Intervista e Aleksander Meksi, në lidhje me prishjen e Kishës së Vaut të Dejës. –
Intervista e Aleksander Meksi, në lidhje me prishjen e Kishës së Vaut të Dejës. –
Zoti Meksi, e kujtoni historinë e shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë të Vaut të Dejës më 1969?
E kujtoj shumë mirë, pasi unë jam marrë drejtpërdrejtë me monumentet e kësaj periudhe kohore. Unë në këtë kohë isha përgjegjësi i sektorit të monumenteve mesjetare në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe e dija fare mirë se çfarë përfaqësonte kjo Kishë.
Si vepruat kur mësuat për hedhjen në erë?
Na u tha se e kanë hedhur në erë. Nga Shkodra na njoftuan. Menjëherë dërguam njerëz që të bënin verifikime sepse informacioni thoshte se u hodh në erë, duke e rrafshuar me tokën. Ata që dërguam e konfirmuan lajmin. U quajt skandal dhe krim ndaj kulturës shqiptare. Ishte i vetmi monument i arkitekturës romanike-gotike në Shqipëri, tërësisht i ruajtur. Kishte edhe piktura në brendësi, të ruajtura në mënyrë fragmentare. Ndërsa arkitektura ruhej tërësisht. Që nga viti 1967 nuk funksiononte si kishë, pra kishte në derë tabelën “Monument kulture, mbrohet nga shteti”. Sepse ishte bërë një studim për ruajtjen e kishave dhe xhamive të vjetra me vlera të trashëgimisë e të kulturës. Madje kujtoj se në ndonjë rast, për të ruajtur sa më shumë objekte të vlefshme të kulturës kombëtare, edhe e “kishin tepruar” me dashje në vendosjen e tabelave “monument kulture”. Të mendosh që ata që e shkatërruan më pas ishin mburrur se e kishin hedhur në erë me shumë mjeshtëri, pa fluturuar asnjë gur në ajër, pa rrezikuar jetën e askujt. Kujtoj se vumë në dijeni, veç Ministrisë së Kulturës edhe nivelet më të larta të shtetit dhe të Partisë së Punës. Por askush nuk reagoi. Sepse ngjarja ndodhi në kulm të luftës së komunistëve kundër fesë. Njëkohësisht me hedhjen në erë të kësaj Kishe të vjetër, ka pasur edhe dëmtime të tjera objektesh fetare me vlera të rralla. U dëmtua xhamia e Kavajës, Peqinit, minaret e fundit të shekullit të XIV në Berat, Elbasan dhe Durrës. Për të gjitha këto është protestuar nga ana jonë.
A ruheshin nga shteti këto objekte, a ishin shpallur monumente kulture ndërkohë?
Të gjitha të ruajtura nga shteti ishin. Ato ishin pjesë e një liste të shpallur të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Që nga viti 1948, monumentet e kulturës ishin të shpallur dhe të ruajtur. Njëkohësisht kishin tabela treguese. Seleksionimi i fundit u është bërë në vitet 1967-1970. U kryen ekspedita për të bërë dokumentacionet përkatëse. Në vitin 1971 u hartua lista përfundimtare e këtyre monumenteve, që u miratua me vendim të Kolegjiumit të Ministrisë së Arsimit. Kujtoj edhe përbërjen e komisionit të hartimit të kësaj liste, të përbërë prej pesë vetash. Kryetar ishte Koço Bihiku, zv/drejtor i Institutit të Gjuhësisë e Historisë, Aleks Buda, Profesor i historisë, Dhorka Dhramo, historiane arti, Gani Strazimiri, Drejtor i Institutit të Monumenteve dhe unë.
Si u reagua kur ju, instituti juaj, u vu në mbrojtje të kishave e xhamive të shkatërruara, si në rastin e Kishës së Shën Mërisë të Vaut të Dejës?
Na akuzuan drejtpërdrejt se kishim rënë pre e ideologjisë fetare. Madje këtë na e shqiptuan në fytyrë edhe personalitete të kohës në fusha të ndryshme të shkencave. Por nuk kishin faj se ishin të terrorizuar. Ishte vetë situata e krijuar nga shteti komunist, pasi në atë kohë ishte kulmi i fushatës në luftën kundër fesë e ideologjisë fetare dhe çdokush, që do të ngrihej në mbrojtje të kishave dhe xhamive, pavarësisht qëllimit për t’i mbrojtur për vlerat kulturore apo ato të trashëgimisë kombëtare, do të ishte i humbur.
Në një moment më treguat se këtë ngjarje, pra shkatërrimin e Kishës së shekullit të XIII e mësoi edhe Enver Hoxha. Në çfarë rrethanash dhe si reagoi?
Duhet të ketë qenë viti 1971, kur Gani Strazimiri, drejtori, i prezantoi Enver Hoxhës rreth 100 diapozitivë të monumenteve të kulturës në gjithë Shqipërinë. Kur mbërriti te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, drejtori i tha se ajo tashmë ishte kthyer në gërmadha dhe duket se i përmendi edhe emrat e autorëve. Duhet të ketë përmendur emrat e autorëve sepse këtë e nxjerr logjika, pasi përgjigjja e Enver Hoxhës ishte: “Sa keq që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”. Pra Enveri e dinte se cilët e bënë dhe këtë do ja ketë thënë drejtori Strazimiri, që pas takimit ua rrëfeu të gjithëve. Pra kur vetë kreu absolut i shtetit mori në mbrojtje shkatërruesit, kjo do të thotë se vlera e trashëgimisë kulturore shqiptare ishte në një tjetër plan, vënë përballë luftës kundër fesë.