INSTAT: 1 milion shqiptarë nuk lexojnë. Drejtoresha e librit: Konkluzione pa krahasime. –

Nga: Fatmira Niklli. –

Takohemi për një libër’- Ky është titulli që mban fushata e nisur nga Ministria e Kulturës për të nxitur leximin. Në cepa të Tiranës e nëpër rrethe, projekte të ndryshme kanë marrë jetë nën dëshirën e qëllimin e nxitjes së interesit të leximit. Nëse anketa është e qartë, a ka dështuar fushata dyvjeçare?

Nuk ka një përgjigje, veçse rezultatet e përcjella nga INSTAT nuk duket se kanë surprizuar gjithaq në mos për shifrën e frikshme 1 milion. Në një shoqëri që e ka orientuar veten te konsumi e jo te cilësia, nuk ka se si të jetë surprizë që 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër. Edhe në takimet për të lexuar një libër, jo më shumë se një grusht merrnin pjesë, aq sa dukej se nisma qe krijuar për fotografi rrjetesh sociale.

Megjithatë, përpjekjet janë për t’u vlerësuar edhe pse duket e vështirë t’ua matësh ndikimin në publik. Nëse kemi parasysh që “numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016”, çdo gjë duket e mundur, si zjarri e përmbytja në bibliotekë edhe një anketë që përmbys propagandën s’ka si të duket e habitshme. Po mbjellim ç’është korrur, një shoqëri që jeton për t’u dukur në nëpër rrjete sociale po sheh në pasqyrë se projektimi i vet ka qenë i rremë.

“Takohemi për një libër’, një fushatë për të nxitur leximin te njerëzit. Leximi duhet të kalojë nga kënaqësia, si një kënaqësi e përbashkët” thoshte ministrja Kumbaro megjithëse botuesit kanë 5 vite që i kërkojnë uljen e TVSh-së për librin.

ANKETA
Sipas të dhënave të INSTAT, të nxjerra në një anketë të posaçme shihet se vitin e kaluar mbi 1 milion shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër. Kur “Monitori” publikoi lajmin me të dhënat, shtoi se teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak, rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Teksa pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet. Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar.

Gjithashtu, leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017.
Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016. Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20 % e popullsisë janë lexues të rregullt të librave.

Sipas “Monitorit” në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në web më tepër se sa libra fizik, pra e-libra. Por, në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë. Por, pas publikimit të anketës ka reaguar Drejtoresha e librit në Ministrinë e Kulturës, Mimoza Hysa.

REAGIMI
“Falënderojmë shumë INSTAT- in që më në fund, pas kërkesave të vazhdueshme e bëri një anketë edhe për leximin. Por çfarë rezulton nga shifrat e publikuara?”, pyet Hysa. Sipas saj:

1.Së pari, nuk kemi mundësi krahasimi me vitet e tjera, nëse është rritur apo zvogëluar numri i lexuesve;

2.Së dyti, nuk rezulton se ka ndonjë dallim të madh mes fashave të moshave që nuk lexojnë, që do të thotë se nuk është e vërtetë që mosha mbi 40 e lindur dhe edukuar në një periudhë tjetër të jenë lexues më të rregullt se 25-vjeçarët e lindur dhe rritur gjatë periudhës së tranzicionit. Por mund të dëshmojë dhe që lexuesit e dikurshëm kanë hequr dorë nga libri.

  1. Së treti, rezulton se shqiptarët janë lexues shumë më të mirë se vendet më të zhvilluara europiane, gjë që më bën të dyshoj se edhe kësaj here nuk janë treguar të ndershëm kur kanë deklaruar shifrat.
  2. Së katërti, dhe më interesantja është se studimi në vendet e tjera përfshin dhe moshën 6 deri 25, pra moshën shkollore dhe atë moshë kur lexohet më tepër. Në Shqipëri, duke iu referuar tabelës, mosha shkollore nuk është pyetur. Duhet kuptuar atëherë se ata përbëjnë atë gati 2 milionë që lexon.

Ajo vëren se duke iu referuar shifrave, sipas publikimeve të secilit vend, nëse në Shqipëri 35% deklaron se nuk ka lexuar asnjë libër gjatë një viti, në Itali kjo shifër është 55% (6 në 10 italianë deklarojnë se nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti), në Spanjë 37.8%, në Francë 31%, në Gjermani 31.3 %, në Shtetet e Bashkuara 27%, në Kanada 16% dhe në Norvegji 10%.

“Nuk e di pse dalim në konkluzione dhe flasim pa bërë krahasimet, sidomos gazetarët që botojnë lajmin dhe nuk bëjnë krahasime paralele. Nuk është e barasvlershme të thuash sa nuk lexojnë në Shqipëri dhe sa shpenzohet për blerje librash në disa vende të botës. Urojmë që tashmë anketat të jenë të përvitshme dhe më të detajuara. P.sh. në Itali rezultojnë se një pjesë e mirë e klasës së drejtuesve dhe menaxherëve (38%) deklarojnë se nuk lexojnë. Tek ne mund të dallojmë vetëm që numri i atyre që nuk lexojnë është më tepër nga ata me arsim të ulët. Anketat më të plota do të ishin shumë ndihmuese për të orientuar politikat e librit. Konkluzioni im kur krahasova shifrat ishte se ende shqiptarët nuk janë aq të ndershëm me veten sa të bëjnë deklarime të vërteta. Pastaj kisha më besim te francezët. Nuk ma merrte mendja se mund të ishin gati si ne dhe më keq se amerikanët…”,-e mbyll reagimin e saj Mimoza Hysa.

Mimoza Hysa.