
Incidenti në Fier me hetuesit e BKH-së, Agron Kapllanaj: – Nuk e lidh me politikën, distancohem nga çdo akt dhune dhe i jashtëligjshëm
16 Prill 2025
Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj ka deklaruar në emisionin “Open” në News24, se incidenti në Fier mes nipërve të tij dhe hetuesve të BKH-së nuk lidhet me aktivitetin e tij politik.
Kapllanaj tha se megjithëse ai është drejtues i koalicionit “Djathtas për zhvillim”, ai nuk është subjekt i hetimit të SPAK dhe as vëllai i tij nuk është i angazhuar me politikë.
Sipas ish-kryebashkiakut Kapllanaj, pasi ka marrë vesh se makina që ishte parkuar në pronën e vëllait të tij, Shkëlqim Kapllanaj, ishte e policisë, ka telefonuar nipërit që të mos vijojnë debatin pasi janë hetues të policisë.
“Unë kam marrë në telefon një nga nipërat e mi dhe i kam thënë se personat që kanë qenë në polici janë hetues të policisë.
Mua më rezulton se kanë bërë vetëm debat dhe asgjë më tepër.
Oficerët e BKH kanë qenë në parkingun e biznesit. Unë nuk e lidh këtë incident me politikën”, tha Kapllanaj.