Inceneratori i Tiranës/ Kryemadhi denoncon me pamje të reja dhe i bën thirrje Ramës: – Tregoji shqiptarve për krenaritë e tua. Shkojmë bashkë që sot. – Përse fshihesh e nuk ben transparencë?
1 Prill 2023
Deputetja e PL, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish në lidhje me inceneratorin e Tiranës, ku ka sjellë pamje të reja se si groposen mbetjet, ku tha se taksat e shqiptarëve vidhen dhe mbeturinat nuk digjen.
Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se shqiptarët paguajnë 29 euro për ton për të trajtuar mbetjet në incenerator por skandali i vjedhjes vazhdon.
Sakaq shtoi se djegia e mbetjeve për të prodhuar energji nuk ndodh, ndërsa qytetarët faturohen 4 ose 5 herë më shtrenjtë për këtë shërbim.
“Në 17 Janar 2023, i kam treguar me zë dhe figurë të gjithë shqiptarëve se si vidhen paratë e tyre përmes inceneratorit të Tiranës, ku mbetjet as nuk trajtohen, as nuk digjen, por vetëm groposen primitivisht, ndërkohë që nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, inceneratori merr 29 Euro/Ton për gjasme shërbimin e trajtimit të mbetjeve. Droni i të vërtetës filmoi për 180 ditë, dhe në 17 Janar, të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre se çfarë ndodh në Tiranë, që me grumbullimin e mbetjeve në një kamion të vetëm, edhe pse qytetarëve i kërkohet ti diferencojnë ato, por edhe panë faktin më skandaloz, se në Sharrë mbetjet as nuk diferencohen, as nuk trajtohen, lëre më të digjen për të prodhuar energji. Sot, 75 ditë më vonë, ku pagesat e Erion Veliaj për Inceneratorin kanë vazhduar, atje vijon i njëjti skandal i vjedhjes haptazi të parave të shqiptarëve.
Droni i të vërtetës u ngrit sërish ditën e djeshme, dhe ju ftoj të shikoni pamjet eksluzive për shërbimin e trajtimit të mbetjeve që ndodh realisht në inceneratorin e Tiranës, për të cilin paguajmë 29 Euro/Ton. Në këto 75 ditë, inceneratori i Tiranës ka marrë minimalisht 2 milionë e gjysmë euro, por nëse llogaritet edhe pagesat që ka marrë nga bashkitë e tjera dhe biznesi, kjo shifër mund të rezlutojë 4 apo 5 herë më e madhe. Ja pra, që diferencimi e trajtimi i mbetjeve nuk ka ndodhur. Ja pra, që djegia e mbetjeve për të prodhuar energji, nuk ka ndodhur. Ja pra, që pagesa 29 Euro/Ton nuk shkon për të marrë nga inceneratori i Tiranës shërbimin e kontratës koncesionare, por ato para u kthehen në mënyra të tjera Erion Veliajt që i bën këto pagesa, dhe qeveritarëve të tjerë.I kërkoj Ramës, që sa humb kohë dhe para me izralitët duke paguar për lajme të rreme dhe duke blerë sekonda për të hedhur vrer në TV kombëtare kundra meje, bëhu kurajoz.
Hap dyert e inceneratorit dhe tregoji shqiptarve për krenaritë e tua. Shkojmë bashkë që sot. Përse fshihesh dhe nuk ben transparencë? ”, tha ajo.
Gazeta Panorama