INSTAT: – Nga 2014-2020, në Shqipëri janë investuar 1.2 miliardë euro për rrugë, por numri i kilometrave është ulur

10 shkurt 2022

INSTAT: Nga 2014-2020, në Shqipëri janë investuar 1.2 miliardë euro për rrugë, por numri i kilometrave është ulur

Qeveria ka investuar nga fondet e brendshme 152,7 miliardë lekë nga viti 2014 në vitin 2020, por numri i kilometrave gjatë kësaj periudhe ka ardhur në rënie, raportoi INSTAT.

Në vitin 2014, INSTAT raportoi se rrjeti rrugor i Shqipërisë në total ishte 3,848 kilometra, ndërsa në vitin 2020 ishin 3,675 kilometra, me rënie 4.5% ose 173 kilometra më pak (INSTAT i referohet të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës).

Për të njëjtën periudhë, po sipas INSTAT u investuan për ndërtimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore rreth 152,7 miliardë lekë ose 1,2 miliardë euro.

Edhe pas vitit 2020, përgjatë dy viteve në vijim 2021-2022 qeveria ka vijuar një intensitet të lartë të investimeve në rrugë, nëpërmjet kontratës koncensionare në rrugën e Arbrit, teksa ka pasur një financim të lartë për akset Qukës -Qafë-Plloqë, Kardhiq-Delvine dhe tashmë kanë nisur punimet për tunelin e Llogorasë.

Përgjatë vitit 2021 qeveria kishte ndarë nga programi i investimeve publike rreth 31.7 miliardë leke për transportin rrugor. Por një pjesë e madhe e investimeve nga buxheti vitet e fundit kanë shkuar për shtesa punimesh.

Kardhiq -Delvinë dhe Qukës -Qafë Plloçe janë shembujt më ilustrues. Ndërtimi i 40 kilometrave në segmentin Qukës Qafë-Plloçë që lidh zonën malore të rajonit Juglindor me një rrugë të re, pritet të shtrihet në dy dekada dhe gati me dyfishim të kostove. Ministria e Infrastrukturës ka përllogaritur se duhen së paku edhe 56.7 milionë euro shtesë për financimin e punimeve deri në përfundimin e plotë. Për rrjedhojë afatet për përfundimin e aksit janë shtyrë për në vitin 2023.

Rruga, e cila nisi që në vitin 2009 dhe me rishikimin e projektit duhet të përfundonte në vitin 2019, duket se nuk përfundon së paku edhe për dy vite të tjera.

E njëjta e situata përshkruhet edhe në rrugën Kardhiq -Delvinë. Punimet në këtë aks që kanë nisur që në vitin 2007, rreth 16 vite më parë, ende janë larg përfundimit, kurse kostot e punimeve po dalin jashtë kontrollit pasi financimet e buxhetit të shtetit po shkojnë për shtesa të punimeve. Në projektbuxhetin afatmesëm të publikuar nga Ministria e Financave rruga Kardhiq – Delvinë është programuar të financohet gjatë periudhës 2021 deri më 2024 me rreth 6,7 miliardë lekë nga të cilat 1.7 miliardë lekë janë shtesa punimesh.

Nga tabelat e Ministrisë së Financave, në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29 për qind, duke shkuar nga 5,2 miliardë lekë në 6.7 miliardë lekë.Nga ana tjetër fondi total i rrugëve sipas shifrave zyrtare paraqitet me rënie ne harkun e 6 viteve, 2014-2016.   Monitor

Gazeta Dita