Improvizimi: “Dasma e Skënderbeut” në Kaninë. – Polemika nga Auon Tare

Nga: Fatmira Nikolli. –

– Një improvizim i dasmës se Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Kaninë më 22 prill është pritur me polemika në opinionin publik. Ideator dhe organizator i përkujtimit të dasmës së heroit ka qenë deputeti i Vlorës, Fate Velaj, ndërsa kritikat e para për “dasmën” janë bërë nga Auron Tare, por nuk ka qenë vetëm ai.

Duke krahasuar “ditëlindjen e Romës” dhe festimet që u bënë në kryeqytetin italian me festimet e bëra në Kaninë me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Auron Tare, dy ditë më parë, i cilësoi festimet e Kaninës farsë dhe komike dasmën he pyeti: “Përse vallë një ide e shkëlqyer për zhvillimin e turizmit e trashëgimisë kulturore duhet të kthehet në një teatër banal? Përse e bëjmë edhe Skënderbeun e shkretë qesharak?”
Ai shtonte se është “një farsë komike që të bën të qash, që nga mënyra e sjelljes së njerëzisë që ishin grumbulluar e tek fshatari që tërheq kalin e Donikës me spango a thua se në të gjithë Vlorën nuk gjendeshin dot një palë kapistalle për kuaj. Që tek figura qesharake e Skënderbeut të shkretë me këpucë me qafa si personazhi i ‘Bob the Builder’; te kolltukët turk e të tjera mysybete. Ndokush mund të thotë e po edhe ti pse e bën qimen tra. Shqyqyr që u bë diçka shqiptare. Në fakt jo, unë mendoj se diçka ka ndodhur në psikozën tonë, të paktën në fushën e trashëgimisë dhe seriozitetit ndaj saj”.
Duke e krahasuar me procesionin e Romës, ku çdo detaj ishte në perfeksion, Auron Tare shkruante të hënën se, “dasma e Skënderbeut si ide në vetvete duhet parë si një nismë pozitive, e cila mund të pasohet nga plot ide të tjera të këtij zhanri. Por, ajo që ne kemi humbur bashkë me seriozitetin është fisnikëria, aristokracia, shkëlqimi i asaj pjese të shoqërisë që ishte rritur me kuaj, apo dinte se çfarë ishin kështjellat e sarajet”.
Pas reagimit të Tares, “Gazeta Shqiptare” i ka dërguar dje disa pyetje Fate Velajt, deputetit të Vlorës, i cili është ideator dhe organizator i dasmës kaninjote të Skënderbeut, e në përgjigje të atyre pyetjeve, ka marrë replikën e mëposhtme.

REPLIKA NGA FATE VELAJ
“Dasma e Skënderbeut/ Një përgjigje për ata që e duan Shqipërinë vetëm me festa ëmbëlsirash e mishi të pjekur.
Në Kaninë të Vlorës, në datë 22 prill, për herë të parë në histori u festua 567-vjetori i dasmës më kuptimplotë të historisë së kombit shqiptar, asaj të Skënderbeut me Donika Arianitin. Në një ceremoni modeste, me pjesëmarrjen e një grupi prej 50 arbëreshësh, si dhe të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kruja, Tirana, Durrësi, Fieri e nga Vlora, Kalaja e Kaninës, u rikthye në qendrën e kujtesës kombëtare.
Si ideator dhe organizator i këtij aktiviteti, realizova një ëndrrën time të vjetër, shprehur prej vitesh mes miqsh e, për ta realizuar këtë, iu drejtova përsëri miqve, vëllezërve të mi kaninjotë që e mbajtën në zemër e në mendje këtë ngjarje dhe e realizuam ashtu siç mundëm. Madje, shumë herë më bukur seç kishim mundësitë.
Skënderbeu e Donika erdhën nga Lungro e Kalabrisë. E donin me patjetër vëllezërit tanë arbëresh të ishin ata të parët që do e realizonin këtë çift, më të famshmin çift të historisë së kombit tonë. Ditën e diel, 22 prill, kalaja e Kaninës u mbush me festues, me valltarë nga vise të ndryshme ardhur enkas për të festuar.
Ngjarja e tejkaloi madhështinë, por njëkohësisht, vapa e madhe e asaj dite, nxori dhe zhapikët e fshehur poshtë gurëve të kalasë shekullore ,të cilët filluan të hidhnin në hava helmin e tyre. Kuturu. Të kapë kë të kapë e të helmohet kush të dojë. Ata nuk mbanin përgjegjësi për fatin e zi të atij që do helmohej.
E para u hodh helmi i një hardhuce se dasma ka marrë para publike prej 25 milionë lekësh. Do ishte mirë të kishte marrë, por nuk mori. Para publike kanë marrë shumë aktivitete në këto 27 vite, por jo të gjitha kanë qenë vlerë.
Nuk u mor asnjë lek nga Ministria e Kulturës. Zero. Shkoni pyesni. Hapni dosjet e ministrisë dhe shikoni. Dasma u financua nga djemtë e Kaninës për ta nisur këtë ngjarje në vitin jubilar të Skënderbeut.
U tha se ishte qesharake. Jo. Ishte madhështore. Ishte drithëruese si dielli që i rrinte në kokë nuses, vajzës së Kaninës dhe djalit të Krujës. Në fjalën time përshëndetëse e thashë se vitin tjetër do të vijnë 5000-10.000 veta në Dasmën e Skënderbeut, sepse kjo festë do të jetë e përvitshme. E përhershme. Kjo është DASMA E KOMBIT dhe do jetë e të gjithëve. Dhe vitin tjetër, në atë pas dy viteve e shume viteve do jetë akoma më e bukur.


Më madhështore.
Më vezulluese.
Më verbuese.

Të krahasosh Kaninën me Romën është groteske. Mjerane. Vetëm buxheti i kulturës së Bashkisë së Romës është më i madh se i shtetit shqiptar.
Është e vërtetë që kali tërhiqej nga një litar, por paska akoma njerëz që e shohin kalin nga dhëmbët. Si t’ia bënim në momentin e fundit kur personi që na premtoi të na sillte kuajt më të bukur në Shqipëri, nuk erdhi, sepse ashtu i doli një punë. Ata kuaj që ti komenton, u gjetën orën e fundit.
Çfarë t’i thosha unë arbëreshit që erdhi si Skënderbeu; ndërro këpucët se diku maleve është dikush që është rritur me Gaius Iulius Caesar e Marcus Antonius dhe i njeh mirë veshjen e tyre, tabiatet e tyre.
Për të mos u marrë me çfarë është shkruar, dua t’u them se Shqipërisë ju shtua një festë domethënëse. E përvitshme. E përhershme.

DASMA E KOMBIT. DASMA E BASHKIMIT.
Ata që janë mësuar ta shohin kalin nga dhëmbët, e duan Shqipërinë vetëm me festa ëmbëlsirash. Me festën e mishit të pjekur. Janë ata që kanë 27 vite që merren me analizat se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria, në datë 28 apo 29 nëntor 1944 e shpikën festat e tyre. Të revanisë. Të hasudesë. Të reshedisë. Të dhisë e të kecit. Por, kur shohin të realizohet një festë ku mblidhet shqiptarizmi, kërkojnë ta çojnë kalin tek dentisti. Ejani vitin tjetër në Kaninë. Ejani të shihni si do jetë. Ejani të festoni në vendin më të bukur mbi dhe. Ejani të ndiheni princëror, si njëherë e një kohë. Bashkojuni të ardhurve nga Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, arbëreshëve dhe gjithë Shqipëria.