Irani dhe Koreja e Veriut bashkëpunojnë në programin raketor, thotë raporti i OKB-së

09 shkurt, 2021

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar, Irani dhe Koreja e Veriut kanë rifilluar bashkëpunimin për zhvillimin e projekteve të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Për këtë, raporti citoi një shtet anëtar të OKB-së të paemëruar, i cili siguroi informacione se Koreja e Veriut dhe Irani kanë rifilluar këtë bashkëpunim. Raporti u publikua nga një grup i pavarur ekspertësh që monitorojnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut.

Duke u përgjigjur akuzave, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Majid Takht Ravanchi, u tha anëtarëve të panelit në dhjetor se në hetimet e tyre mund të jenë përdorur “informacione të rreme dhe të dhëna të fabrikuara”.

Sipas raportit, Koreja e Veriut vazhdoi me zhvillimin e programeve të saj bërthamore gjatë vitit 2020 duke shkelur sanksionet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë akuzuar Korenë e Veriut dhe Iranin për bashkëpunim në zhvillimin e raketave.

Raporti publikohet në kohën kur administrata e re e presidentit të SHBA-së, Joe Biden po rishikon politikën e ish-presidentit, Donald Trump ndaj Koresë së Veriut.

Administrata e Bidenit po përpiqet gjithashtu të ringjallë diplomacinë me Iranin pasi Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore dhe vendosi përsëri sanksionet. Trump thoshte se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të ketë armatim bërthamor.

Në një intervistë për CNN më 8 shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti se “nëse Irani u kthehet detyrimeve të tij sipas marrëveshjes bërthamore, edhe SHBA-ja do të vepronte njëjtë”.

Ai tha se pastaj SHBA-ja do të punonte me aleatët dhe partnerët për një marrëveshje më të fuqishme duke adresuar më shumë çështje. Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara fillimisht duhet të lehtësojnë sanksionet ndërkombëtare.

Ata kanë thënë gjithashtu se programi raketor i vendit dhe politikat rajonale nuk mund të jenë tema të diskutimit.