IMK harton projekt për restaurimin e kalasë së Bashtovës. –
IMK harton projekt për restaurimin e kalasë së Bashtovës. –
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për “Restaurimin e Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë. Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në monument. “Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në të ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, shkruan IMK në faqen zyrtare ndërsa ka publikuar dhe disa foto të kalasë monument kulture. Kalaja e Bashtovës (Castle Bashtova) ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve, për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII.
Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash,mendohet se kjo kështjelle ose kala ka qenë 2 katëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që gjendet vetëm disa kilometra jashtë qytetit të Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit. E veçanta e kësaj kalaje qëndron dhe në faktin se është e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushe. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një monument kulture nga shteti shqiptar. Sot ky monument vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Kështjella e Bashtovës është një pasuri kulturore dhe me shumë vlera. Në këtë monument kulturor janë gjetur, sende ose gjëra kulturore që vërtetojnë një histori të lashtë jo vetëm për kalanë monument kulture, por dhe për fshatin e Vilë-Bashtovës. Sendet e gjetura në këtë monument ruhen në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Rreth e përqark kalasë lulëzon një pyll dafinash, që përveçse është i shpallur monument natyre, krijon edhe një mjedis shumë tërheqës për piknikë në natyrë. Nga muret e kalasë mund të vëzhgoni bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.