Inceneratori i Tiranës/ Braimllari: Veliaj duhej të ishte i pandehur para organeve të drejtësisë
23 Dhjetor 2023
Kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka hedhur akuza ndajkryebashkiakut Erion Veliaj.
Ai thotë se Bashkia e Tiranës gjatë drejtimit të Erion Veliajt është kthyer në një strukturë abuzimi në raport me qytetarët.
Sipas tij me faktet për inceneratorin e Tiranës sot Veliaj duhej që të ishte i pandehur para organeve të drejtësisë.
“Fatkeqësisht, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesit e tij kanë humbur realitetin mbi hallet dhe problemet e përditshme të qytetarëve të Tiranës. Arroganca dhe papërgjegjshmëria e Erion Veliajt, reflektohet kudo dhe kjo bëhet ende dhe më e ndjeshme në raport dhe me sjelljen e tij me Këshillin Bashkiak. Bashkia e Tiranës gjatë drejtimit të Erion Veliajt është kthyer në një strukturë abuzimi në raport me qytetarët. Në Tiranë, jetesa është e papërballueshme nga taksat dhe tarifat vendore shumë të larta nga korrupsioni i kryetarit të bashkisë dhe zyrtarëve në varësi të tij.”, tha Braimllari.
Braimllari thotë se Tirana është kthyer në kryeqendrën e betonit.
“Tirana është kthyer kryeqendrën e betonit, mungesës së hapërave publike dhe pastrimit të parave të pista nëpërmjet kullave që firmos vetë Erion Veliaj. Tirana sot përballet me çmimet e papërballueshme të apartamenteve. Nëse Erion Veliaj, me gjithë lejet e ndërtimit që ka firmosur, do t’a merrte 3% në metra katrorë ashtu sic thotë ligji, sot do të kishim 1 mijë apartamente për njerëzit në nevojë. Erion Veliaj është kampioni i premtimeve të pambajtura. Nga deklaratat që nuk do jepte kulla në Tiranë, deri tek premtimi për ujë të pijshëm 24 orë. Megjithë rritjen skandaloze dhe të njëanshmë të çmimit të ujit të pijshëm nga 45 lekë në 65 lekë për metër kub, Tirana sot vazhdon të vuajë në mënyrë të frikshme mungesën e ujit.”, tha ai.
Endrit Braimllari shprehet se me faktet për inceneratorin e Tiranës Erion Veliaj duhet të ishte i pandehur para organeve të drejtësisë.
“Denoncimi i aferës korruptive të shekullit, të inceneratorit të Tiranës nga Partia e Lirisë një ndër vjedhjet më të mëdha në vend ku Erion Veliaj përfshihet drejtëpërdrejtë. Bashkia e Tiranës paguan miliona euro nga taksat e qytetarëve për inceneratorin që nuk ekziston. Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për inceneratorin e Tiranës, është ai ideatori, urdhëruesi dhe zbatuesi i këtij projekti korruptiv. Firma e tij në kundërshtim me ligjin duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak, i hapi rrugë koncesionit të inceneratorit. Me autoritetin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nxjerrë disa urdhra mbi procedurat e inceneratorit të Tiranës. Ka mbi dy vite, që Erion Veliaj nuk dërgon përfaqësuesit e njësisë së zbatimit të projektit për të ndjekur nga afër ecurinë e zbatimit të kontratës.
Vetëm me këto fakte, sot Erion Veliaj duhet të ishte i pandehur para organeve të drejtësisë. Erion Veliaj në mbledhjen e muajit tetor, hoqi 4.3 milionë euro nga fondi i dedikuar për arsimin dhe i transferoi tek inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Fëmijët do të vazhdojnë të vuajnë mësimin me dy dhe tre turne sepse Veliaj, paratë e dedikuara arsimit i dërgon tek inceneratori.”, shtoi ai./ CNA