Instituti i Shkupit dhe Muzeu Kombëtar, aktivitete të përbashkëta. –
Instituti i Shkupit dhe Muzeu Kombëtar, aktivitete të përbashkëta. –
Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Në fjalën e tij dr. Dorian Koçi, drejtor i MHK ndër të tjera tha është kënaqësi e veçantë, që në prag të përurimit të ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko nënshkruhet ky memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. “Kjo do të pasohet me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Përbashkët më datën 14 tetor 2018, ku jemi të ftuar për çeljen e ekspozitës “Unë jam shqiptar” në Shkup. Unë besoj se aktivitete të tilla kulturore do të na japin mundësinë për sfida të reja për të ardhmen, duke njohur më mirë njeritjetrin. Bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në fushën e botimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve që përfaqësojmë”, tha në fjalën e tij dr. Koçi.
Në vijim e mori fjalën dr. Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili theksoi se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet institucioneve tona është një ngjarje e madhe. “Është në nderin tonë që nënshkruam këtë memorandum mirëkuptimi me Muzeun Historik Kombëtar, si institucion shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndihmesa e Muzeut Historik Kombëtar mendoj se do të jetë e vyer në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, bashkëpunim që do të reflektohet edhe në botimet e përbashkëta. Nuk është e rastit që bashkëpunimi ynë fillon në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, e cila ka lindur në Shkup në kryeqendrën e Dardanisë”, tha Asani. Në përfundim të fjalëve të rastit të dy titullarët e institucioneve nënshkruan memorandumin për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Në rreth 500 faqe libri dokumentues “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (dokumente, fotografi dhe dëshmi), sjell disa shtylla kryesore me synimin që të vërë në pah një pjesë të rëndësishme për kontributin e këtyre familjeve.