Incineratorët, Rama “lëshon” Ahmetajn. – I “turret” edhe mediave amerikane: – Janë kazanë!
17 Shkurt 2023
Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me akuzat për korrupsion të publikuar në media për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Rama tha në emisionin “Opinion” se nëse këto akuza janë të vërteta Ahmetaj duhet të mbajë përgjegjësi personale dhe se ai nuk e ndihmon dot.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë se PS nuk mbron asnjë zyrtar të përfshirë në korrupsion.
“Kur unë kam filluar luftën për reformën në drejtësi e besoja atë gjë dhe e kam ditur shumë mirë që do të thotë të hapësh rrugën që drejtësia të ketë në dorë armë dhe të godasi majtas dhe djathtas. e kam ditur e kam thënë dhe i qëndroj asaj. Kur numërohen këto raste mua nuk më vjen mirë se në aspektin njerëzor unë me këtë njerëz kam patur marrëdhënie. Por kjo është gjëja që kam kërkuar. Kush shkel aty ku nuk duhet përgjigjet, kjo është gjëja që kam kërkuar unë. Kam thënë gjithmonë se jemi një skuadër, kush gabon se i merr koka erë do i dali për zot vetë pastaj.. Ai ka qenë bashkëpunëtori im, kam punuar me të për një periudhë të gjatë. Nëse këto që dalin nëse janë të vërteta më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot”- tha Rama.
Denoncimet e mediave amerikane
Kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar t’i cilësojë mediat amerikane ‘kazan’, ashtu si më herët ka quajtur mediat shqiptare.
Duke folur për shkrimet që kanë mbushur mediat në SHBA mbi çështjen McGonigal dhe lidhjen e ish-zyrtarit të FBI-së me të, Rama tha se ka edhe Amerika kazanë. Megjithatë nga ana tjetër, ai theksoi se nuk ka Zot në tokë që e blen Amerikën.
Biseda
Rama: Është tabloid New York Post. Unë merrem me aktakuzën, ke gjë për aktakuzën.
Fevziu: A keni gisht te shpallja non grata e Berishës?
Rama: Deri dje unë e bëja këtë nëpërmjet Sorosit. Tani iku Sorosi. Tani doli ky, nëpërmjet këtij unë kam kapur sekretarin e shtetit. Sikur SHBA-të të bliheshin dhe të shiteshin do ishin prej kohësh leckat e fuqive të naftës. Do i kishin blerë, do i kishin shitur dhe do i kishin bërë leckë, gjithë ata trilionerë që janë në shkretëtirat e naftës. Si mund kryeministri i Shqipërisë, një vend i vogël të fusë nën kontroll SHBA-të dhe për çfarë për t’i vënë vulën non-grata një të vdekur që kujton se është gjallë.
Sikur Amerika të lobojë kështu, po të them që do ishte bërë leckë për të fshirë këmbët planeti.
Po mo influenca, po me çfarë, me piktura apo me video erotike. Shqipëria paska potencial që me para, me eros, me piktura ta marrë Amerikën për hunde dhe DASH, CIA, FBI të punojnë për të.
Ku ka Zot në tokë që e blen Amerikën, nuk ekziston.
Fevziu: Sipas mediave, iu ka marrë para biznesmenëve? Ikën andej ha pilaf, merr titullin qytetar nderi në Tropojë…
Rama: E para e punës ai ishte shefi i kundërzbulimit për New Yorkun dhe bën pikërisht këtë gjë, ha pilaf, bën punën e tij.
Ato janë kazanë të llojit të tyre. Kujton se Amerika nuk ka kazanët e vetë. Ndërkohë që gazeta serioze e referojnë me shumë korrektësi duke u bazuar te aktakuza. Jam kryeministri i Shqipërisë dhe patjetër do më përmendin emrin. Sepse emri im figuron në gjithë narrativën e aktakuzës.
Fevziu: Ta garantoj dhe unë, ka takuar njerëz të biznesit.
Nga OraNews