Irakut i kthehen 17 mijë artefakte arkeologjike
Irakut i kthehen 17 mijë artefakte arkeologjike
Poema sumeriane “Epi i Gilgameshit” konsiderohet si një nga veprat më të vjetra të letërsisë, dhe së bashku me disa mijëra objekte të tjera, përfshin një nga arkat më të mëdha të objekteve të rëndësishme arkeologjike të vjedhura nga Iraku pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA në vitin 2003
Historiani irakian, Abdullah Khorsheed Qader, ka punuar në fushën e arkeologjisë që nga viti 2000, kur filloi studimet master në Universitetin Salah-al-Din në Erbil, Irakun Verior, dhe ku vazhdoi si profesor në Departamentin e Arkeologjisë.
Si studiues dhe drejtor i Institutit irakian për Ruajtjen e Antikiteteve dhe Trashëgimisë, Qader është i lumtur që vendi i tij do të marrë përsëri thesaret e tij të lashta nga SHBA. “Ndihemi mirë dhe shpresëdhënës për shkak të përgjigjeve pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Të mërkurën, SHBA njoftoi se po kthente 17 mijë objekte arkeologjike në Irak. Objektet të cilat janë rreth 4 mijë vjet të vjetra qysh nga periudha sumeriane, u kthyen të enjten në fluturimin e kryeministrit irakian Mustafa al-Kadhimi, i cili ishte në Uashington DC për një takim me Presidentin amerikan Joe Biden.
Duke e quajtur kthimin “të pashembullt”, ministri irakian i Kulturës, Hassan Nazim, ka thënë se ishte “kthimi më i madh i artefakteve në Irak” dhe “rezultat i përpjekjeve mujore të autoriteteve irakiane bashkë me Ambasadën e tyre në Uashington”, ka thënë ai në një deklaratë për media. Në vitin 2018, qeveria britanike ktheu objektet e moçme që u plaçkitën pas pushtimit amerikan dhe që më pas u shfaqën në Angli.
“Shumica e këtyre objekteve ishin pjesë e materialeve që ishin plaçkitur nga Muzeu i Irakut në Bagdad gjatë pushtimit të SHBA” ka thënë Elizabeth Stone, një arkeologe dhe profesore e antropologjisë në Universitetin Stony Brook në New York. Stone ka qenë pjesë e ekspeditave të ndryshme arkeologjike në Irak, duke përfshirë një të shquar në vitin 2012, ku ajo dhe ekipi i saj gërmuan afër vendit të Ur, shtëpisë së figurës biblike të Abrahamit.
Sipas Stone, këto objekte u larguan nga Iraku përmes tregtisë ilegale të antikiteteve. “Ishte e qartë për të gjithë se këto ishin vjedhur nga Muzeu pasi kishin numrat e katalogut dhe kështu nuk mund të kishin ardhur nga gërmimet ilegale” shtoi arkeologia.
Disa objekte u konfiskuan nga zyrtarët doganorë, por të tjerët u blenë nga Universiteti Cornell dhe Hobby Lobby, zinxhiri i arteve dhe zanateve, ka treguar Stone.
Hobby Lobby ishte në lajme kohët e fundit, pasi u zbulua se biznesi kishte blerë një tabletë të rrallë në shkrimin me kunja, të gdhendur si pjesë të Epit të Gilgameshit. Objekti u ble për t’u shfaqur në Muzeun e Biblës në Uashington DC – institucioni financohet nga familja e David Green, themeluesit të Hobby Lobby.
Më 27 korrik, një gjykatë në New York urdhëroi konfiskimin e objektit, i cili thuhet se ishte blerë nga një tregtar amerikan i antikave nga familja e një tregtari të monedhave në Londër, kishte treguar Departamenti Amerikan i Drejtësisë nëpërmjet një deklaratë.
“Tregtari i antikave dhe një ekspert i SHBA-së e dërguan tabelën në Shtetet e Bashkuara me postë ndërkombëtare pa e deklaruar përmbajtjen siç kërkohej. Pasi tabela u importua dhe u pastrua, ekspertët e shkrimit me kunja e njohën atë që mbante një pjesë të Epit të Gilgameshit. Afërsisht 6 inç me 5 inç (15 x 12 centimetra)”, shkruhet në deklaratën për medie.
Poema sumeriane konsiderohet si një nga veprat më të vjetra të letërsisë, dhe së bashku me disa mijëra objekte të tjera, përfshin një nga arkat më të mëdha të objekteve të rëndësishme arkeologjike të vjedhura nga Iraku pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA në vitin 2003.
Gërmimi i paligjshëm, vjedhja dhe kontrabanda e objekteve historike është një problem i vazhdueshëm – veçanërisht në Irak dhe Siri – me tregtarët e tregut të zi, kontrabandistët dhe anëtarët e “Shtetit Islamik” (IS) duke shfrytëzuar situatën kaotike në rajon, ku është relativisht e lehtë për të gjetur antikitetet dhe për t’i shitur jashtë vendit.
Ndërkohë, arkeologët si Qader janë të lumtur që përpjekjet për të rikthyer thesaret kanë dhënë fryte. “Kontaktet irakene me palën amerikane e bënë të qartë se antikitetet e kontrabanduara janë në duart e sigurta të Sigurisë Kombëtare Amerikane”, ka thënë Qader. Zyrtarët e Ambasadës kishin komunikuar për shumë vite për të rimarrë këto pjesë dhe “kjo është bërë realitet, më në fund”, shtoi Qader.
Ai shpreson se edhe pjesa tjetër e botës, do të ndërhyjë dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e objekteve të tjera të humbura. Ndërkohë, arkeologu dhe kolegët e tij janë të zënë duke hedhur themelet për rivendosjen e institucioneve arkeologjike që u dëmtuan gjatë viteve të luftës dhe konfliktit.
Së bashku me organizatat amerikane si Instituti Smithsonian dhe Universiteti i Delaware, Qader, drejtori i Institutit irakian për Ruajtjen e Antikiteteve dhe Trashëgimisë, po trajnon profesionistë të rinj dhe edukon komunitetin.
Një qëllim i rëndësishëm i programit të tij është “rivendosja e besimit dhe besimit te vetja në komunitetin e Muzeut irakian dhe profesionistët e arkeologjisë duke ndërtuar dhe forcuar një program kombëtar të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.