Infeksion masiv në liqenin e Gardës në Itali, më shumë se 300 persona në spital
1 Korrik 2024
Më shumë se 300 njerëz janë shtruar në spital dhe shumë të tjerë kanë diarre, vjellje, ngërçe ose ethe pas një shpërthimi të norovirusit në komunën Torri del Benaco në liqenin Garda në Italinë veriore, thanë autoritetet të hënën.
Më shumë se 900 raste u regjistruan në atë bashki në bregun lindor të liqenit, përndryshe një destinacion popullor pushimesh për italianët por edhe për vizitorët e huaj. Supozohet se virusi përhapet përmes ujit të pijshëm nga rubineti.
Autoritetet komunale kanë udhëzuar qytetarët që të blejnë ujë në shishe, ndërsa uji i pastër shpërndahet pa pagesë.
Burimi thotë se shpërthimi i virusit besohet të jetë i lidhur me nivelet e larta të liqenit pas shirave të dendur në javët e fundit, të cilat kanë shkaktuar mbingarkesë të sistemit të ujërave të zeza. Nuk ka ende një konfirmim zyrtar për këtë.
Autoritetet bashkiake thanë se po përpiqen të përcaktojnë se si po përhapet virusi. Ndërsa gjurmët u gjetën në ujin e pijshëm të premten, testet e mëvonshme nga furnizuesi i ujit rezultuan negativë.
Megjithatë, kryebashkiaku Stefano Nicotra ende bën thirrje për kujdes. “Mos përdorni ujin e rubinetit për përdorim personal ose për ushqim,” tha ai. Uji nuk duhet të përdoret për gatimin ose larjen e ushqimeve.
Komuna normalisht ka vetëm 3000 banorë të përhershëm, por tani pret edhe shumë turistë.
Norovirusi është shumë ngjitës, por zakonisht jetëshkurtër.