me çifteli dhe fyej. “Dajret e Valxhiut e ngrejnë paren prej toke“, ishte shprehje e njohur në zonën e Prellit. Ajo shprehje përmbante muzikimin e folklorit krahinor, homogjenitetin artistik dhe ndjeshmërinë ndaj trashëgimisë muzikore. Kjo specifikë e shtonte simpatinë tek bashkëkrahinasit e vet.

Ndërsa më të mëdhenjtë e familjes rreshtoheshin darkave pranë njëri-tjetrit me instrumente në dorë, Imerri i ri do ta ledhatonte papushim fyellin gjithë ditën teksa i printe tufës së dhive drejt bjeshkës për në Grykën e Valcës. I ndërthureshin të riut Imerr rrëfimet e dëgjuara për betejën e Shkallës së Deshëve kundër serbit, për qëndresën e macukllanëve e matjanëve të tij për të mos lejuar komunizmin në Mat, për bëmat dhe historinë e njerëzve të “Luginës së Mbretërve“ etj.

Nga gryka e një tubi metalik fluturonin jonet muzikore plot nostalgji e bukuri, plot butësi e dritë e ndërsa tufa e dhive i mblidhej rreth, Imerri hynte në një botë tjetër, në një mister ende të pashpjegueshëm. Intuita e artistit të ardhshëm gëlonte që tregimet, bisedat, blegërimën, fëshfërimën e barit e drurëve, shkarkimet qiellore, shkëlqimin e yjeve, çapitjet e njerëzve…. t‘i fuste në tingujt e fyellit të tij magjik.

Magjepsej tufa e dhive me tingujt e mahnitshëm të fyellit, por krenoheshin edhe bashkëfshatarët për të ardhmen e tij. Kishte njerëz që gjenin shkak dhe kalonin në grigjë, afër djaloshit të ri për të dëgjuar tingujt që ekzekutonte në meloditë pafund me teknikën e përsosur, ornamentet e ritmet e shumta.

Viti 1958 do të shënonte pjesëmarrjen time të parë në takimin folklorik zonal të organizuar në Derjan (atëherë – qendra e lokalitetit). Që nga ajo kohë, bashkë edhe me artistë të tjerë të Matit do të kisha fatin të takoja muzikantë të mrekullueshëm në qytetin e Burrelit dhe të njihesha me skenën dhe spektatorët. Kur kam shkuar për herë të parë në vitin 1959 në Tiranë, drejtori Isuf Meta më shtynte nga mbrapa, pasi unë kisha emocion të dilja në skenën e festivalit i saposhkëputur nga bjeshkët, që i dashuroja aq shumë.

Imerr Neli

Djaloshi 20-vjeçar, tashmë nga skena do të tërhiqte vëmendjen e specialistëve dhe jurive dhe do të mbetej subjekt shumë i çmuar i etnofolkloristikës shqiptare. Ky nuk mund të ishte rast i izoluar. Ishte një trokitje në ndërgjegjen e nuhatjen e gjurmuesit e studiuesit të zellshëm të muzikologjisë, Prof. Ramadan Sokoli, se kjo begati e folklorit të krahinës së Matit buron vlera të panjohura, por shumë të larmishme e identitare. Studiuesi me intuitën dhe përvojën e profesionistit kërkon të njohë e regjistrojë materiale të tjera nga instrumentistë, rapsodë e grupe vokale të zonave të ndryshme të krahinës së Matit. Bashkë me Imerrin do të ishin edhe Shaqir Hazizi, Ibrahim Minxhozi, Hysni Hysneli me çifteli dhe Lim Rrahmani në lauri. Tanimë pranë Institutit të Folklorit në Tiranë (sot IAKSA) u bënë pjesë e arkivit jo pak material muzikor shumë i dobishëm.

A është “Artisti i Merituar”, “Mjeshtri i Madh” Imer Neli produkt i punës institucionale?

Në të gjitha kohërat dhe hapësirat institucionet janë ngritur mbi kontributin e talenteve individuale dhe kolektive. Trashëgimia dhe moderniteti i secilit komb ka rrugëtimin e vet artistik dhe akademik. Ky aspekt përbën një temë që kërkon shtjellim më vete. Por le të potencojmë me logjikë të ftohtë se sukseset e gjeneratës të cilës po i referohemi janë të pandara nga ndikimi i ndërsjelltë individ-institucion. Ky është një fakt që nuk duhet injoruar.

Në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar bardi Imerr Neli erdhi në skenë sipas një kalendari zyrtar për zhvillimin e folklorit. “Legaizimi“ i tij në publik e më pas jeta skenike nën drejtimin e kompozitorit Skënder Frashëri në Burrel do ta njihte me këngën e re qytetare të krijuara nga ky i fundit. E entuziazmonte tepër fakti se Imerri bard e kishte ushqyer kompozitorin me bulëzat muzikore të lirikave të mrekullueshme të Matit.

Në mesin e viteve ’60 kompozitori Munir Shehu do të organizonte orkestrinën e parë me instrumente të trevës dhe Imerrin do ta kishte solist në orkestrinë. Bashkëzanimi i asaj orkestrine me këngët e bukura të kënduara nga e magjishmja Feride Kurti do të ishin një start tjetër i ri artistik për Matin.

Në mesin e viteve ’70 kompozitori Naim Gjoshi e fuzionoi më tej përvojën dhe cilësinë e ekzekutimit si rezultat edhe i pjekurisë artistike të instrumentistëve. Roli i këtij solisti do ngjitej në një platformë të re. Ai jo vetëm provonte me suksese shkallën kromatike në bilbil, por do të debutonte në festivale i vlerësuar me çmime edhe si krijues.

Me këtë status (individ-institucion) përgatiti e drejtoi për dekada me radhë grupin e instrumentistëve të vegjël pranë QKF, të cilët u bënë rasati i orkestrinës, tashmë famoze të Matit. QKF-ja do të përfaqësohej disa herë në festivale më fëmijët dhe nën drejtimin e Imerrit do të meritonte gjithnjë vende të para.

Nuk shkroi partiturë, por ishte ushqyes i partiturave të kompozitorëve në rreth dhe më pas bëhej ekzekutuesi i atyre partiturave me fyellin dhe bilbilin e tij.

Ishin talenti, pasioni,vullneti, disiplina, dashuria për trashëgiminë e trevës së vet? Padyshim, të gjitha bashkë plotësonin portretin artistik të tij. Por unë do të shtoja edhe respektimin nga ana e Imerrit e punës programore në zbatim të politikave kulturore të institucioneve, ku cilësia artistike dhe disiplina e madhe ktheheshin në një shkollë të re për ‘të. Imerri kujton: “ Kur kam parë për herë të parë në Tiranë Xhevat Lishin me dajre në grupin përfaqësues të Matit, që morën në mënyrë të padiskutueshme çmimin e parë, e ndjeva veten krenar dhe përnjëherë mendova pozicionin tim në përbërje të këtij grupi artistik.

Dhe vërtetë tingujt e fyellit, bilbilit e çiftelisë së Imer Nelaj në krye të ansamblit “Mati” do të dominonin thuajse pjesën më të madhe të joneve që prodhonte orkestrina popullore. Pa asnjë mëdyshje do të justifikonte jo vetëm besimin e drejtuesve por edhe respektin e. Një muziktar i tillë mbulohet me një aureolë adhurimi e nderimi falë dhuntive dhe vlerave që përcjell. Prandaj edhe ka tërhequr vëmendjen e shumë kronikanëve e poetëve, gazetarëve e studiuesve, lokalë e kombëtarë të cilët të frymëzuar nga pasioni dhe vibrimet e tij shpirtërore, kanë evidentuar me solemnitet e elegancë në vargjet dhe frazat e tyre.

Është rast unikal në shkallë kombëtare, që artisti Imerr Neli, që nga viti 1958 nuk i është ndarë asnjëherë skenës së koncerteve, festivaleve lokale, kombëtare në tipologjitë e gjinive të artit folklorik dhe të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Imerr Neli është pjesëmarrës në të 10 Festivalet, pra që nga viti 1968 si solist në aerofone, laureat në disa syresh radhazi, i titulluar Artist i Merituar në vitin 1979. Tani mban edhe titullin e lartë ”Mjeshtër i Madh”. Ndërsa ka debutuar në dhjetëra festivale pa ndërprerje dhe ka fituar qindra diploma, çmime, Mirënjohje, dekorata dhe Tituj brenda dhe jashtë vendit, në diasporën shqiptare dhe në mediumet shkencore Ai shpreh me veneracion mirënjohjen dhe respektin për spektatorin e mrekullueshëm që e ka ndjekur dhe duartrokitur kudo për 60 vite me radhë.

Nuk mund të përcaktoj kilometrat e bëra e të orëve të vona në skenat e ndryshme të koncerteve, buzëqeshjet e ngazëllimet, duartrokitjet e sukseset, as edhe telat e këputur nëpër instrumente apo ndonjëherë edhe tendosje nervash, por një fakt mund ta them: “Kam shpenzuar aq shuma tuba plastikë për të prodhuar fyejt që më nevojiteshin në skenë, sa me ‘to e kisha sjellë ujin e lagjes Valxhi të Macukullit në banesën time në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel.

Imerr Neli

Puna, përkushtimi dhe talenti i tij kulmon me të birin, Beharin, i cili ka hyrë në tregun e produksionit muzikor me guxim, pasion, virtuozitet dhe origjinalitet si një shembull kreativ i gjeneratës së tij. Edhe për këtë faleminderit artistit Imerr Nelaj.

Kemi kënaqësinë t’i urojmë përzemërsisht me mirënjohje mikut dhe kolegut tonë Imerr Neli: Gëzuar 80 Vjetorin e lindjes! Lumturofshi në 100 vite familjen tënde biologjike familjen tonë artistike. Pleqërofshi duke shijuar kënaqësitë dhe nderimin që të jep puna dhe talenti.