Intervista – Jaho Brahaj: – Gjirokastra dhe Berati në UNESCO, por MEKI duhet të dijë të bëjë punën për ruajtjen e qendrave historike
Nga Gazeta Sot, 18 Korrik 2024.
Gjirokastra dhe Berati janë dy qendra historike në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në korrik 2024 Gjirokastra bëri 19 vite në UNESCO, ndërsa Berati 16. Studiuesi Jaho Brahaj thotë se dy qendrat historike kanë një rëndësi të madhe për trashëgiminë, që kanë ngjallur dhe interesin e turistëve. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi Jaho Brahaj thotë se problem është që te ne nuk ka një vlerësim aq sa duhet dhe siç kërkohet për këto dy qendra historike.
Brahaj thotë se për fatin e mirë ato janë vlerësuar nga organizata botërore, por shpreh vërejtje për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për trashëgiminë kulturore. Studiuesi thotë se duhet bërë një punë më e madhe jo vetëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie, por dhe për ndërhyrjet që kryhen. Studiuesi shprehet dhe për IKTK dhe thotë se para viteve ’90-të ishte një Institut i Monumenteve të Kulturës shumë kompetent veprues, ku dhe degët e monumenteve ishin të plotësuar me specialistë që ishin profesionistë.
-Në korrik 2024 Gjirokastra bëri 19 vjet në UNESCO, ndërsa Berati 16. Për ju si studiues sa ka kjo rëndësi për këto dy qendra historike?
Këto kanë rëndësi të madhe në dy drejtime. E para, ne nga e kaluara kulturore, shoqërore, arkitekturore dhe historike kemi trashëguar vlera arkitekturore të veçanta, të cilat janë ruajtur në vazhdimësi dhe ka pasur edhe investime të mëdha gjatë periudhës së para viteve 1990 dhe këto e rendisin edhe Shqipërinë në krijimin e kulturës edhe të arkitekturës dhe të qendrave historike që kemi trashëgimi. Tregues që kemi pasur një zhvillim të arkitekturës, të jetës qytetare dhe urbane, të mjeshtërive të veçanta me veçori lokale dhe kombëtare.
Kjo është një vlerë që i shtohet edhe historisë së popullit tonë në vazhdimësi. Problemi sot është se ne nuk kemi një vlerësim aq sa duhet dhe siç kërkohet. Për fatin e mirë ato janë vlerësuar nga organizata botërore, por neve nuk i vlerësojmë si trashëgimi që duhet ta ruajmë dhe duhet ta çojmë edhe më përpara me zhvillimin e mjeshtërive të ndryshme, me zhvillimin e kësaj arkitekture mund ta quaj edhe kombëtare për ta zhvilluar edhe në ndërtime në zonat e tjera urbane.
-Sipas jush kur shprehni këto probleme, çfarë ka munguar te ruajtja e trashëgimisë që ndër vite ka pasur dhe dëmtime sipas specialistëve më parë?
Qoftë opinioni i brendshëm shqiptar, por dhe UNESCO ka vërejte, sepse nuk po ruhen, por po lejohet që të ketë ndërhyrje në harmonizimin e arkitekturës së këtyre veprave, ne nuk kemi bërë hapa dhe për ruajtjen e mjeshtërive me veçoritë e tyre, qoftë për mirëmbajtjen që janë ndërtime brenda qendrave historike, qoftë edhe në ndërtimet e reja që kemi lejuar për t’u ndërtuar po brenda këtyre qendrave.
Këtu e para është mosvlerësimi që kemi nga organet tona ligjzbatuese qëndrore dhe ato lokale, qoftë edhe ndërhyrja e politikës, e cila për arsyet e përfitimeve të saja që dihet janë vota, etj, lejon pa e vlerësuar këtë trashëgimi që na kanë lënë brezat, duke mosvlerësuar edhe punën e madhe që është bërë para viteve 1990 në vendin tonë për ruajtjen e këtyre monumenteve të kulturës. Duhet ta dimë që është bërë një punë dhe me harxhime të mëdha financiare.
-Nga institucionet pohohet se bëhet punë, ndërsa ju keni dhe vërejtje. Por Gjirokastra dhe Berati kanë dhe rritje të numrit të turistëve, sipas shifrave që publikohen nga muze dhe institucione. Çfarë mund të na thoni?
Rritja e numrit të turistëve në vendin tonë dhe sidomos në këto dy qendra historike siç janë Gjirokastra dhe Berati është dhe një vlerësim dhe kuriozitet, që kanë të huajt për arkitekturën dhe veçori të kulturës shqiptare. Por kjo na vë dhe para detyrave të shumta, që ne këtë jo ta dëmtojmë ashtu siç ka ndodhur në këto vite, por ta ruajmë dhe të harxhojmë dhe mjete financiare, duke i vënë në dispozicion të ruajtjes së saj, ashtu siç na ka vënë në dispozicion mjete financiare edhe UNESCO që ka dhënë miliona euro për Gjirokastrën dhe për Beratin.
Problemi sërish del në dy çështjet e para, një mos vlerësim sa duhet nga organet shtetërore dhe e dyta është moskujdesi për krijimin dhe vazhdimësinë e mjeshtërive të ndryshme, sepse për të rindërtuar, mirëmbajtur, restauruar objekte historike duhet të kemi dhe shkolla të përgatitua bashkë me mjeshtëritë popullore. Ministria e Kulturës sot Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka defektet e saj. MEKI duhet të dijë të bëjë punën si duhet për ruajtjen e qendrave historike. Ne kemi dhe de jure një ligj për trashëgiminë tonë kulturore dhe muzetë. De facto nuk kemi ligj. Ligjin po ta lexosh që është i miratuar dhe i botuar në fletoren zyrtare ka mbi 90 ndërhyrje që thotë këto rregullohen me vendime të posaçme, pra me VKM.
Ai ligj vepron deri më sot pa një kompetencë të tijën, sepse shumë nene të ligjit thonë rregullohet me VKM. Kur nuk kanë dalë VKM ai ligj është nul, pa veprimtari, pa kompetencë ligjore dhe juridike. Neve jemi dhe në këtë boshllëk ligjor që nuk e dimë pse vijon të jetë i tillë edhe pas disa vitesh. Një ligj që nuk ka si të veprojë, sepse pret të dalin vendimet plotësuese të këshillit të ministrave. Ligj që është i paplotësuar me kërkesat që vetë ai shpreh.
-Ju keni shprehur më parë vërejtje dhe për Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Si e keni parë punën e IKTK për trashëgiminë?
Para viteve ’90-të ne kishim një Institut të Monumenteve të Kulturës shumë kompetent veprues dhe kishim dhe degët e monumenteve që ishin të plotësuar me inxhinierë dhe specialistë, që ishin profesionistë, gjithashtu kishim dhe mjeshtra popullorë që i përgjigjeshin kërkesave për mirëmbajtje, ruajtje dhe restaurim. Sot kemi firma për restaurim që kërkohet të kenë një licencë dhe as nuk shkon ti shohë, por hapet një tender kryesisht nga këto të ndërtimit që e marrin edhe e rindërtojnë pa pasur njohuritë bazë të ruajtjes, mirëmbajtjes dhe mjeshtërive të trashëgimisë historike, kulturore, etj, në ditët e sotme.
Problemet e tjera janë që zyrat e urbanistikës dhe deri në qendër nuk kanë një lidhje dhe me Fakultet e Arkitekturës. Fakultetet e Arkitekturës si rregull kanë dhe fonde për kërkime shkencore dhe këto fonde janë që japin rezultatin për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe të arkitekturës kombëtare. Nëse e kemi të shkëputura nga IKTK atëherë këtu kalojmë vetëm me ca plane që bëhen, më shumë janë rilevime dhe fasada dhe pastaj rindërtimi i këtyre objekteve nuk plotëson asnjë kriter.
Bëhen dhe punime të tilla në këto qendra pa kriter siç kemi Bypass në Gjirokastër, të cilin që kur është planifikuar UNESCO e ka kritikuar dhe ka kërkuar që të vihet në kriteret që kërkohen dhe në përshtatje me qendrën historike të Gjirokastrës. Ne duhet të ishim tani në një fazë të dytë po të kishim zbatuar kriteret e UNESCO-s ku mund të propozonim përshembull që lagjia brenda muzeut historik të Krujës dhe kështjellës të futej në UNESCO ose të fusnim dhe fshatra që kemi me interes si psh Qeparoi ose Rehova e Kolonjës.
-Në gjendjen që jemi çfarë është për ju prioritare për trashëgiminë kulturore?
Ne gjendjen që jemi më mirë është të themi që jemi duke ecur me hapin e breshkës sa për të kryer detyrat e shtëpisë dhe të mos rrinë këto institucionet krejtësisht pa punë. E thashë që defekti vjen sepse është shkëputur nga Fakultetet e Arkitekturës, të cilët do të ishin në procesin e tyre mësimor dhe studimor dhe do të ishin dhe në shërbim dhe të Institutit të Monumenteve (sot IKTK) dhe të zyrave urbanistike të këtyre qendrave. Zhvillimi ose mirëmbajtja e këtyre qendrave është kthyer në kompetencën e disa njerëzve, të cilët nganjëherë shikojnë dhe interesat e ngushta të tyre ose qëllimet politike, qëllime dhe për vota në të ardhmen.
Intervistoi: Julia Vrapi