Gazmend Oketa

6 Janar 2023

Nga Valentina MADANI

Ndaj, anëtari i Këshillit Kombëtar të PDsë apelon për bashkim real të demokratëve, të cilëve u kujton se 15 maji po afron dhe se nuk duhet humbur asnjë minutë kohë. Z. Oketa tregon për gazetën “Panorama” se si opozita mund t’i rrisë shanset për rotacion politik duke ngjallur te shqiptarët një frymë besimi në fitore, duke u ofruar atyre një alternativë të besueshme. Ish-ministri i PD-së denoncon përpjekjet e Kryeministrit Edi Rama për ta mbajtur të përçarë opozitën deri në zgjedhjet lokale, ndërsa e akuzon për një model monist qeverisje të ngjashëm me atë të diktatorit Hoxha.

Z. Oketa, Shqipëria shënjoi shumë ngjarje përgjatë vitit 2022. Sipas jush, cili është ai moment që trazoi më tepër situatën e brendshme e karakterizuar nga polemikat e forta?

Ashtu si dhe në shumë vite të mëparshme, edhe gjatë vitit 2022, në skenën politike shqiptare u shënuan shumë ngjarje, por pothuaj asnjëra prej tyre nuk dha efekte pozitive si në jetesën e përditshme të qytetarëve, ashtu edhe në ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Gjatë vitit 2022, Shqipëria shënoi rënie në renditje në pothuaj në të gjithë treguesit e qeverisjes së një vendi.

Ajo u rendit akoma më keq se një vit më parë në treguesin e niveli të korrupsionit, pësoi rënie në indeksin e të bërit biznes, rënie në treguesin e lirisë së medias, rënie të nivelit të jetesës për qytetarët e thjeshtë, rënie të numrit të popullatës dhe plakje të saj kryesisht për shkak të emigrimit masiv të shqiptarëve. Viti 2022 qartësoi para opinionit publik autorët e një prej aferave më korruptive të qeverisë shqiptare, asaj të inceneratorëve, por pa mundur të çojë para drejtësisë organizatorët e vërtetë të kësaj vjedhje. Viti 2022 ishte viti i luftës së parë kibernetike për Shqipërinë, humbjen e së cilës qeveria shqiptare e kishte nënshkruar që me keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve nga patronazhistët rilindës në zgjedhjet e vitit 2021.

Viti 2022 ishte viti i cili duhej ti jepte vendit minimalisht një proces serioz të zgjedhjes së kreut të shtetit, por as kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, trajtimi i atij procesi thjesht si demonstrimi i radhës i pushtetit absolut dhe autokracisë së z. Rama, jo vetëm e zbehu atë proces, por edhe ja vështirësoi pozitat Presidentit të Republikës që në ditën e parë të punës së tij. Pa dashur të vazhdoj më tej, pasi lista e dështimeve është më e gjatë se kaq, mendoj se ndoshta momenti që trazoi më shumë situatën e brendshme politike, ishte komisioni hetimor parlamentar i skandalit të inceneratorëve, dhe kjo për meritë të opozitës, e cila pavarësisht problemeve të saj të brendshme, mundi të trajtojë me argumente e prova konkrete këtë aferë.

Duke dalë nga terreni politik, do thosha se momenti i cili ka shënuar vitin 2022 si një vit krenarie dhe emocioni të veçantë për ne shqiptarët, erdhi nga sporti. Ishte fitorja e titullit kampion Evrope dhe ngritja e flamurit shqiptar në Mynich 2022 nga atletja Luisa Gega. Personalisht, dua ta falënderoj Luizën dhe trajnerin e saj Taulant Stërmasi për dhuratën më të bukur që i bën sportit shqiptar në vitin 2022 dhe do të uroja që viti 2023 të kishte sa më shumë arritje të tilla.

Çfarë po ndodh me një nga institucionet më të rëndësishme, që është institucioni i opozitës?

Nuk mund të mohohet se për fat të keq, edhe gjatë vitit 2022, opozita për shkak të mungesës së unifikimit të qëndrimeve të saj, kryesisht në nivelet drejtuese, e kishte të vështirë të ushtronte dhe përmbushte të gjitha detyrimet e saj si një alternativë shprese dhe besimi për qytetarët shqiptarë. Ajo e kishte të vështirë të ishte pasqyra e pakonsumuar në të cilën opinioni publik të mund të shihte qartë, pa hije dyshimi, të gjithë shëmtinë e qeverisjes shqiptare.

Përplasja e vazhdueshme për zyrat apo për vulën, dhe jo përplasja mbi ide apo strategji se si mund ta bëjmë më të fortë e besueshme opozitën, gjykoj se e ka zbehur imazhin e saj, pavarësisht përpjekjeve për ta ringritur atë. Është shumë e thjeshtë që për këtë situatë të opozitës ta kërkosh përgjegjësinë kryesore tek vetë opozita. Por mendoj se kjo analizë e thjeshtëzuar nuk mjafton dhe nuk shkon në favor të interesit publik, por shkon vetëm në favor të pushteti ekzistues. Në çdo vend demokratik, nëse opozita është e dobët apo rrezikon deri dhe ekzistencën e saj, siç është rasti në Shqipëri, atëherë shenjat e një pushteti autokratik, të korruptuar dhe me kontroll mbi të gjitha pushtet, jo vetëm janë të dukshme, por janë shumë të rrezikshme. Tentativat e z. Rama për të njohur një opozitë sipas modelit që ai dëshiron, mosnjohja e opozitës reale, tentativat e z. Rama për ta emëruar ai dhe kryetarin e opozitës, gjuha denigruese e përdorur prej tij ndaj çdo përfaqësuesi të opozitës, absolutisht që janë simptomat e qarta të një sistemi politik të deformuar dhe me prirje për të unifikuar partinë me shtetin.

Nëse shqiptarët e kanë harruar se Shqipëria e kishte një model të tillë qeverisës nga viti 1944 deri në vitin 1990, atëherë nuk është faji i z. Rama, i cili u ofron shqiptarëve një model monist qeverisje, të ngjashëm me atë të diktatorit Hoxha, por është i memories së shkurtër të shoqërisë sonë. Pavarësisht kësaj situate anormale, ku kreu i mazhorancës kërkon të emërojë apo zgjedhë dhe kreun e opozitës, është në radhe të parë detyrë e kësaj të fundit që të qartësoj pozicionin e saj para qytetarëve, dhe ti ofrojë atyre një alternativë të besueshme. 14 maji po afron dhe opozita e po ashtu dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë më asnjë minutë kohë për të humbur.

Partia Demokratike vijon të përballet me një përçarje të thellë që prej shtatorit të 2021. Nga kush po mbahet peng PD-ja?

Në gjykimin tim, PD po mbahet peng së pari nga përpjekjet e pashpjegueshme në terma politik të z. Alibeaj për t´u sjellë si kryetar i PD-së. Së dyti, nga interesi dhe lojërat politike të z. Rama për ta mbajtur opozitën të përçarë minimalisht deri në zgjedhjet e ardhme lokale. Së treti PD po mbahet peng nga sistemi gjyqësor i cili po e zvarrit pa asnjë kuptim, një proces gjyqësor i cili ka shumë interes jo thjeshtë vetëm për PD-në, por ka interes për të gjithë shoqërinë shqiptare e cila ka nevojë ulëritëse për një opozitë të fortë dhe unifikuar, për t’u bërë zëdhënëse e interesit publik.

A është e riparueshme thyerja brenda PD-së dhe si mund të bashkohet ajo? Pse çdo tentativë që synon afrimin mes palëve duket e dështuar që në nisje?

Nuk ka thyerje të pariparueshme. Gjithçka varet nga vullneti i palëve, por mbi të gjitha nga sinqeriteti dhe arsyet përse thyerja duhet harruar dhe riparuar. Nëse përpjekjet kthehen në pazare personale, premtime postesh në struktura drejtuese apo një vendi të sigurt në listat zgjedhore, atëherë bashkimi mund të ndodhë lart në struktura drejtuese, por druaj se do të thellohej zhgënjimi tek mbështetësit e opozitës. Nëse përpjekjet për bashkim do të bazohen mbi ide, politika dhe objektiva disa herë me të mëdha se egoja apo ambiciet politike të cilitdo individi, atëherë efektet pozitive të këtij bashkimi do të shkonin dhe shkundnin jo vetëm anëtarësinë e PDsë, por edhe pjesën gri të shoqërisë, duke rritur shanset e një rotacioni demokratik të pushtetit nëpërmjet votës së qytetarëve. Çdo tentativë tjetër e bazuar mbi interesa karriere personale të atyre që bisedojnë, nuk besoj se mund të realizojë një bashkim real, i cili do të krijonte një atmosferë pozitive dhe do të sillte një frymë besimi në fitore.

Në muajin janar, priten të tjera negociata për një bashkim të plotë të demokratëve para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Në negociata priten të përfshihen ish-ministra të qeverisë demokratike. Ju, a do të ishit i gatshëm të negocionit me të dy grupet kundërshtare brenda PD-së me qëllim bashkimin e tyre?

Unë nuk e kam këtë informacion, dhe nuk e di se nga kush dhe ku do të bëhen këto negociata. Unë mund t’ju them se për mua nuk ka asgjë për të negociuar. Në politikë realiteti duhet pranuar, dhe ky realitet brenda PD-së, është që anëtarësia e saj në shumicë ka zgjedhur z. Berisha si kryetar të saj. Pranimi i këtij fakti është pranim i realitetit, mos dakordësia me kryetarin apo dhe me shumicën e anëtarësisë, duhet të jetë një normalitet politik dhe asgjë më shumë.

Në këto kushte tërheqja e z. Alibeaj, apo cilitdo pas tij, nga procese gjyqësore aspak dinjitoze do të ishte zgjidhja e vetme dhe më e ndershme. Më pas, cilido prej nesh që ka rezerva apo mos dakordësi me z. Berisha, ose të përplaset brenda PD-së me modelin e tij, ose të shikojë mundësinë e krijimit të alternativave të tjera politike. Çdo përpjekje tjetër për t’u zvarritur pas vulës apo proceseve gjyqësore, vetëm lëvizje politike nuk mund të jetë. Duke mos qenë lëvizje politike, secilit i lind e drejta apo dyshimi për ta etiketuar me çfarëdo emërtimi që i bie në mend.

Kush duhet ta mbajë PD-në? Ai të cilit gjykata do t’i japë të drejtën për të drejtuar apo ai që do të marrë më shumë vota me 14 maj?

Unë nuk mund të parashikoj se çfarë vendimi do të marrë gjykata por mund të them se nëse ajo vendos që t’i lë z. Alibeaj vulën, apo drejtimin e PD-së, do të ishte një vendim shumë i vështirë për tu argumentuar dhe me disa efekte negative. Së pari, do të kishim një vendim gjykate të pazbatueshëm në terma praktik, pasi kryetar partie bëhesh me votat e anëtarësisë së subjektit politik, dhe jo me ato ato të gjykatës. Së dyti, gjykatat shqiptare do të shihen gjithnjë e më shumë nga opinioni publik si instrumente politike të z. Rama, duke rritur akoma më shumë mosbesimin e qytetarëve tek drejtësia e re.

Sidomos pas qëndrimeve politike gjatë vitit 2022, shanset e z. Alibeaj që nëpërmjet një vendimi gjykate realisht të drejtoj PD-në, dhe më pas të gjithë opozitën shqiptare, janë pothuajse zero. Nga ana tjetër, të presësh rezultatin e 14 Majit për të marrë vendimin se kush duhet të drejtojë PD-në, është gabimi më i madh politik, por besoj edhe i fundit, që z. Alibeaj mund të marrë. Zgjedhjet e 6 marsit 2022 e dhanë një rezultat sa i takon balancës brenda PD-së, dhe në politikë, ashtu si dhe në shkencë, nuk ka nevojë që një eksperiment të përsëritet disa herë, dhe ti të presësh një rezultat të ndryshëm.

Edi Rama po qeveris për 3 mandate me radhë prej meritave apo edhe prej gabimeve të kundërshtarit politik?

Unë do dëshiroja shumë që te Kryeministri i vendit tim, pavarësisht partisë apo kahut politik të cilit ai i përket, të gjeja dhe evidentoja disa merita apo arritje, të cilat i jepnin atij sado pak kredo morale për të qëndruar në atë pozicion. Edhe pse dua të tregohem maksimalisht i paanshëm, në rastin e z. Rama, e kam shumë të vështirë të gjejë element të tillë. Z. Rama dhe version i tij ngjyrë lejla i PS-së, ka bërë shumë premtime elektorale në zgjedhjet e vitit 2013, dhe pothuaj asnjërin prej tyre nuk e ka realizuar.

Në zgjedhjet e më pasme, ato të viteve 2017 dhe 2021 z. Rama nuk ka bërë asnjë premtim shtesë për votuesit, por duke parë se shqiptarët mund ti qeveriste thjeshtë duke u treguar barsoleta, ai i la ata të mbushnin barkun me ironitë e tij mbi cilin do kundërshtar, dhe bëri marrëveshje me ata të cilët I bërë ortak në vjedhjen dhe rrjepjen e çdo pasurie të Shqipërisë nëpërmjet tenderëve, koncesioneve apo PPP-ve. Në 2013 z. Rama premtonte shëndetësi falas, por sot pas dhjetë vite qeverisje, biznesi i spitaleve private, në vend që të rrudhej, ka pësuar një rritje të frikshme si në numër ashtu dhe në vlera monetare. Nëse qytetarët shqiptar besojnë se shëndetësia në Shqipëri është falas, atëherë ata duhet patjetër të votojnë z. Rama. Z.Rama i premtoi shqiptarëve në 2013 se do të hiqte TVSH prej 20% në produktet kryesore të shportës, si psh. buka, mielli, vaji, vezët, qumështi, sheqeri dhe orizi.

Nëse sot pas 10 vitesh të z. Rama në karrigen e Kryeministrit, shqiptarët paguajnë 20% më pak për këto produkte, atëherë përsëri do t’i ftoja të votojnë pa hezituar përsëri për të. Nëse sot shqiptarët paguajnë 6% dhe jo 20% TVSH për energjinë elektrike, siç z. Rama u premtoi në mandatin e parë, të vazhdojnë dhe ta votojnë sepse e meriton të rri në pushtet për gjithë këtë “mrekulli ekonomike” që i ka ofruar shqiptarëve. Nëse sot shqiptarët gjejnë më shumë drejtësi tek gjyqësori, le të votojnë z. Rama dhe t’i luten zotit që edhe z.Rama të na rrojë sa malet. Në një vend të emancipuar e demokratik, pavarësisht se çfarë opozite mund të kesh përballë, nuk rrihet në pushtet për tre apo më shumë mandate për shkak të dobësive të opozitës, por për atë që ti ke bërë për vendin tënd dhe qytetarët e tij. Në Shqipëri fatkeqësisht nuk ka rëndësi si vjen në pushtet, por sa gjatë rri në pushtet.

Dhe kjo nuk ka të bëj me opozitën, por me kulturën demokratike të një shoqërie. Nëse z. Rama do të kishte bërë më të mirën për vendin, nuk do kishte nevojë për mbështetjen dhe aleancën e pjesës së inkriminuar të shoqërisë. Pikërisht pse ai nuk ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, ai nuk i fiton dot ndershmërisht zgjedhjet, por ai i rrëmben ato. Nëse ai do të kishte mbështetjen e qytetarëve, siç pretendon, para zgjedhjeve të viti 2021 nuk do të ndryshonte Kushtetutën në mënyrë të njëanshme dhe me votat e një parlamenti gjysmak dhe ilegjitim. Z. Rama mund të qëndrojë në pushtet dhe 3 apo më shumë mandate të tjera, ashtu siç qëndroi dhe shoku Enver, por historia ka treguar se askush nuk vlerësohet për jetëgjatësinë në pushtet, por gjykohet për atë çka ai ka bërë në të mirë të vendit dhe interesit publik. Deri më sot, z. Rama nuk ka asnjë arritje e cila të shënojë moment të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, apo të karrierës së tij politike. Pikërisht këtë mangësi z. Rama e di shumë mirë dhe e vetmja gjë që i ka mbetur që të bëjë, për tu dukur si i suksesshëm, është mbajtja e pushtetit sa më gjatë dhe me çdo kusht.

Të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit a është një misioni vështirë, i pamundur…?

Shqiptarët ishin ata të cilët me vullnetin dhe guximin e tyre përmbysën një nga regjimet më diktatoriale në Evropën e para viteve 1990. Nëse sot shqiptarët, kanë po atë gjak dhe janë po ata të cilët përmbysën komunizmin, rrëzimi i cilitdo pushteti i cili abuzon me të drejtat dhe liritë e tyre është i mundur. Mbajtja e një pushteti të pamerituar nga një apo disa politikanë, është shumë herë më e vështirë se sa përmbysja e tij. Është z. Rama dhe hajdutët që ai ka mbledhur rreth tij, që duhet të kenë frikë nga qytetarët dhe revolta e tyre, dhe jo e kundërta. Unë besoj se qytetarët shqiptar e dinë këtë gjë. Ata kanë nevojë që dikush t’ju a kujtojë çdo ditë dhe ky dikush duhet të jetë opozita.

Si është e mundur që me gjithë skandalet e saj, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, mazhoranca socialiste vazhdon të qeverisë e patrazuar nga asgjë, madje edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Si është e mundur? Vështirë ta gjesh përgjigjen e saktë, por përgjigjen time po e filloj me atë që unë e konsideroj një përgjigje shabllon dhe dembele të një pjese të qytetarëve, si p.sh.: Z. Rama qeveris akoma pavarësisht skandaleve, sepse vendi nuk ka opozitë. A është totalisht vërtet kështu? Unë mendoj se jo. Po nëse vërtet opozita do të shuhej apo do të ishte e dobët, çfarë do të bënin qytetarët shqiptarë, do të gjunjëzoheshin para cilitdo që do t’i varfëronte dhe do t’i tregonte rrugën e emigrimit, apo do të reagonin? Të fshihesh pas përgjigjes se nuk ka opozitë, në rastin më të mirë më duket si përpjekje për t’u tërhequr nga beteja dhe për të fajësuar të tjerët që nuk luftojnë për ty.

E përsëris, opozita ka problemet e saj dhe duhet të jetë krejt ndryshe nga çfarë është deri më sot, por kjo nuk është arsye për të pranuar të qeverisesh nga një qeveri super e korruptuar. Shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe duhet të ndjehet po aq fajtore sa dhe vetë politika për qeverisjen që ka. Një pjesë jo e vogël e shoqërisë shqiptare, ka si modele që mbështet dhe ndjek ata politikanë që në zhargonin popullor, i quajnë “të zotë” apo “të shkathët”. “Të zotë” për të treguar aftësinë e tyre në trajtimin e politikës si biznes fitimprurës. Sa më “i zoti” politikani që kjo pjesë e shoqërisë mbështet, aq më shumë mund të përfitojnë pa meritë vende pune, tenderë, troje, koncesione, e kështu me radhë në progresion rritës dhe në raport me shkallën e “zotësisë” të dyja palët, si politikanit ashtu dhe mbështetësit e tij.

Nëse qytetarët shqiptarë nuk mbështesin këtë racë politikanësh dhe biznesmenësh, aq më të lehtë do ta kenë jetën e tyre. Në të kundërt, nëse vazhdojnë t’i mbështesin, do ta shohin që pas 10 apo 20 vitesh kur të dalin në pension, do të jetë disi vonë për të kërkuar të drejtën e munguar, shanset e barabarta për fëmijët apo një jetesë dinjitoze me pensionin e tyre. Dhe e fundit sa i takon ndërkombëtarëve, kam një përgjigje fare të shkurtër. Ata ka kohë që e dinë dhe e pranojnë që nuk kanë asgjë në dorë për sa i takon lojërave dhe zhvillimeve të brendshme politike dhe se Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët. Këtë ata e shprehin pothuaj në çdo bisedë publike apo private. Të vetmit që duket se nuk e kanë kuptuar akoma që është përgjegjësi e tyre për ta bërë këtë vend, janë vetë shqiptarët. Politikanët shqiptar që drejtojnë e dinë, por jo pak prej tyre nuk duan ta bëjnë, pasi sa më shumë Shqipëria i afrohet Evropës, aq më shumë ata humbasin pushtet dhe kontroll mbi ekonominë dhe fatin e qytetarëve.

I takon shqiptarëve të zgjedhin, e më pas të mos ankohen përzgjedhjen e tyre nëse është po e njëjta situatë. Ndërkombëtarët në çdo rast do të bashkëpunojnë me cilëndo qeveri, e mirë apo e keqe për shqiptarët, mjafton që nga ky bashkëpunim të mos cenohen interesat e vendeve nga ata vijnë. Ajo që duket si mbështetje për z. Rama nga ndërkombëtarët, është thjeshtë propaganda dhe shitja si e tillë nga Edi Rama, TV apo media vetë të ngjashme me të. Cilido qoftë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, bashkëpunimi me ndërkombëtarët do mbetet po i njëjtë.

Gazeta Panorama