Incineratori “grin” paratë e Tiranës, KLSH: S’ka djegie, por paratë paguhen paradhënie prej 2 vitesh
15 Shtator 2022
Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon të tjera shkelje sa i përket koncesionit të incineratorit të Tiranës.
Për kundrejt pretendimeve të bashkisë së kryeqytetit që ka dalë garant se nuk pagesa për mbetjet është e përballueshme, auditimi nxjerr zbuluar problemet reale.
Në raportin e fundit, ku janë shqyrtuar materialet deri në fund të vitit 2021, vihet re se Bashkia Tiranë arrin të mbulojë nga buxheti i saj vetëm 23% të shërbimit për vitin 2018, 47% për vitin 2019 dhe 38% për vitin 2020.
Por një tjetër shqetësim është se banorët e Tiranës paguajnë për një shërbim nuk marrin.
“Vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncesionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim edhe pse pagesën për shërbimin e ka përfituar të plotë. Pra, Bashkia Tiranë prej 2 vitesh po parapaguan shërbimin e trajtimit të mbetjeve, i cili ende nuk kryhet”, thuhet në dokument.
Por nuk është vetëm kjo. KLSH zbulon se edhe përzgjedhja e koncesionit është e gabuar. Në analizë sqarohet se edhe strategjia e Bashkimit Evropian së pari kërkon riciklimin e mbetjeve ndërsa asgjësimin e shikojnë si mundësi të fundit, kjo për shkak të kostove që ka, por edhe ndotjes.
Në studimin për Kostot e një impianti të tillë rezulton se tre deri në pesë herë më shumë energji mund të kursehet përmes strategjive alternative të tilla si parandalimi, ripërdorimi, riciklimi dhe kompostimi sesa mund të gjenerohet nga djegia.
Për shembull, një incinerator mund të djegë një ton letër dhe të gjenerojë rreth 8,200 megaxhaul/energji.
Riciklimi i të njëjtit ton letër kursen rreth 35,200 megaxhaul të energjisë duke përfshirë në mënyrë efektive energjinë e nevojshme për prodhimin dhe furnizimin me letër të re, karburantin dhe kostot e energjisë që lidhen me prerjen e drurit, furnizimin me energji dhe transportimin e letrës në treg.
Gjithashtu, ky studim tregon se për 24 nga 25 materiale të mbetjeve të ngurta, riciklimi kursen më shumë energji sesa gjenerohet nga djegia e tyre/oranews