Interneti apo libri … –
Njerëzimi sot është mjaft i lidhur me internetin, mjafton të ndalojmë një moment dhe të shohim përqark, njerëz kudo më kokën e ulur dhe sytë e fiksuar mbi një ekran smartphon-i, lap-top apo i-pad. Nëse ulemi në një kafe nuk do të shohim gjë tjetër vetëm njerëz, sidomos të rinj, të cilët duket sikur janë ulur rastësisht në atë tavolinë sepse asnjëri prej tyre nuk bisedon me tjetrin, aq më tepër të shohësh dikë prej tyre me një libër në dorë.
Vitet e fundit është vënë re një ulje e ndjeshme e leximit të librave , duhet theksuar se në këtë fenomen ka ndikuar jo vetëm epoka e internetit, e cila ka hyrë pothuajse në çdo fushë të jetës, por edhe mundësia ekonomike për të blerë një libër, edukimi në familje dhe nëpër shkolla.
Nuk mohoet fakti që ato informacione të cilat mund t’i gjejmë në internet janë nga më të larmishmet, të kohëve të shkuara, risitë e së ardhmes apo edhe mundësinë e leximit të një libri on-line, por a mund të krahasohet kënaqësia që të jep një libër fizik, të shfletosh faqet e tij e të të duket sikur je duke përjetuar atë çka po lexon, me leximin nëpërmjet një ekrani të ftohtë elektronik?
Sipas një sondazhi të viti 2018 nga DataCentrum, për kënaqësi kanë lexuar rreth 31% e popullsisë së përgjithshme shqiptare, ndërsa për çështje profesionale lexojnë vetëm 9% e popullsisë së përgjithshme.Nga një studim tjetwr i publikuar disa kohë më parë, nxorri se 1/3 e shqiptarëve apo 1 milion të cilët i përkasin moshës mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër përgjatë viti të shkuar.
Shumica prej nesh, sidomos e adoleshentëve pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në internet, krahasuar kjo me vitet më përpara ku përdorimi i internetit nuk ishte në masë.
Një libër është kthyer ne një dhuratë të shpejt për ditëlindje apo për nje rast tjetër kur nuk ke se çfarë të dhurosh e do të të duhet të dalësh nga situata. Të paktë janë ata që e vlerësojnë vërtetë dhurimin e një libri dhe leximin e tij me kënaqësi, herët e tjera ai përfundon i harruar dhe i pluhurosur diku në një qoshe sirtari…
Shumica prej të rinjve shprehen se leximi i një libri nuk është më në “modë” dhe se kohën e lirë preferojnë ta kalojnë në internet dhe në përgjithësi në rrjetet sociale, të cilat mund të thuhet me plot gojën që janë kthyer në një “virus” të shoqërisë moderne.
Ajo që është për t’u shqetësuar është fakti që fëmijëve të grupmoshës së parashkollorëvë apo ciklit të ulët u ofrohet në masë nga prindërit kjo mënyrë argëtimi nëpërmjet internetit. Këtyre fëmijëve për “t’i mbajtur” larg telasheve u jepet një telefon apo i-pad ku të luajnë lojëra elektronike, të shohin shfaqje për fëmijë apo të lexojnë libra të ndryshëm. Këto aplikacione apo programe mund të jenë argëtuese por jo me patjetër të mira për të lexuarit dhe zhvillimin e shprehive gjuhësore. Librat vënë në punë imagjinatën e fëmijëve, krijojnë në mendjet e tyre situatën apo personazhet që po lexojnë.
Interneti edhe pse ka pushtuar në masë pothuajse të gjithë nuk mund të krahasohet më magjinë e leximit të një libri fizik, edhe pse aty mund të gjejmë artikuj, libra apo informacione nga më të shumëllojshmit.
Të lexosh një libër do të thotë ta prekësh fjalën nga afër, të ndjesh kuptimin e saj e të prekësh gërmat të cilat e kanë formuar. Mungesa e të lexuarit të librave fizik ka sjellë veçanërisht në brezat e rinj pamundësinë për të pasur një fjalor të pasur, elokuencë në të folur dhe shumë gabime drejtshkrimore.
Nga Brunela Beshaj